RECENSION
Libri poetik “Ai është i gjallë”, autor Dibran Fylli
Botues Rilindja, Prishtinë, 2000
PËRMASAT DRAMATIKE TË ATDHEUT DHE LIRIA E TIJ
Lufta, rezistenca, liria-janë tri tema të mëdha që e thurin portretin shpirtëror, të ashpër, sa tragjik aq edhe krenar, të poezisë së vëllimit “Ai është i gjallë”.
“Ai është i gjallë”-titull i ngjizur jo vetëm në frymëzimet e poetit, por edhe në ato pak qaste të rralla të shfaqjes me të njëjtin titull, përballë kotit, në skenën e plojeve dhe të epopesë së luftës, që u thadrua në përjetimet e shikuesit, dëshmitar e pjesëmarrës lufte, dhe, ky shikues, tashmë e kishte kuptuar se duhej zëvendësuar me vdekjen e sakrificën për liri, sepse jeta kishte humbur kuptimin e saj nën Serbinë për të mbijetuar e mbetur gjallë. Dhe, në luftë, triumfoi thënia për legjendën e Ademit “Ai është i gjallë”. Edhe sot; kush thotë se Ai nuk është gjallë? Ngadalë, në këtë mënyrë, poeti, lexuesi e shikuesi bëhen një, identifikohen me kohët e dhembjeve të mëdha, të martirëve e të martirizimeve të pafund. Poeti e shkruan aq anatominë e një lufte tejet të rëndë: “Çnjerëzorë” shpërthen poeti në goditjet e tij lirike, si plumb, si gjyle topi. Është një vullkan që zien përherë.
Përballë kësaj çnjerëzie është legjenda për të gjallin pas vdekjes, si në legjendën e Konstandinit, për ta quar, këta, në vend besën për lirinë, për ta sjellë lirinë në Kosovë.Dhe goditjet poetike “Çnjerëzorë” sikur nuk pushojnë; ka dy shpalime dhembjeje e urrejtjeje, revolte e gjykimi, kafshimit të egër e të ilaçit kundër kafshimit.
Do të shpalohen, në pak vargje, abetarja e djegur e fëmija i vrarë, shkolla e bombarduar e bashkëfshatarët që martirizohen. Përzishëm e krenar, kjo poezi, pa prozë, arrinë të artikulojë përmasat dramatike të dhembjeve të mbledhura aq shumë të Atdheut, por edhe të identifikimit me krenartinë e tij, të Atdheut si Hyjni mbi Hyjni.