Maxhun Osmanaj - Mbresa leximi

Maxhun Osmanaj - Mbresa   leximi
PËRRALLA QË ARGËTOJNË DHE ZGJOJNË IMAGJINATË TE FËMIJËT
 
( “Breshka  me  samar” – përralla,  Rifat  Ismaili , SHB,  Fast  Print,  Tiranë  2023 )
 
Përralla,  ky  emër  që  na  kujton  dhe  simbolizin  fëmijërinë,  gjyshet,  aventurat  e  kënaqësisë... Pse  i  kemi  dëgjuar   përrallat     nga  gjyshet  tona  me  aq  ëndje  dhe  kërshëri  në  fëmijëri ? Ç’lumturi  kemi  ndier  kur  i  kemi   lexuar    shkrimtarët  shqiptarë  dhe  të  huaj? Ç’përmban  shpirti  i  tyre  dhe  ç’mesazh  na  sjellin  ato,  sa herë  që  takohemi  me  to  në  libra ? A  na  vizitojnë  personazhet  kryesore  aventuriere shpesh  në  kujtesë ? Janë  vetëm  disa  nga  pyetjet,  që  posa  t’i  lexojmë  përrallat  e  librit  “ Breshka  me  samar”,  mund  t’u  japim  përgjigje  me  lehtësi  dhe  kënaqësi. Shkrimtari Rifat  Ismaili,  herë  pas  here  me  dashuri  dhe  mjeshtri  po  i  kthehet  letërsisë  për  fëmijë  me  libra  me  tregime,  përralla  dhe  poezi. Pra, edhe më këtë  libër  dëshmon  se  është  mjeshtër  i  rrëfimit  të  përrallave  dhe  na  fut  në  botën  e  ëndrrave  të  personazheve;  kafshë,  njerëz,   shpezë  a  insekte  që  realiteti  nuk  ua  mundëson  realizimin  e  ëndrrave  dhe  dëshirave  të  fëmijëve. Por  imagjinata,  kalë  pa  fre,  na  lejon. “ Fantazia  është  mënyra  për  të  shprehur  nevojat  e  paplotësuara. Njeriu  priret  drejt  kënaqësive,  por  realiteti  e  ndalon,  e  detyron  të  heqë  dorë  prej  saj,  ndërsa  fantazia  i  lë  dorë  të  lirë,  të  plotësohet  e  të  kapërcejë  kufinjtë  e  së  pamundurës” (Mimoza Agastra, recenzente  e  librit në fjalë, fq.14). Libri  ndërtohet  nga  shtatë  përralla  dhe  një  tregim   që  e  quan  autori. Përrallat  e  këtij  libri  përcillen  me  vizatime  joshëse  që  gërshëtojnë  fabulën  e  rrëfimit  dhe  për  lexuesit  e  vegjël   bëhen  më  tërheqëse  për  lexim  dhe  kanë  efekt  pozitiv  në  psikën  e  tyre. Veçori  e  përrallave  të  këtij  libri  është  shpirti  rrëfyes  me  një  gjuhë   dhe  stil  të  kapshëm,  të  thjeshtë,  këshillues-  argëtues .  Autori    i  nis  rëfimet   sikur  të  ishte  shok  me  fëmijët  a    kafshët. Shpirti  i  ngrohtë   i  rrëfimit,  fuqia  e  imagjinatës,  fjala  e  ëmbël  magjike,  stolisur  me  petk  edukativ,    pa  dhunë  përmes  këshillës    miqësore,  e  bën  që  të  shijohet  ëmbël  dhe  magjishëm  nga  fillimi  deri  në   mbarim.  “Vogëlushet  dhe   derrat  e  egër “,  është  përralla  që  na  mëson  se  si  fitohet  një  miqësi  dhe  besim,  sado  që  kemi  shpesh   paragjykime  për  derrat  e  egër. Aventurat  e   vogëlusheve,   Luanës  dhe  Denisës  në  pyll,   dhe  miqësia   me  derrat   e  egër,  krijojnë  një  lumturi  të  paparë. Ndërsa  “ Pulëbardha  grabitçare”  na  mëson  se  si  pulëbardha  ia  rrufiste  Ilirit  bukën  e  fshehur,  i  cili  shkonte  për  peshkim  me  babin  e  vet. Por  ajo  një  ditë  e  pësoi  nga  një  makinë,  që  po  mos  të  ishte  kujdesi  i   babës  dhe  birit,  ajo  do  të  ngordhte. Pra,  Iliri  i  vogël   shqelmon  inatin  ndaj  pulëbardhës  grabitçare  dhe  ia  shpëtoi  jetën  asaj. “ Breshka  me  samar”  është  përralla  tjetër  që  bart  libri  titullin  dhe  zgjon  një  kureshtje  për  lexuesit. Breshka   me  samar  nuk  e  mori  titullin  që  ajo  bart  “samar”  siç  e  quajmë  të  gjithë,  por  bëri  ca  gabime,  u  tregua  hajneshë... Plaku  Hasan  me  plakën  e vet,  e  kalonin  pleqërinë  në  fshat  duke  u  kujdesur  për  kopshitn  e  tyre, duke  mbjellë  qepë,  sallata..., një kopsht për lakmi që ua  shtonte jetën. Por  një  breshkë  hajneshë  ia  hante  sallatat  natë  pas  nate, radhazi. Plaku  e  zuri një natë.E  dënoi  me  një  samar  dhe  mbi  të  ia  vuri  një  kovë  me ujë  që duhej bartur  çdo ditë,  t’i  ujiste  sallatat,  pra  si  dënim. Kështu,  breshka  puno,  gjyshi  puno,  krijuan  miqësi  të  paparë. Mbollën një  kopsht  të  bukur  dhe  ndërtuan  një  miqësi  të  re. Mesazhi  dihet.
“Vajza  dhe  telefoni”  është  i  vetmi  tregim  në  këtë  libër,  që  për  secilën  familje  buron  nga  një  realitet  i  mundshëm. Dëshirat  e  fëmijëve  janë  të  ndryshme,  por  realizimi  i  tyre,  nganjëherë  bartin  efekte  negative. Lolës  tetëvjeçare  për  ditëlindje,  babi  dhe nëna    ia  blen  një   telefon  me  dëshirë  dhe kërkesë  të  Lolës. Por  në vazhdim  ajo  i  zhgënjeu  prindërit,  sepse  la  anash  mësimin, tërë  kohën  humbiste  në  telefon  me  lojëra  të  ndryshme. Humbi krejt  interesimin  për  mësim. U  bë  më  e  egër,  dhe  kështu   pasojat  qenë  të  mëdha. Por,  babi,  Lola  dhe  nëna  filluan  ta  kuptojnë  se  sa  e  dëmshme  është  humbja  e   kohës  në  telefon- internet. Tani  kuptojeni  ju  vetë  fëmijë  të  dashur. S’kam koment! Ndërsa  se  si  “ Viti  i  Ri  humbi  rrugën”  mbushur  me  dhurata,  urime  dhe  ëndrra. Goni  e  Moza   sa  me  gëzim e  pritnin  për  një  vit  më  të  pasur  dhe  duke  pritur  fëmijët  me  endje, lexojeni  vetë  përrallën. Të  gjithë  i  duam  shëtitjet,  por  një  “  Shëtitje  e  pazakontë”  përjetoi  Rudolf   Miu  dhe  vogëlushja  Deonë. Miqësia  e  tyre,  aventurat  plot  skena të bukura  nëpër  botë  me  autobus  dhe  taksi,  bënë  që  përmes  fantazisë,  ta  shijojmë  një shëtitje  për  t’u  mbajtur  mend. “Goni  dhe  aviatori “  është   ëndrra  që  Goni  bashkë  me  aviatorin  shëtitën  bukurive  të  qiellit  dhe  botës,  me  aventurat  e  tyre  mbresëlënëse  s’kishin  mbarim.
  Libri  mbaron  me  përrallën   “Foleza  e  gjarprit”,  ku  Çarli,  një  vogëlush  lazdran  dhe  i  llastuar,  çamarrok,  ndihej  si  mbret  dhe  sjelljet  ndaj  kafshëve   dhe  insekteve  të  vogla  nuk  i  kishte  të  mira. Pra,  ishte  një  keqbërës. Por  pasi  gjarpri  u   kthye  në  gjarpërushë, mori emrin Leonora  Gjarpërushë,  dhe  me  shpirtin  e  saj,  e  përvetësoi  djaloshin,  ia  ndryshoi  shpirtin nga  keqëbërësi  në  djalë  të sjellshëm,  të  butë  dhe  miqësor. Ai  u  pendua për veprat  e  tij,  u  kërkoi  falje  shtazëve  dhe  shpezëve,  insekteve  që  i  dënonte. Me  anë  të  kësaj  përralle, autori  na  mëson  se  shpirti  njerëzor  i  mrekullueshëm  ndryshon  dhe  zbut   edhe  shpirtra  të  egër. Të  gjitha  përrallat  i  udhëheq  efekti  edukativ- argëtues, fundi befasues  dhe  petku  i  lumturisë.
Autorit  Ismaili  i  dëshirojmë  suksese  dhe  vepra  të radhës!
 
Maxhun  Osmanaj,  krijues,   mars  2024