Rexhep Qosja - BUKURIA E URTËSISË

Rexhep Qosja - BUKURIA E URTËSISË
BUKURIA E URTËSISË
 
Dy letërsitë
 
Para rreth dyzet e pesë vjetëve, kur kam shkruar për marrëdhëniet e letërsisë shqipe me letërsinë evropiane, kam pohuar se këto marrëdhënie në masë të madhe janë shënuar prej përkushtimeve të shkrimtarëve shqiptarë ndaj letërsisë franceze. Kështu ishte prej fillimeve të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare e kështu është edhe sot. Shkrimtarët më të shquar të Rilindjes sonë, si Pashko Vasa, Jani Vreto, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Asdreni, nxitjet e tyre do t’i marrin dhe përvojën e tyre krijuese do ta pasurojnë para së gjithash në letërsinë franceze, në mënyrë të veçantë në letërsinë e iluminizmit e të romantizmit francez. Volteri, Didroi, Rusoja do të jenë ata shkrimtarë dhe mendimtarë të mëdhenjë francezë, që do të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e mendësisë së tyre, në njërën anë, dhe të përbërjes artistiko-etike të shprehjes së tyre, në anën tjetër.
Është e kuptueshme pse në studimet tona historiko letrare ne kemi edhe monografi, monografinë e profesor Masar Stavilecit, për rolin e Iluminizmit francez në letërsinë e Rilindjes sonë Kombëtare.
Edhe mes dy luftërave botërore marrëdhëniet e letërsisë shqipe me letërsinë evropiane janë të shënuara prej përkushtimeve ndaj letërsisë franceze por, natyrisht, jo më aq ndaj iluminizmit dhe romantizmit, sa ndaj realizmit, në mënyrë të veçantë ndaj realizmit social, dhe ndaj modernizmit. Në këtë kohë në gjuhën shqipe do të përkthehen edhe vjersha të Sharl Bodlerit.
Pas luftës së Dytë Botërore përkushtimet e krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë ndaj letërsisë franceze pasurohen, shtohen me marrëdhënie politike, arsimore, kulturore, shkencore, shtetërore. Shumë, më shumë se kurrë, të rinjë shqiptarë do të studiojnë gjuhën dhe letërsinë franceze – disa në Francë, disa në Tiranë, disa në universitete të republikave të ish Jugosllavisë, si në Zagreb, Beograd e në Sarajevë, kurse mbasi hapet Universiteti i Kosovës edhe në Prishtinë.
Sot këto marrëdhënie janë shtuar e pasuruar shumanshëm. Të rinjë shqiptarë jo vetëm se studiojnë gjuhën dhe letërsinë franceze, por edhe mbrojnë magjistratura e doktorata në Paris, madje edhe në disa qytete të tjera të Francës. Sot intelektualë shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova punojnë në fakultete e në institute shkencore në Francë, kurse studiues francezë merren me studime albanologjike. Parisi – qyteti më mikpritës në botë ndaj krijuesve të vendeve e kontinenteve të tjera është njëkohësisht shumë mikpritës edhe ndaj krijuesve e artistëve të ndryshëm shqiptarë. SHkrimtarë nga Shqipëria e Kosova, studiues shkencorë nga Shqipëria e Kosova, piktorë nga Shqipëria e Kosova, artistë të arteve dëgjimore nga Shqipëria e Kosova tashmë janë bërë të njohur e të çmuar në Francë.
Përkushtimi i shqiptarëve ndaj gjuhës dhe letërsisë franceze dëshmohet sot edhe me sasinë e cilësinë e përkthimeve të letërsisë franceze në gjuhën shqipe. Kjo është letërsia kombëtare evropiane më e përkthyer në gjuhën shqipe. Janë të përkthyera dhe po ripërkthehen romane e tregime të romantikëve e realistëve të mëdhenjë; janë të përkthyera vepra poetike të klasicistëve, romantikëve, parnasistëve, modernistëve; janë përkthyer edhe drama të autorëve të avangardës. Por, në gjuhën shqipe tashmë janë përkthyer dhe vazhdojnë të përkthehen vepra të njohura të letërsisë së sotme dhe të studimeve të sotme shkencore franceze.
Nuk ka dyshim se këtij përkushtimi të krijuesve shqiptarë, në pëgjithësi të intelektualëve shqiptarë, ndaj gjuhës dhe letërsisë franceze, në njërën anë, dhe vlerës së veçantë artistike të poezisë së tij, në anën tjetër, i detyrohet edhe përkthimi i përmbledhjes poetike, Zemër nate të poetit, kritikut dhe eseistit të njohur Daniel Levers.
 
E përgjithshmja
 
Prej poezive të kësaj përmbledhjeje me titullin e pazakonshëm Zemër nate do të bindemi se mund të quhet e përfunduar koha e fetishizimit të ideve dhe ideologjive. Prej dikujt i quajtur i dëshiruar, prej dikujt ndoshta i padëshiruar e prej shumëkujt kalimi i asaj kohe mund të quhet dëshpërues dhe mund të quhet ashtu, dëshpërues, sepse me kalimin e fetishizimit të ideve e të ideologjive sikur ka kaluar koha e prestigjit që kishin intelektualët, të cilët e kanë kokën për të menduar pavarur, për të mënduar kritikisht për të gjitha çështjet, dukuritë, politikat, pushtetet, shtetet, për të cilat e quajnë të nevojshme e të arsyeshme të shprehen. Poeti Daniel Levers qëndron larg asaj përmbajtjeje të fetishizuar. E pse të mos qëndrojë? Ai është poet që e tërheqin, që e nxisin, që e frymëzojnë gjërat e përditshme, përjetimet e përditshme, marrëdhëniet e përditshme njerëzore. Ai është poet që e përvetëson e veçantja që njëkohësisht është e përgjithshme.
Gjerësia tematike dhe motivore e poezisë së Daniel Leversit dëshmon se ai është poet, është krijues i vështrimeve gjithpërfshirëse. Bota vetjake dhe bota shoqërore, bota metafizike dhe bota praktike janë botë e përhershme e subjektit të poezisë së tij. Kjo bindje lexuesit nuk i krijohet nga farë shprehje e drejtpërdrejtë në poezinë e tij, jo, kjo bindje lexuesit i krijohet gjatë leximit të të gjitha poezive të tij të Zemrës së natës. Poeti Daniel Levers do të donte që me poezinë e tij të përfshinte gjithësinë mendore, ndjenjore dhe etike njerëzore.
 
Kujtimet
 
Megjithë përkushtimin e tij ndaj të gjithave që e përbëjnë gjithësinë njerëzore, Daniel Leversi është poet në krijimtarinë poetike të të cilit, megjithatë, do të mbizotërojnë disa fjalë të veçanta si bartëse të përjetimeve, të ndjenjave, të mendimeve të tij të veçanta. E para, më e dukshmja, është fjala e shkruar në shumës kujtimet. E kuptueshme. E gjithë jeta, duke filluar prej fëmijërisë, na e mbush mendjen me kujtime, me gjithfarë kujtimesh: të dëshiruara e të padëshiruara, shqetësuese e të durueshme, të përkohshme e të përjetshme. Kujtimet na i sjellin të tjerët, ata që i kemi afër, por edhe ata që na janë larg. Kujtimet na vijnë prej takimeve me të tjerë, prej bisedave, prej dëgjimeve, prej shikimeve, por edhe prej leximeve, dëgjimeve e shikimeve që sjellin veprat letrare, pamore e dëgjimore artistike. Kujtimet janë aq të shumta, aq të shpeshta, aq të pamënjanueshme saqë s’kemi sesi të mos e përjetojmë ndikimin e tyre. Këtij ndikimi poeti Daniel Levers ia kushton vjershën Tirania e kujtimeve:
 
 Në rrugët e qytetit,
kujtimet stivohen,
shtyhen mesveti.
 
Çdo rrugë për ty ruan një fshehtësi
e ti lidh sërish hap pas hapi
fillin e këputur të jetës.
 
Mendon, sigurisht,
se duhet ta braktisësh qytetin
të shkosh kah një korizont i ri.
 
Por, ato, kujtimet, të mbajnë aty në qytetin ku je a në fshatin jo  larg ku lektisesh të jesh më shpesh a përgjithmonë, sepse t’u ka mërzitur të jesh ku je. Ato, kujtimet, të çojnë edhe më larg, shumë më larg, dhe duke të çuar ashtu larg të sjellin atë që don a të don dhe të afrojnë, të bashkojnë me të tjerë. Kujtimet bëhen kështu mundësia e sigurt e përbashkësisë së njerëzve. Dhe kështu të sjellin kur lumturinë e kur tiraninë.
 
Makthet
 
Fjala tjetër, që me përmbajtjen e saj kuptimore dhe ndjenjore e shënon poezinë e Daniel Leversit është fjala makthet. Kur e dëgjojmë na i bën sytë katër dhe na e ngjiz zërin! Tingëllon shqetësueshëm në shqip: makthet! Dhe, tingëllon shqetësueshëm frengjisht: les cauchmers! Në mendjen tonë dhe në shpirtin tonë ato, thotë poeti, lidhen nyje, çuçkë! Ato na nënshtrojnë! Ato nuk na lënë të çelim gojën! – na memecojnë!
 
Ne kurrë s’do mundemi
atyre t’u bësojmë,
vetëm duhet t’u ikim larg...
 
Po makthet janë të ndryshme: disa janë makthe që mbesin në kujtesë individuale e kolektive përgjithmonë! Disa ndodhin vetëm në ëndërr, ndërsa disa ndodhin edhe në njëmendësi! Shikojeni, dëgjojeni një makth të tillë për të cilin sjell kujtimin e tij të gjithmonshëm tragjik poeti Daniel Levers:
 
Ndodh në ëndërr:
që orkestra hapet, shpaloset
duart ngrihen lart-lart.
 
Ishte si në një ëndërr:
çdo gjë befas shuhet
në një heshtje morti pllakosur
Bataclani tani është veç makth:
trupat nuk lëvizin
e as dëgjojnë më...
 
Por, poezia është ilaç, në qoftë se për makthet mund të ketë ilaç! Ilaç që i shëron plagët! Që i mundë makthet:
 
I zgjuar ngrihesh
që të shkruash do fjalë
mu në pikë të natës
që të ndrydh,
që të shtrydh.
I zgjuar ngrihesh
që të flesh përulur n’tavolinë
pastaj i mundur kthehesh
në shtratin plot makthe.
Ndoshta gjiri i madh, skele
do të hapet më në fund
te nimfat pa parashikim?
 
Shpirtërorja
 
Në gjithësinë poetike të Daniel Leversit kemi edhe Prishtinën. Mendova njëherë se ai do të na dhurojë një pamje të jashtme, një harmoni, ta quaj arkitekturore të kryeqytetit të Kosovës. E mendova të tillë portretin e Prishtinës për arsye se numri i madh i portreteve poetike për qytete a kryeqytete të vendeve të ndryshme janë të tilla: arkitekturore. Por portreti i Prishtinës i Daniel Leversit është portret tjetër. Ai nuk e përshkruan Prishtinën si duket prej përjashta. Ai nuk i përshkruan ndërtesat, rrugët , sheshet, anësoret e saj sado të bukura a sado të veçata qofshin ato. Ai s’e paraqet moshën e Prishtinës. Ai s’na thotë se cili qytetërim duket më shumë në pamjen arkitekturore të Prishtinës: ai oriental a ai evropian. Ai nuk thotë sa ka në këtë arkitekturë realizëm, sa realizëm socialist, sa folklorizëm e sa modernizëm. Dhe të gjitha këto nuk na i thotë sepse ai, Daniel Leversi, do të na thotë diçka më të rëndësishme, diçka shumë ndikuese, shumë më përshtypjebërëse: ai do të na e zbulojë shpirtin e Prishtinës:
 
Prishtinë Prishtinë
shkul rrokjet e luftës përbrenda
Që shkallmuar e kanë këtë tokë të plagosur
 
Tash e tutje dashuria mund
të rifillojë jeta shlirë t’merr frymë
nga kufinjtë e thyer
Prishtinë Prishtinë.
 
Përpos Parisit dhe Prishtinës, në përmbledhjen e vjershave Zemër nate të Daniel Leversit kemi edhe Australinë, Sidnejin, Shën Luisin, abacinë Shale, qytetin danez Helsinger, një fshat pa emër. Të gjitha këto emërvende në poezinë e tij prodhojnë kujtime, kur kujtime e kur makthe, përjetime më të dëshiruara a më të mosduruara shpirtërore. Domethënë: ai na flet jo për pamjen, por për shpirtin e emërvendeve – si të njerëzve.
 
Përfundimi
 
Po ta përfundoj këtë shkrim.
Një shkrimtar, emri i të cilit nuk po më kujtohet, e ka thënë në një sprovë se :nuk është detyrë e letërsisë që të japë përgjigje; është e mjaftueshme që të shtrojë pyetje. Por, shkrimtarët, megjithatë, i kërkojnë përgjigjet dhe i kërkojnë sepse nuk do të shtronin pyetje po të mos kërkonin përgjigje. Prej vjershave të përmbledhjes me poezis të mrekullueshme Zemër nate po e veçoj këtë përgjigje që u ka dhënë pyetjeve të bëra me shumë mençuri, me shumë etikë e me shumë estetikë poeti Daniel Levers:
 
Jetën,
vërtet s’di ku ta gjejë,
ku ta vë fillin e saj të njëmendët.
 
Po ta gjenim aq lehtë jetën, në të vërtetë po ta kuptonim aq lehtë e shpejtë misterin e jetës, po ta dinim ta venim ku duhet e si duhet aq lehtë e shpejtë fillin e saj të njëmendët, po ta kuptonim e ta zbërthenim aq lehtë e shpejtë shumësinë e saj kozmike atëherë, ndoshta, nuk do të kishte nevojë të krijonim as shkencë, as poezi e arte të tjera e as filozofi.
Urime poet Daniel Levers!
Uroj që të na ngushëllosh edhe me vepra të reja poetike!