Zija Çela - TË PENGURIT E DASHURUAR

Zija Çela - TË PENGURIT E DASHURUAR
TË PENGURIT E DASHURUAR
 
Ç’është kjo vello përreth teje, vello që ngjall trisht, prej ekspresit po të vjen? Sa vite shkuan, sa vite, që bashkë një kafe të pimë sërish!
Po përse i biem kaq rrotull, përse nuk shihemi sy më sy dhe drejtpërdrejt ta pohojmë: Ndoshta e thënë ka qenë dikur: ti për mua, unë për ty. Ç’na hyri në mes që na ndaloi, ç’ishte mëdyshja e ngurrimi, ai ngurrim që na ngurosi?! Që duheshim bashkë patjetër e ndjenim, që do të ndaheshim ende s’na shkonte në mend.
Më mirë po hesht pa të vënë në siklet, pasi as unë nuk jam i sigurt: Do të shihemi prapë në të gjallë, apo rrugës do të bëjmë “sikur”? Sikur nuk të pashë, sikur nuk më pe, sikur as Zoti nuk sheh mbi ne.
Nëse më pyesin në botën tjetër ç’mëkat bëre ti, o plak, do them e desha për gjithë jetën, por u tregova burracak.
E vallë, ç’mund të thonë plot të tjerë si ne, ata të penguarit e dashuruar? Gur në qafë pengun do ta mbajnë, pa u kthyer kurrë kohë e shkuar.
Por ndoshta ka diku një botë, që s’është lëndore, as ka kufi, gjithë sa këtej nuk gjen shpjegim, n’atë yrt misteresh bie n’qetësi…