Dibran Fylli, MIRË MËNGJESI FLAMUR E SHQIPËRI

Dibran Fylli, MIRË MËNGJESI FLAMUR E SHQIPËRI
MIRË MËNGJESI FLAMUR E SHQIPËRI
(Shkëputur nga libri Hasan Prishtina, Ideolog i çështjes kombëtare)
 
Dielli kurrë nuk ka qenë më i bukur mbi Kalanë e Gurit dhe shtëpinë e Hasanit. Thonë kur u lind Hasani edhe hëna bëri më shumë dritë, po edhe yjet shndrisnin më mirë qiellin, Hasani i vogël e kishte mbushur djepin plot me faqe si molla. Rrezet e puthën si një copë krenarie të atdheut. Edhe dritaret edhe oborri morën shumë bukuri, dhomat morën më shumë aromë. Nëna e Hasanit dukej krenare si nëna e Gjon Buzukut dhe Teuta ilire... e puthi djalin e zemrës tri herë në ballë dhe afër djepit ngjyrë gruri ja la një copë lapsi, ndërsa gjyshi që dukej si një vetull mali; Haxhi Ali Veliqi ja la pushkën e gjyshit të gjyshit nga Palaci i Drenicës kreshnike me shekuj dhe epoka.
Thonë në Palac të babës të Hasanit tri ditë e tri net nuk ndaluan këngët dhe krismat. Edhe në Vushtrri kënga rriste këngën e Qyqavica përpinte krismat si malet, baladat dhe legjendat. Gjyshi i Hasanit, ende nuk dihet pse e gdhendi emrin Istref ?! në kondak të pushkës.
 
DOKUMENTET TREGOJNË:
Hasan Prishtina-Veliqi ishte mik i luftës dhe i zemrës me trimat e Kurpalëve. Kulla e kurpalëve ishte një kështjellë e pamposhtur që ka hyrë dhe ka mbetur nëpër kujtime e balada.
 
HISTORIA TREGON:
Një Komandant i huaj hungarez, shumë i lodhur dhe pa gjumë, u kishte thënë banorëve: “Hiqni këtë Kullë të Kurpalëve e shtyjeni më tutje në thellësi, se këtu veç telashe do të keni. Ju djeg e ju përcëllon llava e luftës”. Dervish Kurpali, luftëtar gjithë jetën, iu kishte përgjigjur: “Ne kemi mbirë nga toka bash në këtë vend bashkë me gurë, për me e luajt shtëpinë duhet me luajt krejt toka...”.
Për Kurpalët jeta ishte luftë e përditshme. E Hasan Prishtina kurrë nuk u nda prej tyre nëpër zjarre e furtuna. Hasan Prishtina edhe rrugës edhe maleve u jepte dritë. Hasan një herë lind nana në një mijë vjet. Me Hasan Prishtinën nuk mund të krahasohet askush as si dije as si bimë e atdheut. Krejt jetën dhe pasurinë i shkriu për të gjitha trojet e Ilirisë. Ai shumë e donte lirinë. Gjysmën e zemrës e kishte Kosovë e gjysmën tjetër Shqipëri. Shumë i donte malet dhe fushat e atdheut, e donte Çamërinë dhe detin, e donte Kalanë e Ulqinit dhe Kështjellën e Shkodrës. Shumë i pëlqente uji i Shalës të Bajgorës dhe pemët e Boletinit.
Në Vushtrri u rrit si pëllumb i Vlorës.
Shpeshherë u thoshte lisave të maleve: JU DUA! I pëlqente shumë plisi i bardhë i Ukshin Kovaçicës së vjetër dhe fjala e drejtë e vizioni i qartë i Hoxhë Rezallës...
As lumi Ibër as lumi Llap as Drini e Luma kurrë nuk e harrojnë...
 
THONË:
Dervish Kurpali tri herë ishte dënuar me vdekje nga Perandoria Osmane. Tri herë ju dogj shtëpia nga barbaria e egër armike. Tri vjet ishte në internim në Gjirokastër, bashkë me Bajram Kurpalin ishin miqësuar me plumba. Edhe ëndrrat i kishin me krisma. Shpeshherë kishin pirë ujë të ftohtë si akull te Kroi i Veliqëve të Palacit dhe në Vushtrri e në Boletin të Isait.
Hasani shumë e donte vendlindjen e gjyshit dhe të babës. I pëlqente shumë buka e misrit, po edhe kumbullat e bardha. Një grua e moçme e Prekazit i kishte thënë: “I pari i Palacit, Pali, kishte qenë nga Laçi-Pali i Lacit, një kreshnik i madh si Pjetër Shini.
Hasan Prishtina i kishte thënë Sulltanit në Stamboll: “Nëse ende më shtypet populli im, unë me ushtrinë time do ta djeg Ballkanin... Nuk do të durojmë kurrë më të shkelet mbi kurrizin e nipave dhe stërnipave të Skënderbeut”, thonë Sulltanit i kishte ndryshuar gjeografia e fytyrës.
Dihet, Toplica dhe Molla e Kuqe e Hasan Prishtinës ende lotojnë matanë kufirit. Hasan Prishtina duhet të ringjallet dhe të bashkohen të gjitha Trojet shqiptare. Shumë jemi lodhur nga zjarret dhe krismat e gjata. Shumë herë u dogj Palaci i gjyshit të Hasanit, edhe Prekazi i Adem Jasharit e i Tahir Mehës.
Hasan Prishtina shumë herë u thoshte edhe maleve: “Asgjë nuk guxon të hiqet nga trungu i lashtë, ndarje nuk guxon të ketë Iliria sepse ekziston vetëm një flamur me një shqiponjë të cilën e puthi Gjergj Kastrioti në Krujë dhe shumë trima të lirisë nëpër malet shqiptare.
Hasan Prishtina-Veliqi është një copë e madhe e diellit që do të bëjë dritë me shekuj e shekuj, me epoka dhe epoka. Është një roman dhe vepër e madhe e krejt gjeografisë së Atdheut. Ditari i Hasanit është një pjesë Bible më shumë dritë dhe dritare.
            -Le të hapet kjo Monografi e vogël për Hasanin e Madh që i gjallë
            hyri si Prometheu në Përmendore të të gjitha kohërave.
            -Le të përsëritet: Hasani e shkriu krejt pasurinë që Kosova të
            vishet me Këmishë të Dritës.
            -Le të shkrihet edhe një copë mali nga një shpirt i madh që ky
            libër për Hasan Prishtinën, Hasan Kosovën, Hasan Palacin,
            Hasan Shqipërinë të merrë udhën prej dore në dorë, prej zemre
            në zemër.
            -Mirëmëngjesi Diell, Hasani po bëhet një pjesë e jote!
            -Mirëmëngjesi Adem Jashari, edhe ti e kishe Hasan Prishtinën
            mësues të Artit e të Lirisë!
            -Mirëmëngjesi Flamur me dy ngjyra dhe një Shqiponjë!
            -Mirëmëngjesi Shqipëri Etnike!