Ndue Dragusha, Vështrim për librin shkencor të Suela Boçit

Ndue Dragusha, Vështrim për librin shkencor të Suela Boçit
NDUE DRAGUSHA
Mësues - Psikolog
 
“OPTIKA NDAJ CËNIMIT TË TË DREJTAVE TË NXËNËSVE”
 
-Studim Shkencor-
Me autore: Suela Boçi
 
Ky studim vjen para lexuesit si një vlerë e shtuar e studimeve psiko-pedagogjike, me qëllim ngritjen e nivelit të kulturës së mësimit dhe edukimit përmes një raporti shumë ekzigjent ndaj të drejtave të nxënësit dhe mësuesit, të prindit dhe mësuesit e nxënësit si dhe të nxënësit me nxënësin etj. Në këtë mes, studiuesja Suela Boçi ka fokusuar studimin e saj në raportet ndaj dhunës në shkollat tona (konkretisht në rrethin e Elbasanit), dëmin që sjell dhuna dhe masat që duhen ndërmarrë që në përgatitjen e mësuesve për të qenë garant psiko-pedagogjik në shkollë, me kompetencë shkencore për sigurinë e nxënësve.
Një studim i tillë është i rrallë dhe i domosdoshëm për vetë shkollën tonë, e cila duket se ndër vite e ka humbur disi fillin, duke lënë pas dore elementet kyçe të edukimit përmes njohjes dhe shtjellimit të formave dhe trajtimeve psiko-pedagogjike të nxënësve, të marrëdhënieve me nxënësit, të vështirësive që ndeshen në shkëputjen e hallkave të edukimit dhe të formimit shkencor, në raportet shkollë – komunitet etj.
Suela, në studimin e saj, na sjell fakte konkrete, dëshmi nga nxënësit dhe prindërit, bën një skaner të thellë përmes metodave të intervistimit, vëzhgimit, pyetësorit etj. dhe sjell një tabelë të qartë për të parë dhe kuptuar se çfarë ndikimi ka dhuna në shkollën tonë. Autorja thekson se studimi synon të jetë në thelb një studim i kombinuar cilësor dhe sasior dhe si i tillë të studiojë natyrën e dhunës ndaj fëmijëve në shkollë: me format, arsyet, pasojat, ushtruesit, intensitetin, qëndrimet, alternativat ndaj dhunës mbi nxënësit duke nxjerrë në pah prirjen si fenomen për të mos u shprehur për dhunën e ushtruar edhe kur ajo është e dukshme.
Shkolla dhe mësuesit e dinë shumë mirë se dhuna psikologjike shoqërohet me përjetime të pakëndshme, se i dhunuari humbet orientimin e tij, gjë e cila mund të bëhet shkaktare për të humbur gjithë pasionin dhe aftësitë e tij për të përballuar jetën, prandaj në libër theksohet se për të përballuar këtë gjendje me ndikim të fortë në jetën e personave të dhunuar, është bërë një përpjekje për të gërshetuar shkaqet, arsyet, pasojat me qëllim që të rroket problemi i dhunës në të gjithë kompleksitetin e tij. Shpesh ndeshet në jetën e përditshme, sidomos të karakterit dhe temperamentit të shqiptarit, se më lehtë e kemi që të fusim metodat tradicionale, duke anashkaluar respektimin e metodave shkencore, sepse mendojmë se kanë efekte më të shpejta dhe më zgjidhëse, duke harruar apo lënë me vetëdije në hije metodat shkencore që e përgatisin nxënësin për jetën. Dhe kjo varet nga personaliteti i mësuesit, aftësia e tij shkencore dhe pedagogjike, njohja e mirë e realiteteve sociale, për të përshtatur dhe edukimin shkencor në këtë raport.
Në studim u jepet përgjigje disa prej pyetjeve më themelore, si: - Cilat janë format e dhunës? - Cilat janë përmasat e saj? - Cilat janë arsyet pse dhunohen nxënësit? - Çfarë pasojash ka përdorimi i dhunës? - Cilët janë ushtruesit kryesorë të dhunës? - Sa e ashpër është dhuna që përdoret? - Çfarë qëndrimesh mbahen ndaj dhunës? - A kemi mbulim të mirë ligjor kundër përdorimit të dhunës? - A ekzistojnë programe që merren drejtpërdrejt me parandalimin, studimin, rehabilitimin, etj.?
            Por studiuesja Suela Boçi shtron dhe një pyetje thelbësore, si: A mund të zgjidhen të gjitha problemet e edukimit në jetën tonë pa dhunë?! Sigurisht kjo është një pyetje asgjësuese, për të cilën duhet të ndiehen fajtorë dhe prindërit, dhe mësuesit si dhe e gjithë shqoqëria jonë. Sigurisht që gjërat mund të zgjidhen pa dhunë, por me durim, me përgatitje shkencore, me dashuri për profesionin, me interesin për të rritur nivelin e prindërimit etj.

 

Pastaj renditen të gjitha llojet e dhunës psikologjike dhe fizike, trajtimi i tyre dhe raporti botëror mbi dhunën dhe shëndetin, duke e ditur se dhuna krijon gjendje somatiko-psikologjike të dëmshme për jetën, duke çuar kështu në dëmtime të thella psikologjike, keqzhvillim ose privim.
Studiuesja Suela Boçi, sjell me shumë kujdes se termi abuzim emocional ka të bëjë me braktisjen emocionale të mjaftueshme për të shkaktuar dëmtim në zhvillimin fizik ose patologjik të nxënësit. Abuzohet emocionalisht kur nxënësi fyhet, nuk stimulohet, lihet në harresë, i flitet me ton të ashpër, nuk dëgjohet me vëmendje, i ndërpritet iniciativa, tallet, përdoret ironia, abuzohet fizikisht, dekurajohet, i shkaktohet frikë dhe gjendje dëshpërimi.
Nga rezultatet e sondazhit të UNICEF-it, thekson studiuesja, u konkludua se nxënësit e përjetojnë dhunën nga ana e mësuesve si shkak kryesisht i mungesave pa arsye, sjelljes së papëlqyeshme, mospërmbushjen e detyrave të shkollës etj. Për më tepër, arsyet e ndëshkimit psikologjik të raportuara më shpesh, si nga mësuesit, po ashtu edhe nga nxënësit, janë ardhja me vonesë; të mosdëgjuarit e mësuesit; të folurit gjatë mësimit me synim prishjen e orës; çamçakëzi; mosveshja e uniformës së shkollës; sjellja jo e pëlqyeshme kundrejt shokëve të klasës etj.
Pra, siç e shohim nga përkufizimet, ndaj fëmijës mund të kryhen akte të cilat mund të shkaktojnë dëm në shëndetin mendor dhe në zhvillimin fizik, social madje edhe moral të fëmijës. Veprime të tilla përfshijnë: talljen, fajësimin, kërcënimin, trembjen, neglizhimin, diskriminimin, përqeshjen, ose forma të tjera të armiqësisë së një personi në përdorimin e kërcënimit me ndëshkim. Përdorimi i dhunës duket se shërben si instrument për disiplinim; si reagim ndaj mosbindjes; përdoret për të dekurajuar kërkesat që nuk ua plotësojnë dot, madje quhet i ligjshëm kur ata gënjejnë dhe shkelja e rregullave të vendosura nga të rriturit është shpesh motiv për ndëshkimin e fëmijës me dhunë.
Autorja thekson se “Dhuna psikologjike shfaq shenjat e para të saj që nga vështrimi jo miqësor e më tej ngritja e zërit e cila duket të jetë diçka e zakonshme në familje dhe në shkollë. Njerëzit e ngrenë zërin me qëllim që t'u imponohet të tjerëve dhe ky zakon mësohet që në moshë të re në shtëpi e pastaj përdoret gjerësisht në shkolla.Natyrisht, jo të gjithë bërtasin, por duket se mësuesit mendojnë që të bërtiturit nuk ka pasoja negative ose me sa duket zëri i ngritur është një mënyrë normale për të diskutuar. Të bërtiturit tregon mungesë qëndrueshmërie emocionale nga të rriturit. Personat e pyetur tregojnë se të bërtiturit përdoret si mjet disiplinimi si në shtëpi po ashtu dhe në shkolla. Të dhënat na bëjnë të ditur se format më të përhapura të dhunës psikologjike që përdoren në shkollë janë: bërtitja, kërcënimi me thirrjen e prindit, kërcënimi me fjalë, nofkat dhe epitetet ofenduese dhe ironizuese, kërcënimi me përzënie nga klasa, mëria, kërcënimi me denoncim, kërcënimi me rrahje, kërcënimi me objekt, kërcënimi me notë, kërcënimi me përjashtim nga shkolla. Abuzuesit në shkolla, të cilët mund të jenë mësuesit, edukatorët apo drejtorët, madje dhe rojet apo pastrueset, mund të përdorin dhe forma të tjera të dhunës psikologjike, të cilat janë: braktisja, izolimi, paniku ose frikësimi, injorimi, korruptimi, etj. “Flitet me të drejtë për shmangien e intensitetit të përdorimit të disa formave të dhunës psikologjike në shkollë, se me dhunë nuk arrihet suksesi, por, edhe po u arrit diçka, ai do të jetë i paqëndrueshëm dhe do të kthehet në të kundërtën e vet. Dhuna ndërtohet mbi ushtrimin e forcës së pajustifikueshme, mbi vënien e unit personal ose grupal, mbi të drejtat e vullnetin e të tjerëve duke ua imponuar me të gjitha mënyrat.”
            Përveç këtyre, ne e dimë se në shkolla nota ka një forcë të madhe dhe ndikimi i saj tek nxënësit dhe te prindërit është po ashtu i madh dhe më së shumti aty lindin dhe konfliktet mes nxënësve-prindërve me mësuesit. Prandaj dhe autorja sjell mendimet mbi shkaqet dhe arsyet e përdorimit të notës si mjet ndëshkimi për nxënësit. Ajo thekson se  niveli aktual i braktisjes së shkollës lidhet edhe me përdorimin abuzues ndaj notës e, më tej, me mënyrën se si trajtohet nxënësi në shkollë. Mbingarkimi i programit me lëndë të tepërta e shumë arsye të tjera bëjnë që notës t'i jepet një pushtet shumë më i madh nga ai që ajo ka e duhet të ketë sipas dispozitave normative dhe mendimit pedagogjik pas reformës arsimore.
Sharjet, nofkat, epitetet dhe përdorimi i ironisë janë një dhunim i cilësive personale të nxënësit. Përdorimi i sharjeve është tregues i raporteve të tensionuara të cilat çojnë në konflikt midis të rriturve dhe fëmijëve. Mallkimet që u bëhen fëmijëve janë të shumta dhe nuk mund të përshkruhen të gjitha dhe jo të gjitha përdoren nga mësuesit, por një i rritur i cili përdor sharje të tilla, vazhdimisht e zgjeron atë për të shfryrë dufin apo për të ndëshkuar fëmijën. Mund të përmendim: Të hëngërt mortja! Të shpëlaftë mortja!, Të hëngërt dreqi!,  Thefsh qafën ishalla!, Të raftë pika!, Ju vraftë gjumi!, Të vraftë e mira!, Të rëntë një kancer ishallah!, T'u mbylltë!, Vdeksh ishalla! Karakteri i këtyre mallkimeve është i rëndomtë, i egër, dominues, tronditës për dikë i cili mund të ndodhet aty rastësisht psh: një prind. Duke qenë se nofkat dhe etiketimet negative, synojnë më së shumti kapacitetet personale të fëmijëve, ato përbëjnë njëherësh edhe sulmin më serioz ndaj vetëvlerësimit personal. Ky konsiderohet prej nesh, si efekti më i rëndë i përdorimit të tyre në shkollë. Kategoritë e nofkave dhe të etiketimeve keqëse të fëmijëve lidhen me vlerësime të drejtpërdrejta të kapaciteteve të tyre, me krahasime me kafshë të rangut të ulët nga pikëpamja e inteligjencës, me pazotësi për t'u përgjigjur pyetjeve në mësim siç duhet. Karakteri i nofkave të përdorura për të etiketuar ose sharë nxënësit bëhet edhe më i mprehtë pasi niveli i cinizmit që ato përmbajnë, është shumë larg karakterit të institucionit të edukimit. Etiketimi i cilësive intelektuale në mënyrë masive në numrin shumës bën që efekti i tyre të shtrihet në një numër më të madh nxënësish dhe etiketimi i shprehur vetëm një herë dhe në numrin shumës ka efektin e përdorimit të tij aq herë sa është edhe numri i nxënësve në klasë.
Duhet të dimë të gjithë, dhe jo vetëm mësuesit, se të gjithë fëmijët janë të pajisur nga natyra që i ka krijuar me një “pasaportë” të veçantë diturie dhe aftësie pra, të gjithë fëmijët janë gjeni. Kjo nuk është fjalë për t’u kundërshtuar me hamendje, por një thënie filozofike dhe shkencore njëkohësisht, e provuar. Sa dhe si reagojmë ndaj kësaj gjëje? Sigurisht reagimet janë të ndryshme, por ajo që ka dominuar në shoqërinë shqiptare është përdorimi i dhunës. Dhe mendoj se, pikërisht ky ka qenë dhe motivi i studiueses Suela Boçi, që e ka frymëzuar për të trajtuar këtë temë interesante.
Albert Einstein ka thënë: “Nëse e gjykoni një peshk nga aftësia e tij për të ngjitur një pemë, ai do të jetojë gjithë jetën e tij duke besuar se është budalla.”
Dhe ne pyesim: -A duhet përdorur dhuna ndaj peshkut, i cili nuk e ka aftësinë për t’u ngjitur në pemë? Po ai ka një aftësi të jashtëzakonshme që të qëndrojë në ujë, të notojë shkëlqyeshëm. Kush e bën notin më mirë se ai?
Ja pra, dhe mësuesi, dhe prindi duhet t’i drejtohen kësaj logjike dhe jo logjikës së dhunës, e cila, përveçse afatshkurtër si rezultat, por është afatgjatë në çekuilibrin psikosomatik të individit të dhunuar.
Është e gabuar t'i gjykosh të gjithë sipas të njëjtit grup meritash, duke mos marrë parasysh aftësitë individuale, pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Çdo fëmijë duhet të njihet nga mësuesit dhe nga prindërit se cila është e veçanta dhe të lejohet të ndjekë interesat e veta dhe të zhvillojë aftësitë e tij më të forta. Por kurrë të ushtrohet dhunë psikologjike dhe, më e dëmshmja, dhuna fizike, në raste të veçanta. Sepse dihet se njeriu i lirë jep më shumë rezultat në aftësitë e tij për të punuar në atë që duam dhe mund të bëjmë, sesa kur e imponojmë për të punuar atë që nuk mund ta bëjë. Këtë duhet ta dinë dhe mësuesit, por edhe prindërit dhe të mos i nxisin fëmijët në mënyrë të dhunshme për të marrë patjetër veç nota të mira në të gjitha lëndët, duke u krijuar kështu një konfuzion psikologjik përmes dhunës së detyrimit për të bërë atë që nuk e bën dot.
Sistemi ynë arsimor duhet të synojë një edukim të tillë që nxjerr në pah gjeniun që fshihet brenda fëmijës, brenda mendjes dhe zemrës së tyre, duke ua mbushur shpirtin me dashuri për talentin që ka dhe jo të kundërtën, që ne shqiptarët e bëjmë shpesh, më së shumti dhe që dimë ta “bëjmë më mirë - dhunën”.
Prandaj, duke lexuar këtë libër, mendoj se studiuesja Suela Boçi ka meritën e të hapurit të një kapitulli të rëndësishëm në procesin e edukimit që të synojmë të nxjerrim nga shkolla njerëz të lirë, të orientuar nga aftësitë e secilit, sesa të nxjerrim nxënës të dhunuar nga paaftësia jonë për t’i kuptuar dhe zhvilluar këto talente. 
I uroj suksese studiueses Suela Boçi dhe inkurajojmë që ta çojë më tej studimin e saj me kërkime të reja në këtë fushë, duke shpresuar që “zëra”të tillë të mos mbyllen brenda faqeve të një libri, por të vihen praktikisht në jetë me programe afatgjata edukimi nga ana e ministrisë përkatëse.
 
Nga Ndue Dragusha