KËNGË PËR LUFTËTARIN E LIRISË
MBAS PËRFUNDIMIT TË LUFTËS
(Poezi e vitit 2003)
1.
Në fillim rreth tij u dashka të përhapet dyshimi,
(Në Kosovë thuhet se vetëm shqiptarët e vrarë qenkan të mirë),
Mbasi nuk është vrarë në luftë
U dashka të ketë një të kaluar të dyshimtë,
E mandej për të duhet të hartohen dosje të fshehta.
Po edhe vetë Luftëtari Dyshimin e shpall Hyjni të Botës:
I zbulon lajthitjet më të padukshme në vlerat e Lirisë.
2.
A e dini çka ndodh me Luftëtarin
Po pushoi së qeni luftëtar në kohë paqeje?
Kjo do të thotë të të shlyejnë nga të gjallët,
Atdheun ta shlyejnë nga Harta e Dheut.
Përpiqen t’ia shlyejnë emrin e kund të mos i gjendet
Sikur kurrë nuk ka ekzistuar, sikur nuk bën hije mbi dhé –
E vetë luftëtarin ta shndërrojnë në një album të gjallë
Të shtegtojë me të vdekurit
E me zgavrën e shpirtit të endet nëpër yje.
Mandej e tradhton Fjalën Liri,
Mandej e kaplon Harresa e Madhe
(o Zot, s’paska gjë më të rrezikshme se harresa),
Harron se te Fjala Liri banon Fjala Zot,
Këto dy fjalë patjetër
E kanë shëmbëlltyrën e Luftëtarit.
Mandej vërshon paqja me eprorët e mjerimit,
Me ligjet e paragrafet që nuk përbihen
E mandej vetë ai merr vesh se çka po ndodh me të –
Luftëtari përsëri zë të udhëtojë
Drejt të Padukshmes, drejt Itakës a drejt Atdheut.
3.
E dihet: vetëm një Luftëtar
E dëgjon atë zë, të zhytur shtatë pashë nën dhé,
Vetëm një luftëtar di të bisedojë e të qeshet me vdekjen
E thotë: nga honet e vdekjes po vij,
E thotë: ja, bëra një rrugë
Nga Vendi i Pushkatimit e deri te Burgu i Lirisë,
E thotë: ja, bëra një rrugë të shkurtër
Nga humnera dy dekadash
E deri te një pritë e zezë në paqe.
4.
E populli s’ka ç’të bëjë tjetër,
Veç t’i urojë shëndet Luftëtarit.
Njerëzit çuditen: e ku ka luftëtar jashtë rrezikut
E ku ka lufëtar që nuk përleshet me Jolirinë?
Sepse Liria ia merr të gjitha
Dhe e lë në të katër rrugët
E i thotë: po e merr në qafë veten, familjen dhe gruan.
Liria e gjorë, harroi
Se Atdheu e ndjek vetë prapa Luftëtarin
Qoftë edhe pas shtatë drynash.
5.
E dihet: vetëm një luftëtar
Di të ulet në gjunj para vetmisë
Si të ishte Lutësi më i Madh në botë
E pëshpërit një uratë betimi në heshtje
Që nuk mund të thuhet as në besë,
Mandej ngrihet e shkon në detyrën më të lavdishme,
Mandej kokën e tij e kërkojnë nga të katër anët,
E koka e rënë vjen mbas të gjitha humbjeve
E nga të gjitha humbjet ai zgjedh vetëm fitoren.
(E lexuar në Orën letrare në Klinë më 1 mars 2003 dhe në disa orë letrare ndër vite... E botuar në “Epoka e re” më 13 dhjetor 2003 dhe e publikuar në faqe interneti.)...