Nuri Ibrahim Plaku, Biorgafia-Cikël poetik (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)

Nuri Ibrahim Plaku, Biorgafia-Cikël poetik (Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta)
NURI IBRAHIM PLAKU
 
Nuri Ibrahim Plaku ka lindur në Marinëz, Fier më 10 dhjetor 1954. Është diplomuar në Universitetin “A. Xhuvani” Elbasan në degët gjuhë - letërsi shqipe dhe Histori - Gjeografi. Nuriu ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Tiranës për Master në Histori (MND). Gjithashtu ka punuar në Muzeun Historik të qytetit të Fierit fillimisht si specialist historie e më vonë si drejtues i këtij institucioni. Aktualisht Nuriu jeton familjarisht në Fier dhe ka dy fëmijë.
Me krijimtari letrare është marrë që në vitet e gjimnazit. Nuriu shkruan: poezi, tregime, ese, kritikë letrare dhe shkrime studimore në fushën historike.
Ka botuar këto libra:
1 - Brezi i humbur, poezi, Tiranë, 1999.
2 - Prangat e zogjve, poezi, Tiranë, 1999.
3 - Dhimbja e lisave, poezi, Tiranë, 2002.
4 - Kuajt mbretërorë, poemë për fëmijë, Tiranë, 2003.
5 - Qyteti pa statuja, ese, Tiranë, 2004.
6 - Furtuna blu, poezi, Tiranë, 2006.
7 - Jaka prej bryme, poezi, Tiranë, 2008.
8 - Kujtesa e humbur, kritika dhe studime letrare, Tiranë, 2009.
9 – Ekologjia e kulturës, ese, Tiranë, 2014.
10 – Bibla e udhëve të mia, poezi, Tiranë, 2014.
11 – Nata një kryq i bardhë dashurie, poezi të zgjedhura, Tiranë 2015.
12 – Rrapo Hekali dhe pasardhësit e një fisi martirësh, (bashkautorë - monografi, Tiranë 2017)
13 - Hysni Toska në fokus historik, monografi, Tiranë 2018.
14 - Ora e zezë e së martës, poemë, Tiranë 2020.
15 – Bukuroshja e Strumit, ese, Tiranë, 2021
Botime në gjuhë të huaj:
1 - “LACRIMA LUNII”, (Loti i hënës) poezi në gjuhën rumune, Bukuresht 2009.
 3 - “OKOLLYBPATHIK OD CLLAHA”(Jaka prej bryme), poezi në maqedonisht, Shkup 2012.
Ka botuar disa cikle me poezi dhe shkrime të ndryshme në gjuhë të huaj në këto revista letrare:
1 – “Oglinda literara”, Rumani
2 – “Vatra Veche”, Rumani
3 – “Osvit”, Kroaci.
4 – “Zadarska smotra”, Kroaci.
5 – “Nestor”, Poloni.
Botime të Nuriut në gjuhën shqipe në media brenda dhe jashtë vendit:
Janë botuar mbi 100 artikuj publicistikë dhe studimor në gazeta dhe revista të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit si: “Drita” “Fjala”, “Milosao”, “Republika”, “Panorama”, “Tirana Observër”, “Metropol”, “Gazeta 55”, “Dita”, “Sot”, “Telegraf”,“Kushtrim Brezash”, “Nacional”, “HAEMUS”, (Bukuresht), revista “PEGAS”, (Athinë), “Gazeta e Athinës”, “Bota sot”, “Epoka e re”, “Shkëndia”, etj.
Kumtesa:
Ka mbajtur kumtesa në disa konferenca shkencore, organizuar nga Universiteti “Fan Noli” Korçë, Instituti i Studimeve Historike, Tiranë, etj.
Nuri Ibrahim Plaku është përfshirë gjithashtu në disa antologji poetike brenda dhe jashtë vendit, si në gjuhën shqipe dhe ato të huaja.
 
GRUA E BUKUR
 
Grua e bukur që erdhe papritur
E më hodhe në sy
Një grusht me vetëtima stuhish,
Tashmë
Ti je brenda meje,
Kthyer në gur rrufeje
Dhe rëndon
Sa një lamtumirë.
Eja të puthemi me vdekjen para se të ikësh
Diku në shtigjet e mbushur me ulërima ujqërish,
Atje ku magjistarët
Kërkojnë
Gurët e rrallë të qiejve.
Në kafazin e gjoksit tim
Ulërin bisha e fatit
Me gurin e rrufesë në gojë.
Grua e bukur që erdhe papritur,
Merre atë gur para se të ikësh
Dhe hidhe diku
Në një lumë të ngrirë gjaku.
 
FJALË TË DEHURA
 
Një gotë verë në tavolinë
Më kujton gjithmonë ty,
Ty dhe Omar Khajamin e Orientit.
Ju vështroj të dyve dhe pi.
Pi dhe gjuhën e trashur e trash
Me shije vere dhe pak tradhti.
Se verërat ruajnë të fshehta si vreshtat,
Se vreshtat ruajnë të fshehta si femrat,
Se femrat ruajnë mallkime të fshehta
Për burra të dehur si unë.
Që iki e iki deri në mesjetë
Për të gjetur
Një grua të vërtetë.
 
VIRGJËRESHA
 
Është një fjollë e bardhë femre
Që s’pranon pagëzime emrash
E mbetet anonim.
Herë bëhet shtatore e denjë për paqe,
Herë bëhet vetull muzgu
Me qerpikë vetëtime.
Venë e vijnë rrotull saj
Burra të hijshëm,
Burra të përdalë,
Duke lypur nëpër udhë
Emra zonjash
Emra prostitutash.
Por ajo i braktis të gjithë
Në shpresën e tyre të fundit.
Unë do të shkojë larg,
Deri në bibël,
Të rrëmbej për të
Një emër mbretëreshe.
Se shpirti s’bëhet trup,
As trupi s’bëhet kurrë
Shpirt i vërtetë virgjëreshe.
 
PEMA E ZEMËRIMIT
 
Të kujtohet pema e gjelbër 
që flinte dikur në dorën tënde?
Ajo pemë me degëza të njoma, 
me sytha të brishtë,
Që unë e shkula nga një ëndërr e largët
E ta solla dhuratë për ditëlindje?
Ti e mbolle ndanë ujërave të vjeshtës.
Dhe pema u zgjua nga gjumi
E u bë fari i fushës sime
T’u tregonte udhën zogjve shtegtarë.
Lejlekët ndërtuan folenë në degët e saj,
Ndërsa ti ndeje udhët e dimrit
Të thaheshin nga balta e shirave.
Por pemën e braktisën ujërat papritur
Dhe ajo e etur gëlltiti hijen e vet.
Lejlekët ikën të zemëruar,
Ndërsa udhët u bënë pluhur
Të ushqenin
Erërat e uritura.
Edhe ti ike e zemëruar me lejlekët
Diku larg,
Në të tjera vende.
Dhe tashmë
Kushedi çfarë peme e gjelbër
Fle në dorën tënde!
 
Përgatiti dhe redaktoi Angela Kosta Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese