SI VAJZË E VALËVE...
Do të mbjellë për ty
Një lule të verdhë, më tha
...Dhe buzëqeshi e malluar...
Një diell të vogël
Të të qendroj mbi qerpikë
Të të perkedhel sytë
Të të ngroh shpirtin e dashuruar
Do të mbjellë për ty
Një lule të verdhë, më tha
...Me një zë të embëlsuar...
Një henë pjepër
Melankolike e mjaltë
Të të njomë buzët
Nga etja ime e pashuar
Do të mbjellë për ty
Një lule të verdhë, më tha
...Dhe loti fshehtas i ka pikuar...
Një vajzë valesh do të jem
Vesë do të behem
Mbi petale verdhoshe
Sipër diellit i ylbërizuar
Dhe unë si vajzë e valeve
Vajzë e ëndrrave të kaltërsisë
Çdo mëngjes pranë lulës
Të ujis diellin e dashurisë
TRILL I ÇASTIT
Mbeshtes shpatullën te mali i fshatit tim
Me mikun fisnik që kurrë s’e kam prishur
Me një trill të çuditshëm që më ka zënë sonte
Të pres sa të dalë hëna ime
Ashtu si dikur shtrirë në kashtën e lëmit
Ku shinte grurin gjyshi im
Kur unë i lutesha asaj të flinte me mua
Pres sa dielli të më shkel syrin
Duke tërhequr kurtinat e kuqe
Mbi skenën e kaltër të detit Jon
Dhe mali të më qetësoj pritjen
Më një melodi fyelli të incizuar
Poshtë rrapit madhështor të stanit
Nga buzët magjike të bariut plak
Fyelltari bari, më i miri i fyelltarëve
Fshati im e kish, mali e bujti bashkë me fyellin
Hënën pres, ta lus, ta zgjoj ,natën të magjeps
Hëna, që marrosej me të e harronte të perëndonte
Që melodinë ia ngjyente me ngjyrën e saj flori,
Atë dua të dëgjoj, me nostalgjinë mbështetur te mali
Mos e dëgjon edhe Zana ime, e vjen e më shuan mallin
MOSNDARJA…
Kjo shega ime iu dorëzua dimrit
Dhe u zhvesh krejt pa dashur para tij
E mbledhur kruspull rri pas gardhit
Hesht dhe ul sytë si i turpshmi fëmijë
Nuk e di si ngeli një kokërr sipër saj
Patjetër, një degë e fshehu me merak
U ashpërsua, u rrudh lëkura nga durimi
Por zemrën ama, ia mbajti të kuqe, flakë
Nga veriu seç fryu erë murlani e fortë
Me terë inat e shkundi të marrën degë
Nuk e lëshoi e nuk e lëshoi aspak ajo
Si birin e vetëm e shtrëngoi atë shegë