NIKU RAMOLLARI
GRYKA (ngjarje reale...)
Më ka ngelur akoma dhe sot imazhi i asaj gruaje.
Madje, sa të jem gjallë s'kam për ta harruar.
Ishte rreth të pesëdhjetave. I përkiste komunitetit egjiptian.
Fytyra e saj dhe pse shpesh e qeshur fshihte brënda vetes sa e sa brenga. Kishte tre djem mesa mbaj mend. Qofsha i gabuar.
Rruga për të shkuar në shtëpinë e saj kalonte nga banesa ime. Sot ajo banesë është kthyer në një gërmadhë. Aty rrita dy fëmijët e mi për 15 vite rrjesht në kushte lagështire të tmerrshme.
Ndoshta ata i bën ballë por unë nuk rezistova dot. U sëmura rëndë ndaj më shtruan në Sanatorium në gjëndje kritike.
Shaqja, se kështu e thërrisnin atë grua të urtë e pa fjalë e kish bërë zakon të ulej në një bordur ure që ishte rreth 20 metra nga banesa ime dhe pranë një kioske përshtatur si dyqan dhe kafene lagjeje. Sa herë vija i lodhur do ulesha në atë kafene dhe do kaloja pak kohë aty duke rrëkëlluar ndonjë kupë raki me laps e letër në dorë. Shaqja ishte në vështirësi ekonomike.
Ishte shëndet ligë por kurrë nuk ankohej.
E kisha bërë si zakon që njëherë në muaj, i mbushja një qese me ushqime dhe ia dhuroja.
Nuk e di pse, por ajo më kishte hyrë në zemër.
Ndoshta bëj gabim të them se më dhimsej por ja që nuk di si të shprehem ndryshe.
Një natë si gjithë netët e tjera, shkova tek dyqan-kafeneja pa asnjë lek në xhep. Më pihej një gotë raki. Ndoshta më shumë se mbrëmjet e tjera kisha nevoj t'i rrëkëlleja disa gota.
Kisha mbi tre javë që ishim rënduar ekonomikisht. Nuk kishte shkelur në mobilerinë time këmbë njëriu prej dy muajsh.
Isha katandisur keq e më keq shpirtërisht.
Mbanim frymën me makarona tre vakte rresht.
E pash Shaqen ulur dhe i kalova pranë pa i folur dhe me sytë drejtuar nga qielli.
Por me bisht të syrit isha tek ajo siluetë aty ulur, è heshtur dhe që nuk ndjehej.
Unë e kam pasur si natyrë që kur nuk kisha lekë, nuk porositja pa marrë dhe aprovimin e të zotit të kafenesë. I them: Sot jam ngushtë, do më shërbesh e t'i sjell paratë në rastin më të parë?
Isha ulur në një nga dy tavolinat që mbante jasht barakes. Shaqja ishte me kurriz nga mua dhe thirri: - O Mefo!
Më tërhoqi vëmendjen ai zë dhe po e ndiqja në veprimet e saj.
I zoti i dyqanit u afrua dhe ajo nxorri një qese të zezë me gjalmë tek gryka dhe e hapi.
Ishte e vogël dhe dallohej fare lehtë çfarë kishte brenda dhe jashtë aj.
- Merri këto para dhe na mbush dy dopjo me Nikun, - iu drejtua të zotit të barakes.
- Sot do pimë bashkë.
M'u mbushën syt me lot dhe tani që po e shkruaj.
U afrua dhe u ul në karriken tjetër në një tavolinë me mua.
- Çbën?- e pyta.
- Hesht! Kam fjetur edhe disa net rradhazi pa ngrënë o Nik, - m'u përgjigj.
Teksa tha ashtu, nxorri dy mijë lekshin dhe i mbylli grykën qeses bosh. Por gryka ime e ndjen ende sot atë djegësirë që kaloi nëpër të.
- O Nik, kjo është buka e shpirtit sot për ty. Pimë dhe sot, e në gjum, do jemi në pallatin e ëndrrave.
Pi Nik, pi e mos bëj zë. Motra të ka zemër.
Dhe sot që ajo nuk jeton më më buçasin në vesh ato fjalë.
- Pi, Nik, pi...
(Redaktoi: Angela Kosta)