23. NDIKIMI I GËNJESHTRAVE NË PERSONALITETIN TONË
Personaliteti i njeriut është një tërësi e organizuar tiparesh të dala nga inteligjenca konjiktive, inteligjenca emocionale dhe instinktive. Sipas librit “Leksion i Psikologjisë” të autorit Pajazit Nushi: “Është tërësi e organizuar tiparesh karakteristike dhe të papërsëritshme të konstruktit trupor, të inteligjencës, karakterit, temperamentit, të sistemit të qëndrimeve, të motiveve, të vlerave dhe të sjelljeve relativisht të qëndrueshme dhe konsekuente të individit që ka komponente të lindura (gjenetike) dhe zhvillohet në bashkëveprim me faktorët personal social -kulturor të një mjedisi të caktuar”. Autori e pranon se një përkufizim i tillë është përcaktuar nga shumë përkufizime për personalitetin; që sillen diku rreth 50. Nga tri përkufizime të këtij autori po e veçoj një të L.A. Pervinit: “Tërësi strukturore dhe dinamike e tipareve të individit që manifestohet në reagimet karakteristike ndaj situatave”.
Pavarësisht kësaj që u tha më sipër në shkencat e psikologjisë nuk ka definicion të saktë për personalitetin, sepse psikologjia si shkencë në bazë të literaturës, konstaton se dy të tretat e informacioneve të kësaj fushe i përkasin periudhës 2004 -2007. Pra psikologjia jo vetëm në fushën e psikologjisë së personalitetit, por dhe më gjerë është shkencë që po evoluon me shpejtësi.
Në librin “PSIKOLOGJIA” të Charles G. Morris, Albert A. Mesto në të cilën janë trajtuar shumë çështje të psikologjisë dhe personalitetit në fund të këtij libri shtrohen disa pyetje për pesë çështje bazë, që disa po i potencoj më poshtë:
- “Në ç’masë ndikohet sjellja nga procese që ndodhin brenda personit, si mendimet, emocionet dhe gjenet?
Në ç’masë ndikohet apo shkaktohet sjellja nga faktorët jashtë personit”?
- “A është njeriu produkt i prirjeve të brendshme e të lindura, apo një pasqyrim i përjetimeve të mjedisit në të cilin rritet e edukohet”?
- “A janë cilësitë që zhvillojmë në fëmijëri pak a shumtë të fiksuara dhe të përhershme, apo vazhdojmë të ndryshojmë në mënyra të parashikueshme (dhe të paparashikueshme) gjatë gjithë jetës”?
- “ Shumë psikologë janë të magjepsur nga lidhja midis përjetimeve dhe proceseve biologjike”?
I prezantova këto pyetje për të pasur mundësinë që çdo lexues të ketë mundësi të përsiatet rreth këtyre çështjeve. Unë mendoj se shkenca e psikologjisë në të ardhmen do të japë shpjegime me të sakta si nga aspekti fiziologjik dhe patologjik, por dhe të caktoj masën se sa disa faktor përcaktues të theksuar në këto pyetje ndikojnë në personalitetin tonë.
P.sh. te libri “INTUITA” – autor OSHO ai ka rreth arsyes dhe intuitës këtë koncept: “Kur të jetë shterur arsyeja, vepron intuita”.
Intuita e cila zbaton informacionet e ruajtura me një inteligjencë të lartë në mendjet tona. Informacione, dije, vlerësime, njohje që i sistemon në mendjen tonë të pavetëdijshme dhe të ndërgjegjshme në mes të logjikës dhe instinktit, që mund të quhet një program biologjik i ndërtuar në ne që nga lindja e deri në moshën më të shtyrë. Intuita është pjesë e egos gjegjësisht UN-it tonë, derisa ego sipas teorisë së Frojdit është pjesë e personalitetit që ndërmjetëson midis kërkesave të realitetit të mjedisit jetësor, ndërgjegjes si pjesë e superegos dhe nevojave të nxitura nga instinktet (id). Superegoja ndërtohet nga standardet sociale dhe prindërore që individi i ka bërë si të vetat ku hynë ndërgjegjja dhe ideali i egos.
Ideali i egos pjesë e superegos, që përbëhet nga standardet me të cilat dikujt i pëlqen të jetoj.
Egoja, superegoja dhe id – i, këto të tria janë si pjesërisht të vetëdijshme, pjesërisht të pavetëdijshme (materiale dhe informacione që kujtohen me lehtësi), pjesërisht të pavetëdijshme duke përjashtuar Id – in si strukturë e pavetëdijshme (si një grumbull i nxitjeve dhe dëshirave të pavetëdijshme që kërkojnë për t’u shprehur). Hasim në literaturë diçka të ngjashme, duke ndarë vetëdijen si pjesë e mendjes që prodhon mendime, përjetime ndijore të cilat për ne janë të vetëdijshme, përmes së cilës kuptojmë në harmoni me ngritjen tonë intelektuale veprimet tona të mbështetura në dijet dhe të kuptuarit të vetes tonë dhe të tjerëve duke përfshirë dhe gjendjen emocionale – ndjenjat duke u mbështetur në realitet dhe duke vepruar me këtë parim.
Ndërdija si e pavetëdijshme dhe e paravetëdijshme e cila ka të sistemuara të gjitha informacionet, vlerësimet, përceptimet në memorien e saj madhore. Një sistemim superinteligjent që nuk mund të quajmë ndryshe sepse bëhet pa pjesëmarrjen e vetëdijes tonë ku arsyeja dhe inteligjenca jonë nuk marrin pjesë. Këto janë informacione që i shfrytëzojmë kur na duhen për të bërë veprime të arsyeshme qoftë përmes intuitës apo dhe pas analizave të vetëdijshme në krijimtaritë tona shkencore deri në veprimet më të thjeshta. Disa informacione nga ndërdija lehtë i kujtojmë, disa me vështirësi varësisht kujtesës dhe shkallës së përqendrimit, durimit dhe mënyrës si i kërkojmë ato! Ligji i marrje – dhënies funksionon në mes të vetëdijes dhe ndërdijes – pavetëdijes, që lartëson individin në proporcion me lehtësinë e bashkëveprimit të dy këtyre makro sistemeve në mendjen tonë madhore.
Për emocionet gjegjësisht inteligjencën emocionale – ndjenjat, kanë filluar trajtime më serioze, nga fundi i shekullit 20 diku që nga viti 1995 dhe më intensivisht në shekullin e 21-të. IE u vlerësua në atë masë sa ka konstatime (jo të qëndrueshme dhe të paarsyetuara me fakte) se deri 80% kontribuon në jetë dhe vetëm 20% inteligjenca tradicionale akademike – inteligjenca konjiktive. Këto dy sisteme janë ngushtë të lidhura dhe në zhvillimin e sotëm mendor, të mendosh se bënë njëra pa tjetrën është një mashtrim i rëndë! Për të qenë të qartë se këta janë dy faktorë esencial për jetën njerëzore. Po e ilustroj me thëniet: Se një njeri ka ardhur në aso situate që nuk kupton më gjë; si tipar i IK, dhe se është në aso situate që nuk ndjen më asgjë që i përket IE, që është e njëjta gjë, sepse edhe për rastin e parë, dhe për të dytin mund të thuhet se një njeri tash ngjason në një bimë. Nga këto dy bota IK zgjuarsisë dhe njohjeve dhe botës së ndjenjave (botës emocionale) – IE, dalin tiparet e ndryshme esenciale dhe nëntipare. Në librin tim “Personaliteti Ynë” të botuar në 2015, faqe 401 janë trajtuar 60 tipare esenciale të lidhura ngushtë me ndjenjat dhe dituritë – njohjet të kuptuara mirë nga ne, por dhe për konstruktin tonë trupor në një temë të posaçme dhe shumë e gjerë ku marrin pjesë të gjitha sistemet e saj, por që nuk mund të përjashtohen nga vlera e personalitetit tonë. P.sh. ne na rriten flokët dhe thonjtë pa vetëdijen tonë, nga një sistem autonom, por ka disa norma morale se sa duhet t’i lëmë thonjtë të gjatë nga aspekti estetik pa hyrë në aspektin shëndetësor, ngjashëm është dhe me flokë. Këto norma morale dallojnë nga një vend në tjetrin, por prapë kanë një limit. Çdo gjë që shihet me sy si p.sh. një lëkurë e pastër dhe e mirëmbajtur, lëvizjet jo harmonike të nxitura nga sistemi nervor i tërë trupit dhe organeve, lënë përshtypje jo të mira për ne nga vëzhguesit tonë, dhe çka është ende me rëndësi se këto sisteme kryesisht autonome në suaza të natyrshme sigurojnë që të kemi një shëndet të mirë. Frojdi e ka një thënie se: “Anatomia është fati ynë”. Siç shihet personaliteti është më kompleks se sa që e trajton psikologjia! Dhe ashtu si e kemi të ndërtuar ashtu do e përdorim gënjeshtrën dhe tiparet e tjera.
Duke njohur në masë të caktuar problemet psikologjike dhe ndryshimet për të keq të tipareve esenciale, dhe mbështetur në urtësinë e të parëve tanë të bartura në formë gojore gjeneratë pas gjenerate (sepse nuk mundëm që t’i lënë me shkrim për shkak të rrethanave historike…), për fat mbetën shumë dituri, një nga to dhe fjala “shko me njëqind parë mend”, që i është drejtuar një personi nga personi kompetent për të kryer një punë. Pra, vërjani mendjen njëqind parë mend çka do të thotë praktikisht: rrej dhe mos rrej, frikësohu dhe mos u frikëso, dëshiro, por mos dëshiro, mëshiro dhe mos mëshiro, duro por mos duro, fol por dhe heshtë, shpejto por dhe ngadalëso e plotë të tjera, veprime këto që duhen të bëhen varësisht situatave, njerëzve dhe rrethanave të tjera. Pse janë trajtuar 60 tipare esenciale? Sepse përmbajtja e tyre kryesisht është gjenetike. Nuk mund të zëmë dituri dhe njohje të thella pa zgjuarsi e cila anon kryesisht kah gjenetika, Njëzet parë mend janë dije akademike kryesisht për të ushtruar veprimtaritë profesionale dhe njëzet të tjera janë dijet e zëna nga përvoja për të përsosur dhe për të mos gabuar gjatë ushtrimit të veprimtarive dhe sjelljeve që janë të dëshmuara në bazë të përvojës si të duhura, dhe të gjitha së bashku bëjnë njëqind parë mend. Këto dyzet të fundit në masë të konsiderueshme janë në bashkëveprim me gjashtëdhjetë parë mendje.
Për të shpalos më në detaje botën njerëzore vendosa që për tiparet esenciale të shkruaj një libër, pasi që në librin “PERSONALITETI YNË” janë dhënë shpjegime bazike e jo të detajuara. Kështu në vitin 2020 botova librin për MËSHIRËN (me dy vëllime “MËSHIRA I” dhe “MËSHIRA II” me f. 399), “DËSHIRA” në vitin 2022, f. 299 dhe tani në këtë libër GËNJESHTRA – RRENA. Sigurisht që për një jetë njeriu, nuk mund të shkruhen libra të detajuara për gjashtëdhjetë tiparet esenciale, dhe nëntiparet tjera që janë të bollshme.
Tiparet esenciale dhe nëntiparet (në të cilën në mënyrë të tërthorët janë ngushtë të lidhura dhe veprimet e sjellje të natyrshme), janë në bashkëveprim. Ato nuk veprojnë si të veçanta. Këtë do e shohim në këtë libër, se gënjeshtrat janë të lidhura me tipare esenciale me jo sinqeritetin dhe sinqeritetin, të pavërtetën dhe të vërtetën, besimin dhe jo besimin si rrjedhojë dhe me mashtrimin, përvetësimin, konkurrencën (veprimet që bëhen në emër të saj), tolerancën, arsyen dhe diturinë, krimin (veprime që bëhen lidhur me të), kureshtjen, karrierën (veprime që bëhen lidhur me të), dëshmimin (veprime që bëhen lidhura me të), lavdërimin dhe mburrjen, frikën, dashurinë, me prestigjin (veprime që bëhen të lidhura me të), pendesën, sekretin, vetëmbrojtjen dhe tipare esenciale e nëntipare apo veprime tjera të përfshira në temat e shtjelluara në këtë libër.
Asnjë tipar nuk është vetëm i zi (i keq) apo i bardhë (i mirë), ato janë të ndërtuara nga gjenetika dhe edukimi ynë. Nëse i përdorim për të mirë atëherë do të ndërtojmë një personalitet të ndritshëm, të respektuar, do të jemi të nderuar, të dashur etj. Ne jemi ata që do të përzgjedhim çka do të jemi, shkurt: të urryer apo të dashur.
Kurdo që e dëgjojmë fjalën gënjeshtër disi na vret veshin dhe ndjehemi keq, por kur analizojmë thellë shohim se gënjeshtrat e bardha kanë të bëjnë me pjesën e ndritshme të personalitetit tonë. Me që njerëzit kanë prirje të bëjnë dhe vepra të këqija atëherë përdorim gënjeshtrën për t’u bërë keq të tjerëve me vetëdije apo pa të, ata anojnë kah një personalitet i errët duke u bërë të padëshiruar për të tjerët, sepse dëshirojnë të keqen të tjerëve, andaj nuk mund të ikim nga ligji, shkak – pasojë, gjegjësisht veprim – kundërveprim. Për fat të mirë të tillët janë të pakët, sepse po të ishin njerëzit që gënjeshtrën e përdorin vetëm për të bërë keq, do të vihej në pyetje ekzistenca e species njerëzore! Edhe këta të pakët përkundër që ndëshkohen nga vet rrethi ku jetojnë dhe ligji, janë të dëmshëm për shoqërinë. Nuk duhet çuditur, ani pse është paradoksale; që ka krijesa të tilla “njerëzore” që vetëm të këqijat u ngjallin kënaqësi, veçori kjo që ju përket njerëzve me egoizëm të lartë dhe të guximshëm për të bërë keq, por jo dhe trima sepse mbi guximin duhet të qëndroj një mendje e ndritur për të qenë trim. Arthur Calwll e ka një thënie: “Më mirë të humbësh në parime se të fitosh me gënjeshtra”. Çka do të thotë kjo? Se kur një njeri është pajtuar me një humbje, qoftë materiale apo të tjera, ai pasi nuk ka lëshuar pe nga parimet e veta nga UN-i i tij, do të mbetet i çmuar. I tilli ka mundësi shumë reale që të kompensoj humbjen, derisa nëse humb pasurinë apo diçka tjetër të fituar me gënjeshtra, kurrë më nuk mund ta kompensoj. Kjo është një humbje e vogël në krahasim me atë që kur i bie maska e gënjeshtrës i njolloset personaliteti i tij si humbje mbi humbjen!
Për të parë se sa janë të lidhura ngushtë dhe çka shpaloset nga një gënjeshtër e keqe do të përqendrohem vetëm në dy tema ku është potencuar dëshmia e rreme dhe përvetësimi.
Nuk do mend se dëshmia e rreme është krim – një veprim kriminal. Shtrohet pyetja kush mund të bëjë këso vepra? Vepra të tilla mund të bëjë një njeri që i ka të çrregulluara apo të humbura tiparet esenciale si: E përdor gënjeshtrën duke ikur nga e vërteta, nuk ndjen dhembje, nuk brengoset, ka dëshira për të bërë keq, mungesën e dashjes së njerëzve – dashurinë, egoizmin që të mos mendoj për të tjerët, interesin e përdor për përfitime personale, nuk merakoset për pësimet e të tjerëve, i mungon mëshira që e zëvendëson me pamëshirësi, e ka të humbur nderin, nuk është i sinqertë, ka hequr dorë nga turpi dhe çrregullime të nëntipareve të tjera, që më e rëndësishme është një edukatë në tërësi e mbrapshtë. Kur një i tillë humb tipare me vlera të larta njerëzore, ai ka përzgjedh të ketë një personalitet të errët, që ka zëvendësuar emrin e vet dhe ka zgjedh të quhet kriminel.
Përvetësimi është një term më i gjerë, por në kuadër të saj hyn dhe hajni i cili përvetëson padrejtësisht përmes vjedhjeve, të mirat materiale dhe paratë e të tjerëve. Çka është ky njeri dhe çfarë tipare esenciale i ka deformuar gjegjësisht i keqpërdor: Këtij i mungon ose i keqpërdor thuaja të gjitha tiparet që u cekën për dëshmitarin e rrejshëm. Një hajn gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie përdor dhe veprime tjera nga mungesa e edukatës dhe mëshirës; arrogancën, dhunën, nxit konflikte për të realizuar qëllimet e veta deri në vrasje, përdor mashtrimin dhe dinakërinë, shkelë rregullat dhe vepron kundërligjshëm, përzgjedh të vjedh të paaftit që të mos ketë pasoja për pasurim të pandershëm e të turpshëm. Një njeri i tillë tashmë nuk ka emër të vetin, atë tash e quajnë hajn. Një hajn dhe një dëshmitar i rrejshëm nuk mund të quhen njerëzor, por jonjerëzor, me një personalitet tërësisht të rrënuar.
Ne nuk presim që të kemi njerëz të përsosur, por një njeri i ditur dhe mirë i edukuar me një pjekuri të duhur emocionale, do të di të mos kaloj limitet për të rrezikuar personalitetin e tij, përkundër që ka të meta të caktuara, por jo që të pësojnë të tjerët nga veprimet e tij në masë të pa tolerueshme, andaj dhe personaliteti i njerëzve ka grada!
Nuk kemi gënjeshtra të këqija e që nuk pason me ndryshim personaliteti, që vetëm sa rrisin gënjimin deri në atë masë sa që më nuk mund të flitet për personalitetin njerëzor.
Shumë nga gënjeshtrat e këqija duke luftuar që demaskimi i tyre e bënë të dukshme të vërtetën nga e cila do të pësojmë, paraqet barrë duke qenë në shumë çaste nën stres, ankth e brengosje, që shkakton çrregullim psiko – somatik në të cilin ka sëmundje fizike reale të shkaktuara nga faktorët psikologjik, siç janë stresi dhe ankthi etj.
Meditoni dhe përzgjidheni rrugën e jetës tuaj, të keni një personalitet të ndritshëm apo një personalitet të çrregulluar me pasoja për shëndetin tuaj dhe me ndëshkime të tjera prej më të ndryshmeve.
DISA FJALË RRETH TEMËS
- Ai që ushqehet me rrena, rrena di të pjell.
- Janë disa vepra të shëmtuara, kur sprovohet njeriu gjatë jetës; që kanë mundësi të rrënojnë tërë kujdesin dhe përpjekjet për të qenë një njeri me personalitet të ndritur.
- Bëhuni të vëmendshëm që me forcën e arsyes, të mos e sillni veten në situata afektoze që t’jua turbullojnë mendjen.
- Po zotëroj ndërgjegjja e juaj mbi ju, është një garantë të ruani personalitetin tuaj.
- Nuk ndërtohet personaliteti juaj i ndritshëm, nëse kah të silleni u dalin paratë para syve!
- Një personalitet i mirë, nuk ndërtohet as mbi fjalët e juaja të bukura as nga pamja juaj, por nga veprat e mira.
- Dëshmia e rreme të rrënon personalitetin.
- Mbi të vërtetën ndërtohet personaliteti i mirë, mbi gënjeshtrën personalitet i çrregulluar.
- Një njeri mund të quhet i përsosur nëse të gjitha veprimet që i bënë kur është vet, i bënë dhe para publikut!
- Ai që ka thesare të diturive të larta me vlera të çmuara, nuk i duhet as një e mirë që i sjell një gënjeshtër e keqe.
- Tradhtia e bërë nga gënjimet, përdhos personalitetin!
- Mos dëgjoni fjalët e gënjeshtarëve çka flasin për ju, ato mund t’u luhasin, por këto luhatje i amortizon e vërteta e sinqertë mbi të cilën keni qëndruar dhe vazhdoni të qëndroni!
- Vini fre emocioneve të juaja që të keni siguri që personaliteti juaj të jetë stabël!
- Pjekuria emocionale mobilizon resurset për sjelljet tona të drejta dhe hap rrugë që të veprojmë mbi bazën arsyes dhe logjikës duke vazhduar me vepra të mira për një personalitet të mirë!
- Pa qenë i aftë ta njohim veten në aspektin e përjetimeve (empatisë) të emocioneve personale duke ndjerë si tjetri i përjeton emocionalisht problemet e caktuara, nuk do të zotëroj mëshira dhe ndihma e duhur mbi të tjerët. Kështu kemi mungesë të një faktori të rëndësishëm për personalitetin tonë.
- Një rreth i shëndetshëm dhe një pushtet mbi të cilin sundon drejtësia, na lehtëson rrugën për të qenë të dinjitetshëm, pa na cenuar personalitetin tonë, duke luftuar shpifjet dhe gënjeshtrat e etiketimet.
- Nëse nuk e luftojmë të keqen jemi të humbur, nëse e luftojmë edhe nëse pësojmë kemi fytyrë të dalim para botës!
- Ekuilibri i jetës sonë emotive arrihet duke qenë fleksibil që të përshtatemi sfidave jetësore duke përballuar ato, kështu sigurojmë balancë dhe harmoni (e jo disharmoni) e cila na jep qetësi të nevojshme që mendja jonë të jetë e kthjellët për të ndërtuar një personalitet të qëndrueshëm.
- Atij që gënjimi i është bërë shprehi nuk mund të ndërtoj një personalitet të drejtë dhe të mirë, për shkak se nuk di më as ai vet kush është!
- Një mendje e ndritur dhe një sy i mprehtë, e gjen vendin e vet aty ku i takon, pa qenë i përbuzur nga të tjerët!
- Nuk mund të bëhen vepra të këqija, pa pasur një mendje dinake e zemër të keqe!
FJALË TË URTA
“Njeriu nga pjesa tjetër e natyrës dallon, sidomos nga një shtresë gënjeshtrash qe e mbështjell dhe e mbron”!
Hermann Hesse
2. “Jeta është shumë e shkurtër, por e vërteta punon në largpamësi që rron shumë gjatë”!
A. Schopenhauer
3. Ashtu si zjarri i hedhur në ujë që shuhet dhe mbaron, ashtu edhe akuza e rreme kur bëhet kundër një karakteri të dëlirë dhe të shenjtë, avullon dhe zhduket menjëherë”!
A. Schopenhauer
Përgatit: Abdullah Troshupa