HELMETAT SERBE GRI
Në vjeshtë të vitit 1992
dera e shtëpisë në Lagjen “Dardania”
të Prishtinës në kthetra robërie pllakosur
shtyhet me furi
nga policë serbë uniformash gri
me fytyra të egërsuara urrejtëse
e me tyta pushkësh në gatishmëri.
-Ku e ke djalin?
trego ku e ke fshehur ti,
urgjent i është lëshuar thirrja
për të shkuar në ushtri.
O Zot! Kurrë mos e thuaj!
Njomëcaku im shtatëhedhur,
Sytrimi vetullharkor
në ushtri të huaj!
-Jo, kurrë!
Për ushtrinë tuaj vrastare
nuk kam rritur djalë,
i popullit të vet
do të bëhet ushtar.
Të tërbuar dhe plot vrerë
barbarisht shkelën shtrojet modeste,
përmbysën libra e shkresa shkencore
dhe morën shumë gjëra me vlerë.
Dollapët i thyen
e thasët e miellit i shkyen
mbi kokat e fëmijëve
derdhnin vajin curril
e vogëlushët sypatrmbur
barbarizmin e tyre e fyen.
Atë natë tmerri
me shungullima trishtuese,
kur shtëpia qe rrethuar
me përforcime banale
vrerosur doli nga shtëpia
për të kaluar fushë e male.
Vetëm 17 pranvera i kishte
kur e putha në ballë me mall
bekuar me afshin e zemrës.
Në ndarje të kreshpëruar
premtimi për kthim
në mbrojtje të tokës që e lindi
ngushëllim.
-Poezi nga libri ”Kohë flakadanësh të lirisë”-Naxhije Doçi–Prishtinë-2012,
(I përkthyer edhe në anglisht)
NË PRISHTINË GJETA NGROHTËSI AGU
Netëve të heshtura nga pagjumësi e stisur
kohët flakërojnë të dallgëzuara në kujtime,
sprovë frymëzimi me etje rrëzëllimi
për afrim largësish të tretura
mbi copëza jete me peshë të rëndë përjetimi.
Rinisë sime vrullit në haperime
në Prishtinë erdha nga Therandë e bekuar
me thellësi të dëshmuar lashtësie
e histori të flakëruar krenarie.
Në qytetin e ëndrrave për dritësirë,
në Prishtinën me etje agu
stinëve në panumërim
gjeta ngrohtësi zemre krahasimit të rrallë,
përkrahjen me sy pranvere në rrjedha jete
edhe nëpër frymimin e ngulfatur
se jetonim në robëri të gjatë
si Kosovë rrënjësore dhe si etni
nga pushtues të shumtë e të paparë,
farë e përdalë.
Për Prishtinën e jehut krahështrirë
përkushtimi im ngazëllim i dëlirë
për të shprehur thjeshtësinë e përgëzimit
rrjedhës së dehur me etje shiu,
ngrohtësinë e falënderimit.
-Poezi nga libri “SI HARK YLBERI”-Naxhije Doçi-Prishtinë -2021