Vjollca Aliu - Poezi

Vjollca Aliu - Poezi
Vjollca Aliu
POROSIA E PUSHKËS

Kur linda unë
Gjyshi kishte shkrepur pushkën
Për t'iu treguar të gjithëve
Se lindja e vajzës
Është gëzim dhe forcë
Është vetë pushkë
Fjala dhe vlera e saj.

Dhe, vërtet
Fjala ime u bë pushkë
I vrau gënjeshtrat
I qëlloi mashtruesit
E mbrojti të vërtetën, veten
E kurrë s'u bë
Vrasëse e së drejtës
Së mirës, mirësisë, krenarisë.

Porosia e gjyshit
Përmes pushkës së tij
Nuk i vrau të marrët
Ata që ishin mësuar
Ta jetonin jetën me gënjeshtra
Ta përbuznin çdo njeri
E t'i ledhatonin kafshët.

Sot nuk janë më
As gjyshi, as pushka
Por dashuria për të
U gdhend në zemrën time
Porosinë e pushkës së tij
E mbaj, jo si pushkë
Por, si margaritar.

Përkundër se jeta më përplasi
Brigjeve e shtigjeve të harlisura
Nuk u humba, s'u dorëzova
Dhe, vërtet si plumb pushke
Çela rrugët, depërtova.

Që atëherë, kalova goxha shtigje
E mbi supe mblodha goxha vite
Por, nëse them se
Linda sot
Mos më merrni për të çmendur!
Me hapa të mundimshëm
Jetën hapërova
U rrëzova, u çova
Qava, u gëzova
Dhe, nga balta mjaltin e nxora!