Rifat Ismaili - Katër poezi satirike

Rifat Ismaili - Katër poezi satirike
LETËRSI AFATGJATË
 
Së fundmi kemi poet laureat
Kemi kafshët e pyllit në juri
Gomari do japë çmim e verdikt
Sa ka harruar stallë e tagji.
 
Po dhe derrkucja pjesë e jurisë
Shquhet për sqimë në poezi
Nga bota artit, thonë, vjen ajo
Po veprat askush nuk ia di.
 
Në vend të parë, rradhitet ketrushja
 
Tek rend hop këtu e hop atje
Për vargjet moderne ajo shquhet
Për filozofinë e thellë.
 
Ka marrë çmim dhe rosaku
Për vargjet e tij, " mak mak"
Ka ngrehur qafën gjer mbi re
" Si mua, thotë , gjenden ...rrallë"
 
Edhe miza e dheut është shpërblyer
Për performancë me çmim inkurajues
të gjithë në sallë e duartrokitën
Për vlerësimin e merituar
 
Dikush na bëri dhe oponencë
Po lepuri si qen  nuk leh dot
Nga " lart" i bënë një dhuratë
 
I mbyllën gojën me një karrotë.
 
Tashmë kemi gomerët në juri
Kemi ketrushen poet laureat
Kemi " ekspertët " në ministri
Letërsi të garantuar e afatgjatë!
 
POETËT E OBORRIT MINISTROR
 
Nëpër oborrin ministror
Poetët shkojnë e vijnë
Një mi kalon me dosje në dorë
Ku germat e arta ndrijnë.
 
Bretkosa trashaluqe
Reciton me zë të çjerrë
Shoqet ta përqafojnë atë sulen
Për interpretimin e ndjerë.
 
Dhe lepuri me syze
Ngreh veshët si antenë
"Vjershat e mia janë himne
Janë mjaltë për mëmëdhenë."
 
"Mua më harruat?", tha cjapi
"Me me me e meeeeeee...
U shkriva e u përvëlova
Për vatan e mëmëdhe"
 
"Kam një vend nderi dhe unë!"
 -Gomari shqelmoi në ajër.
 
"Ka netë që s' fle gjumë
S' më lë kryevepra e rradhës"
 
"Ha, ha, more të mjerë
E keni mbushur kokën me kashtë
Unë më e mira poete- tha pula
S'ju vë as notën gjashtë.
 
Të shihni veprat e mia
Do mbeteni vërtet pa mend.
Ndaj dhe e gjithë ministria
Vendin e parë më jep."
 
"Çmimin ta dhanë me hatër"
- gjëmoi derrkucja turivarur
Ai më takonte veç mua
Që shkruaj pa u ndalur.
 
U thur lavde oborrtarëve
I përkulem hierarkisë
Kush më mirë se mua,
I ngre ata majë çatisë?
 
Miu me dosjen germëartë
E pa vëngërr dhe tha prerë:
"Ju më keni inat
Se unë jam poet i lerë!"
 
 
E kështu oborri gumëzhin
Nga poetë humbamenë e palaço
E ndritën ministrinë
Me art , e jo me llafe!
 
Poetët e oborrit ministror
pandërprerë gumëzhijnë.
 
Dhe si mizat ngjitur pas mjaltit
Na (me)nderojnë Ministrinë!
 
KLANI I LARVAVE TË LIBRIT
 
Kur lexoi fabulën “Letërsi afatgjatë”,
poetja e Fejsbukut hundëpërpjetë,
flokët i'u ngritën peshë si flakë,
dhe sytë iu kthyen në shigjetë.
 
Më shkroi në Messenger e indinjuar,
çfarë kishte shkruar s’e lexova dot;
 
më vonë zonja ishte  penduar,
 e kishte fshirë menjëherë atë post.
 
Thonë se edhe ajo është në “mafie”,
kështu e padit një poet kokëshkretë;
kanë uzurpuar çmime e botime,
dhe me tendera bëjnë ç’t’u dojë vetë.
 
Hanë të babëzitur në kurrizin tonë,
këto larva të ndyra mediatike
asnjë thërrime për ne nuk lënë,
Të babëzitur e me gjeste histerike.
 
U “prek”, medemek kjo zonjë e çmuar,
e shitur për ca para e  lavdi;
por paraja e lavdia shpejt bëhen ujë,
kur brumi mungon dhe s’ka meritokraci.
 
Rifat Ismaili, Savona 01- 01- 2026
 
NËSE DO QETËSI...MOS SHKO NË KONKURS
 
Nëse do ajër të freskët,
shko në mal ose në fushë;
por nëse do dhimbje koke,
shko e merr pjesë në konkurs.
 
Shko në pyll apo në ishull,
nëse do kurajë e vetëbesim;
por nëse do humor të prishur,
 
shko e kërko ndonjë çmim.
 
Nëse dëshiron lirinë,
lahu në liqen në agim;
por nëse do pakëz zhgënjim,
prit juritë të të japin çmim.
 
Nëse do gjumin e qetë,
shkruaj për vete e pa tundime;
por nëse do flakët e ferrit,
shko në konkurs e prit për çmime!
 
Rifat Ismaili, Savona 02- 01- 2926