Me këngëtarin popullor çam Refat Sulejmani
Nga Namik Selmani
Me një qëndrim gati monumental ai ligjëron çamçe, si ai e askush tjetër. Na bën me këngën e tij pjesë të gëzimit të disa brezave për rizgjimin e këngës çame.
Na zgjon krenarinë për gjuhën e të parëve për të cilin një bilbil tjetër, Naim Frashëri, ai i vargjeve shqiptare do t’i thoshte dallandyshes:
-Eno vjen prej Çamërie
me një gluhë perëndie?
Na shton obligimin për të përcjellë tradiat kulturore dhe historike që nga veshjet e bukura, mikpritja, kuzhina.
Kur e shoh tek ngjitet në skenën e këngës atë dhe mjaft këngëtarë të tjerë me kostumet tradicionale çame, më kujtohet Bajroni
Gjatë vizitës në Janinë, në jug të Shqipërisë më 1809, Lordi Bajron bleu një kostum tradicional shqiptar, me të cilin pozoi për piktorin e shquar të portreteve Thomas Phillips, në verën e vitit 1813. Veshjet shqiptare, sidomos fustanella do të përshkrueshin dhe në vargjet e poemës dhe në letrën që do i dërgonte së ëmës nga Preveza.
E pra, kënga që na shpalos Refat Sulejmani është enciklopedi e shpirtit e kulturës dhe historisë së Çamërisë, krahinës më të njohur të kombit tonë që mbijetoi mes luftërave mes shpërnguljeve me force. Kur Refatin e sheh në skenë me vetëm ca lëvizje të thjeshta të dorës dhe me rrudhat e bukura të moshës së tij që sikur lodrojnë në atë faqe eshtake, të bën të mendosh se nuk ke para teje një njeri që frymon si ti, që ëndërron si ti, por një befgasi një zjarr që të ngroh ndryshe nga çdo këngë që ke dëgjuar apo dhe do të dëgjosh.
Ose më saktë, ke një shpirt çam që të drithëron dhe thoin e këmbës dhe fillin e mbetur të flokut. Të bën të ngrihesh, të ndalësh erën, t’u thuash deleve të ndalin blegërimën, të ndalin kuajt hingëllimën, të rrotullohesh në odë, në sallë ku dëgjohet zëri i tij. Edhe nëse nuk të vjen rasti që të shkruajë diç në një portal interneti është loti i gëzimit dhe shimbnjes që sjell kënga e Refatit. Është maja e emocionit që rrallë e prekim në vitet e jetës. Dhe nuk është kjo një dhuratë shpirtit vetëm për ata të thinjurit, po dhe i të rinjve dhe vajzave që e kanë origjinën nga krahina e Çamërisë.
Mbase nuk ngjan me piskamat e këngëtarëve të Veriut që atje në malet e larta sikur ngrehin shpatat e tingujve.
Jo, jo, Refat Sulejmani është Profesori i Shpirtit Çam.
Atij i duhet një violinë, një klarinetë, një fizarmonikë, një dajre, që mban ritmin ëmbël. Zëru i rij ka një lloj dallgëzimi të çuditshëm, një lloj toni elegjiak me ato pasthirmat opo, aman,
Ose mbase edhe asnjëra prej tyre
Se një grup këngëtarësh çamë që i rrinë në krah në sup si një grusht malesh të Sulit apo si ullinjtë gjetheblertë e ngrejnë hop në krahët e viteve dhe shekujve këngën, njëlloj sikur të mbanin dhe një mal të madh në duar. Se ashtu e nisi në atë vit të largët të 1978 në Gjirokastër.
Në krah ishte një hedhës si Skënder Mustafaj që i jepte një tjetër mrekulli këngës çame.
Sikur mbajnë një det në sy.
Sikur mbajnë një livadh me lule
Sikur mbajnë zërat e nënave pranë djepeve dhe furrave.
Sikur mbajnë jenët që rriteshin me aq dashuri.
Sikur mbajnë burrat festevardhë që ndërronin kutitë e duhanit në dasmat e në ksodhet.
Sikur ka atë fëshfëritje të tumaneve dhe jelekëve të kërsafta të vajzave çame e nanev që hedhin vallen me atë dyvargësh
Me kadalë vallen-
se pluhuros fustanet, -o
Se ai ishte dhe mbeti prijatari i këngës çame që i ka të gjitha brenda saj. Ashtu i si ka dhe dhimbjen. Bolorimë. Një piskamë çame. Nëse Refat Sulejmani në fillimin e parë do ta krahasoja me një Dhëndërr të Këngës Çame, krushku i parë i saj ishte një poet, një prozatori i talentuar, skenarist, një sqimatar i Fjalës çame si Enver Kushi. Një studiues i saktë i entongrafisë popullore çame
Ai ruan një shkrim të bërë gati 60 vite më parë për fillimin e këngës së Refatit:
“Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës ansambli i Durrësit u paraqit edhe me këngën e Çelo Mezanit (këngë çame). Kënga u mirëprit. Ishte me të vërtetë një këngë e bukur dhe e kënduar në mënyrë origjinale. Ne ramë në gjurmët e saj vitin e kaluar, gjatë një ekspedite që zhvilluam në bashkëpunim me pallatin e kulturës së qytetit në zonën e Rrogozhinës. Më kujtohen sesi e regjistruam këngën atë natë shtatori, kënduar aq bukur nga Refati dhe grupi që e shoqëronte.
Atë e dëgjuam disa herë më pas dhe sa herë që e dëgjonim, ndjenim diçka të veçantë, forcën e ndjenjës, të emocionit që ka arti i madh i popullit. Kënga dhe interpretimi origjinal na befasoi. Kështu ndodhi edhe kur e dëgjuam ditën e konkurrimit në Gjirokastër dhe në koncertin me numra të zgjedhur, që u dha në Tiranë. “
Edhe sot sa herë që e dëgjojmë këtë këngë të tjrra emocione na dalin brenda vetes
Hajde, Çelo Trimëria
Me mustaqet bukurore
Paska ardhur Çamëria
Të shtrojë udhën engjëllore.
Ta bëjë ditë ku zbardhon nata
Ta bëjë furrë që pjek kuleçët
O, kjo tokë sa ftohtë paska!
Nga një dorë që po vjedh rrezet.
Në krah të tij në mjaft vite janë vënë mjaft këngëtarë të tjerë popullorë çamë e jo çamë.
Secili prej tyre ka origjinalitetin e tij. Befasohesh nga ky bashkëpunim që e ka dërguar këngën çame në shtigje të reja. Shaban Zeneli, Enkeleda Arifi e Hysni Allushi, Altin Sulejmani, Altin Malo,Gëzim Kaso, etj kanë një mission të bukur.
Nuk është aspak çudi që të shohësh e të dëgjosh harmoninë e zërit të tij me këngëtarin bilbil të këngës përmetare Vaskë Curri në këngën “Çamërinë kur e merr malli”
Kjo këngë i kushtohet kapedanit çam të Margëlliçit Jasin Sadiku (1888-1942). Kapedan Jasin Sadiku punoi dhe veproi me përkushtim për të mbrojtur të drejtat e komunitetit çam sidomos gjatë viteve 1930-1942 përballë situatave të komplikuara të historisë. Ishte koha ku ndërthureshin dhe vepronin shumë faktorë njëherësh, ndërkohë që pritej drejtimi i komunitetit çam në këtë situatë të vështirë. Jasin Sadiku u vra në pritë nga banda e Napoleon Zervës.
Në këtë bashkëpunim nis me një duet me një çam tjetër këngëtar e valltar i njohur si Njazi Saliko e më tej vjen Enkeleda Arifi e Hysni Alushi me këngën “Le t’ia themi çamërisht” Në sfond niset me një një valle burrash çamë e vazhdon me ngjyrat e bukura të kostumeve të vajzave çame.
Nëse do të bënim një grupim të këngëve që ai këndon sipas tematikës së tyre, ata janë si një sofër e madhe tingujsh ku shpalosen trimëria, e heronjve të Çamërisë si Lul Çapari, Çelo Mezani, këngë dasme “Nusja jonë” “Salo o moj Salushe” elegji të dramës çame si “ Qaj me lotë, moj Çamëri” , “ Çamëri, na ka marrë malli!”, “Kush i qan hallet e mia?”, “Potpuri çame”, “Smarta” “ për të ardhur te këngët me temën e familjes “ Ja rritu, ja thau!”, “Pse vdiqe një vit më parë?”, “ Që dhjetë vjeçe”
Ai është dhe një lloj thesari i dialektit çam atë larmi gjuhësore e një dialekt të bukur e mjaft tingëllues, përkëdhelës gjer në tingullin e fundit që, për fat të keq, nuk e mësojnë fëmijët shqiptarë e sidomos ata çamë, na e jep kaq bujarisht dhe mjeshtërisht Refat Sulejmani në këngët e tij.
E për këtë ne dhe brezat e tjerë duhet t’i themi me zë të plotë “FALEMINDERIT ARTIST I MADH!” Kur dëgjon këngën e Refatit, merr në të njëjtën kohë disa “goditje”. Veç zërit te tij brilant të rrëmbejnë fabulat e tyre, ngjarjet që na shpalosen para nesh shumë më drithëruese se në tekstet e një historiani.
Fjalë të tilla çamçe si jeshe, hisi, pajgori, nanë u- unë, gjismo, bënet, na kujtojnë fjalët e ngrohta të nënve dhe gjysheve çame që na thonin në fëmoijërinë e largët.
Folklori shqiptar ka dhjetra maja të rrefimit artistik. Për to mund të bësh ese, tregime, analiza e sërish i mbetesh borxhli madhështisë dhe monumentalitetit të tyre
Çdo kombi i madh i qytetëruar me akademi të panumërta, do t’i kishte zili forcën artistike të Vajit të Ajkunës në bjeshkë, fabulën e Baladës së Murimit, ligjërimin e Tanës, dialogun e Kostandinit dhe Dhoqinës, Gjergj Elez Alinë që e mundi Bajlozin, edhe pse me nëntë plagë në trup, baladën e besës së Agë Ymerit, dhimbjen e nënës së Rexhës që i vdes djali në ditën e dasmës.
Po këngët e tij janë më të madhërishme se nuk janë me frymën e legjendës, të misterit të saj, të mesazhit të saj. Ato janë më të vërteta se e vërteta. Dhe kur e vërteta të shfaqet me këto ngjyrime dhe me një zë simfoni atëherë dhe emocioni dhe rrëfimi janë më jetëgjatë në kujtesën tënde në atë që kombi përcjell te brezat e tij atë më të bukurën, qoftë dhe të dhimbshme në emër të një të vërtete.
Bashkë me këtë zë të mrekullueshëm do të shtonim dhe arkivtarin më të madh të këngës çame Fatos Mero Rrapaj me përmbledhjen e këngëve të Çamërisë.
Përtej mirënjohjes sime si shkrimtar apo dhe zëdhënës i mijëra dëgjuesve e shikuesve kryesisht të krahinës së Çamërisë, bëj një pyetje retorike: “A do të kemi në të ardhmen të tjerë ”Refatë” binjakë me simfoninë çame si ai festebardhë që me këngën e tij ngroh zemrat e plaguara të kombit e të Çamërisë e të Kombit tënë.
Nuk e di, po një gjë është e sigurtë që ai prej gati 50 vitesh në mënyrë zyrtare pa folur për këngët që këndonte në gjuhët e burrave çamë të Rrogozhinës e njohur prej vitesh si qyteti që prodhonte sapun që të lahej një shtet i tërë, të prodhonte vajin e shijshëm të ullirit të marrë nga kodrat plot diell të një zone ku kalonte krenare për mijëra vjet Rruga e Egnatias që niste në Romë e mbaronte në Kostadinopojë.
Po Refati është Refat që matet me vetveten dhe nuk shqetësohet se kurora e dafinës mbetet ende në degët e bleruara përjetësisht.
Koha e Big Brotherit dhe këngëtareve supezhveshura sikur e ka zbehur pak ritualin e këngës çame
Përballë kësaj historie shekujsh, Refati dhe familjet çame që jetonin pak metra larg rrugës automobilistike Elbasan-Durrës ai kishte të freskët historinë çame. Mbase brenda vetes që në atë kohë mes atyre shtëpive të ulta pak të varfëra të lagjes çame të Rrogozhinës, po ku nuk mungonte kurrë e kurrës aroma e ëmbël e gëlqeres në furrat e sapongritura, po merrte misionin që t’i tregonte mbarë Shqipërisë dhe kombit magjinë e këngës çame. Në ato shtëpi ku nuk kishte asnjëherë dryna të rëndë me ngjyra për të mbyllur konakët e ato pak bagëti që kishin ai dhe disa djem të talentuar të asaj lagjeje, ngrinte të fortë kalanë e këngës çame.
Po vlerësinmi për të?
Në datën 9 nënto 2021 Televizioni Vizion plus vazhdonte ciklin e emosionit muzikor “Këngë, moj!” Atë mbrëmje ishte Nata e Këngës Çame”
Në vargun e këngëtarëve të krahinës së Çamërië apo dhe të atyre joçamë si Eli Fara Maja, Ylli Baka e papritura e koncertit ishte paraqitja e këngëtarit Refat Sulejmani. Ai e nisi me këngën e Salushes dhe më tej krah tij u vu djali i tij Altin Sulejmani, Altin Malo, Hysni Alushi dhe grupi i burrave çamë Ai po rikëndonte këngën monument te Çelo Mezanit. Bukur. Si gjithmonë. legjendë e quajti drejtuesja e spektaklit.
Na dhe gjithashtu dhe një fakt të hidhur për këngën e Çelo Mezanit Kjo këngë u censurua në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 1973, por nuk mundi që të ndalte shpërthimin e saj pas 5 vitesh.
Në atë moment pas mbarimit të këngës ajo e vazhdoi rrëfimin për emocinoet që po jepnin shikuesit e televizionit, Mes tyre ajo citoi një përshëndetje të një shikuesi nga Rrogozhina
“Pasi këndoi këngën e Çelo Mezanit të gjithë qytetarët e Rrogozhinës e shijonin më me respekt atë njeri. Kur ai kalonte me biçikletën e thjeshtë për në punë në rrugët e Rrogozhinës, të gjithë e përshëndesnin dhe e falenderonin me mjaft dashuri”.
Mes të tjerash ajo tërhoqi vemendjen se një vlerësim më i madh duhet që të bëhej për Refat Sulejmanin, për këtë legjendë të këngës çame.
Po vë në këtë shkrim disa përshtypje të shikuesve çamë për këngën e Refatit dhe për atë si artist si njeri
-Shumë bukur. Refati na kujton dasmat çame që në të njëjtën kohë këndonin dhe njëkohësisht. Ah, sa bukur dukeshin nutë (gjyshet) tona! Ata na e bënin më të bukur fëmijërinë tonë!
-Refati është vlerë për komunitetin çam. E them me plot gojën që ai e këndon ashtu pastër, ëmbël, fiks fiks ashtu si është folklori dhe kënga isopolifonike çame.... Balada e Çelo Mezanit e shoqëruar nga grupi i Rrogozhinës në Festivalin e Gjirokastrës nuk arrihet më. Personalisht dhe në emër të familjes sime i jam mirënjohës për baladën kushtuar krahines sime, "Smartes". Kjo nuk arrihet më.... Gëzuar, Refat! Ti meriton më shumë! Është shumë pak për ty me kontributin që ke dhënë e jep për origjinën tënde, gjë për të cilën i gjithë komuniteti çam e jo çdo shqiptar të është mirënjohës!
Më 29 nëntor 2015 ai u nderua me cetrifikatën “Mirënjohja e Çamërisë”
-Kur jepej kjo këngë në shtëpinë time të gjithë rrinin sus se nga babi, haje një bacë- pëllëmbë e gjaku të vinte rrëke. E kënduar me shpirt e me zemër.
-Allall ju ju bëftë hallal për atë zë që ke! Zoti vdes për këtë këngë.
-Refat Sulejmani është një simbol i këngës historike. Nuk po flas për nivel interpretimi, se është e kuptueshme. Nuk gjej fjalë për ta përkufizuar këtë ARTIST POPULLOR.
-Ju lumte goja për këngët e vjetra! Përshëndetje nga Greqia
-Tani le te vdes.
..........................
Refat Sulejmani u bë si një flamurtar i vërtetë i një pjese të kombit për rizgjimin shpirtëror të Çamërisë.
Vetë kënga e tij e shfaqur si vetëtimë para 50 viteve e, më tej, si një vullkan tingujsh të dalë nga ehoja e tokës çame “ku kullosin rrufetë” si thotë poeti jetëtragjik çam Bilal Xhaferi, e ka bërë atë si një lloj “Prometeu” të Çamërisë të historisë të saj, të shpirtit të saj fisnik, të gluhës së saj.
Dhe kjo vazhdon dhe sot në mënyrën më të bukur.