FRAGMENT NGA ROMANI "SHTIGJEVE TE NATES"
Xha Elmiu ishte plak i urtë dhe shumë i kujdesshëm. Ai i merrte me të mirë kafshët dhe bisedonte me to sikur ta kuptonin! Edhe kur devijonin, nuk nervozohej dot. I thërriste:
- Hajde këndej evlat, hajde!.
Kjo ishte fjala më e shpeshtë që e përdorte. Në fjalorin e tij nuk përdorte fjalë të vrazhda. Shkopin kurrë nuk e përdorte për kafshët! Atë e përdorte vetëm për të trokitur në dyert e mëdha të hyrjes të çdo pronari dhe lajmëronte duke bërtitur me refrenin e tij:
- Lëshoni kafshët! Lëshoni kafshët! Urdhri zbatohej. Menjëherë hapeshin portat e shtëpive dhe kafshët dilnin njëra pas tjetrës.
Çdo ditë në mëngjes, dy konopë pasi lindte dielli, sokaku i mëhallës mbushej me kafshë dhe zhurma e kambanave alarmonte vajtjen e bagëtisë në kullosa. Një konop pa perënduar dielli ai i kthente nëpër shtëpia bagëtinë.
Nena e pastronte stallën para se të vinin kafshët. Ato kur vinin në shtëpi futeshin vet në stallë dhe gjithmonë shkonin në vendin e tyre pa u ngatërruar fare. Pastaj ajo ua vente zinxhirët në qafë dhe i lidhte.
Xha Elmiu e respektonte me përpikëri kontratën gojore që e kishte bërë me dyzet e pesë pronarët e bagëtive. Çmimi ishte fiks për çdo kokë dhe ushqimin e merrte me radhë nga secili pronar, duke lëvizur nga njëra shtëpi te tjetra me radhë. Në çdo mbrëmje ia përkujtonte tjetrit se nesër e ka radhën e ushqimit. Ushqimin e tepërt e sillte në shtëpi për kalamajtë e tij. Të nesërmen ia sillte janxhikun për të marrë ushqimin e freskët pronarit të radhës. Zakonisht atij i gatuanin pite, apo pogaçe me djathë. Janxhikun kurrë nuk e hiqte nga qafëkrahu e brenda kishte edhe një pagurë me ujë të ftohët, që e mbushte në kroje që buronin nga bjeshka. Në xhepin e brendshëm të palltos e mbante fyellin, i cili e shoqëronte dhe e ngushëllonte tërë ditën. Sapo stabilizohej në vendin e kullosave, në shpatin e madh te Lugu i Vosës, u dilte përpara bagëtisë, i shikonte mirë dhe i numëronte. Pasi bindej se ishin të gjitha e fillonte melodinë e tij me fyell. Ai ecte ngadalë me hapa breshke, kurse bagëtia mbrapa tij kulloste dhe bënte tri orë derisa arrinte në vendin e mrizit, në Krajmeroc. Aty e kalonte kohën më të madhe të ditës, pasi kishte hapësirë për të kullotur dhe takoheshin edhe loparët e barinjtë nga lagjet e tjera. Derisa mrizonin delet dhe bagëtia e trashë, barinjtë e rinj e kalonin kohën duke lozur Lojën e Guxhave me shkopinj.
Kur binin rrezet e diellit pingul në tokë, Xha Elmiu, ofronte bagëtinë te burimi i ujit që të shuajnë etjen. Derisa kafshët mrizonin, ai ulej karshi nën hijen e ndonjë murrizi, nxirrte ushqimin nga janxhiku dhe hante drekën. Pasi kositeshin livadhet, në shtator dhe tetor, i dërgonte bagëtinë në fusha e livadhe.
Xha Elmiu kurrë nuk mbante orë dore, por orientohej me diell dhe ishte shumë i saktë. Pasi pushonin mirë dhe vinte fresku, ai e merrte bagëtinë dhe pastaj duke kullotur hap pas hapi prapë kthehej në fshat në kohën e koordinuar. Shpesh e ndërronte edhe terrenin e kullosave. Kishte programin e tij. Një ditë shkonte më në veri e ditën tjetër kah jugu. Atij shpesh i ndodhte që ndonjë buallicë llahusë t’i ikte para kohe pas kishkut të saj. Kjo ishte rutina e tij e përditshme! Ai ishte edhe i sigurt kur jepte diagnoza të sakta se kishte shumë buallica shtatzëna, prandaj e lajmëronte pronarin që të mos e nxjerri nga stalla javën e fundit para se të pjellë.