Sherife Allko, Poezi

Sherife Allko, Poezi
NA LINI TË JETOJMË 
 
Më djeg në gji,
frymëzimi im.
Për kë të shkruaj,
më thoni .
Për njerëzimin 
që mbiu nga fara e ëmbël,
për kë ?
 
Për zemrat që harrojnë 
të ndiejnë,
për sytë që shohin 
por s'kuptojnë.
 
Për duart që ndërtojnë 
dhe prapë rrënojnë,
për shpirtin që kërkon diell
mes hijesh që s'barojnë.
 
Apo për dashurinë,
që lind e vdes çdo ditë,
si një lutje e heshtur 
që s'gjen kurrë një pritë...
 
O njerëz "të mëdhenj",
ju elitë botërore, fare e hidhur,
rrënjët i keni thellë 
në tokë të lodhur.
 
Mos ...jo, mos na lëndoni,
s'keni ç'të na merrni
veç frymën që na mbeti 
dhe ëndrrat që s'i shitëm.
 
Na lini të këndojmë 
këngën e jetës,
pa pranga në zë,
pa lejen tuaj në shpirt.
 
Mos kini frikë nga ne,
nuk rrëzojmë frone,
veç ngremë sytë 
nga errësira juaj.
 
A mos ju theri në gji 
lumturia jonë e thjeshtë?
A mos ju djeg 
një dritë pa çmim ?
 
Se ne, edhe pa ju,
dimë të qeshim,
dimë të duam,
të jetojmë.
 
Dhe loti që i bie këtij populli ,
është fjala që s'mund ta fshehin.
 
Sherife Allko 
25/05/2026