PËRSIATJE MBRESASH NËPËR VEPRËN E BEDRI TAHIRIT
"JETË LETRARE"
Gjithçka që shkruhet nuk mbetet thjeshtë dëshmi. Aty nis historia.
Kur citojmë mendimin i cili vjen që nga lashtësia, atëherë me kohën e shkrimit u krijua dhe një sintezë. Gjithçka ka lindur që të shkruhet. Por, në dallim nga popuj të tjerë, ne e dimë se koha e shkrimit shqip ka nisur vonë. Kjo vonësi na bëri sidomos me Rilindjen tonë Kombëtare të shihet ndryshe. Ne s’duhet të humbisnim më as kohë dhe as njerëz. Simbolika e asaj epoke e cila u ngrit mbi dy fjalë do i japë identitetit tonë një karakter thellësisht patriotik dhe kombëtar. “ Me pushkë dhe me penë”.
Nëse do donim të nisnim të shkruanim disa radhë vlerësimi për veprën e Bedri Tahirit do shpreheshim pa ndrojtje se karakteri i tij është “pushka” dhe zemra e tij, shpirti, gjaku, mendja janë “pena”.
Kur duam të vlerësojmë dikë dhe kjo ndodh në promovime, botime, artikuj, vepra, konkurse dhe aktivitete të ndryshme, të gjithë të pranishmit aty të pranishëm, por dhe jo, takohen në fillim me autorin nga vepra e tij. Ndaj në rastin e Bedriut, këtij njeriu gati mbi njeriu na takon të shkëpusim nga vetë ai citim të njërit nga librat e tij të shumtë ku thotë: “Kush përgatitet për luftë e ka të fituar betejën”. Do shpreheshim duke e lënë modestinë se krijimtaria e Bedriut nis me këtë postulat: “Kush ka guxim të tregojë të vërtetën, do dijë ta mbrojë atë duke e shkruar!”.
Jemi në Kosovë. Është dhe do vazhdojë të mbetet ashtu siç ka dhe titullin e një cikli poetik Azem Shkreli “Nën qiellin me vrima” atdheu i dhembjeve. Toka ku ashtu si gjymtyrët e një masakre vazhdojnë të mblidhen që të dëshmojnë krimin, po ashtu nën qiellin e saj ka ende disa vrima “të zeza” të cilat heshtur, akoma tradhtisht enden brenda vetes duke dashur të përpijnë jo vdekjet. Jo vrasjet. Jo vetëm viktimat. Por, më tragjikisht. Të vërtetat. Këtu nis rrugëtimi krijues i këtij profesori, studiuesi, atdhetari, humanisti dhe mbi të gjitha, Bedriu mund të cilësohet pa ndrojtje një Rilindas i Kosovës post pavarësisë.
Vepra e tij me një kulturë sa të gjerë dhe po aq të thellë i rrinë në shtat dhe veshje portretit të një akademiku. Sepse një njeri që shkruan vlerësohet së pari rëndom nga talenti, prirja, muza dhe mbushja e botës shpirtërore. Por kur kjo botë thith deri sa përpin historinë, gjuhën, gjeografinë, politikën, letërsinë atëherë na duhet të themi se autorë të tillë janë më shumë luftëtarë të dijes se sa përçues të saj.
Duke shfletuar veprën e tij voluminoze, duke pasur parasysh se gjatë gjithë jetës ka ushtruar dhe profesionin e profesorit të letërsisë, duhet kuptuar se autorë të tillë i ngjajnë atyre zbuluesve, të cilët për t’iu afruar një teze ose një dëshmie arkeologjike ose historike, i duhet të shfletojnë një bibliotekë të tërë.
Nëse cituam më lart se jemi në Kosovë kjo është akoma dhe më e kuptueshme pse vepra e Bedriut meriton jo thjeshtë çmime dhe tituj. Ajo është vepër e një kontributi shoqëror, patriotik, atdhetar dhe kombëtar. Ka shumë forma dhe mënyra për t’i shërbyer atdheut. E dimë se ç’bën mjeku të shpëtojë një jetë. Sepse atdheu është një jetë më shumë. E dimë dhe mësuesin. Luftëtarin. Por atë që i jep krijuesi, studiuesi, i kapërcejnë të gjitha këto. Kur kalon kapituj të veprës së tij kupton se e gjithë qëllimtaria e tij intelektuale nis dhe përfundon me Kosovën. E kuptojmë një obligim të tillë. Por kur ajo bëhet me dashuri dhe vërtetësi, kjo nuk është thjeshtë dëshirë, por mision.
Në thënien e Sami Frashërit “Dëshira për liri dyfishon shpirtin e një kombi” ne prekim vetë suksesin e veprës së profesor Bedriut. Në kujtime të tij shkruan për punën e mësuesisë kur Kosova ishte nën pushtimin serb. Sakrificat, dhembjet, lufta dhe pavarësia, të gjitha këto janë gjithçka brenda një jete, por janë po gjithçka në brezat që vijnë. Nëse një ngjarje nuk shkruhet, nuk dëshmohet për të, nuk ka një kronikë shkrimore atëherë ato “vrimat e zeza” do tërheqin pas vetes atë që është histori, por pa e dëshmuar i ngjan resë...
Kjo është vepra e Bedri Tahirit në tërësi. Po kjo është edhe vepra që pritet të botohet “Jetë letrare”. Si ai dielli në Kosovë që i shtyn retë e harresës deri në tretje, duke mos i lënë në atë ndriçim ndoshta ende të dhembshur, por të lirë. Kur kujtojmë një nga ritet tona të malësorëve në atë që quhet “guri i besës” e themi me plot kuptim dhe bindje se vepra letrare dhe studimore e Bedriut i ngjan gurit të besës i cili tashmë është në pëllëmbën e historisë së Kosovës dhe trojeve tona jashtë saj, duke peshuar jo pak dhe në vendin amë.
Urime i nderuar “krijimtar i besës”!
Durrës, 25 shkurt 2023