Cikël me poezi nga Panajot Boli

Cikël me poezi nga Panajot Boli
VARET...
 
I njëjtë është dielli
Tek lind në ag, dritëflori
Dhe them se s’ka si bëhet më i bukur
Kur më buzëqesh ti
Një ditë e çmendur kaltëroshe
Tek rigon pikë-pikë
Ëmbëlsi
 
I njëjtë është dielli
Tek lind në ag, dritëflori
Dhe them se s’ka si të jetë i bukur
Kur më mungon ti
Një ditë idhnake, mendjeprishur
Rri në stol i mërzitur
Në vetmi
 
I njëjtë është dielli
Tek lind në ag, dritëflori
Dhe them se në çfarë stinë është
Është vjeshtë apo pranverë?
Lulet që të pjalmohen
Duan diellin t’i ngroh
E pak erë
 
I njëjtë është dielli
Tek lind në ag, dritëflori
Dhe them, varet ç’stinë është shpirti im
Bien gjethet vjeshtake?
Apo dimri s’ma lë diellin
Me ca re turinxira
Zemërake?
 
I njëjtë është dielli
Tek lind në ag,  dritëflori
Dhe them, varet ç’stinë është shpirti im
Është pranverë apo verë?
Padyshim, është i bukur
I ngrohtë  dhe i ëmbël
I imi, i terë
 
 
FLUTURA?... NËNA ËSHTË AJO
 
U kacafyta me zjarrminë
Që sulmonte kështjellën e kokës sime
Për fat të keq më mundi
Në humnerat e kllapisë më bënte ‘ushtrime’
 
Përpilitesha me kot, pafuqi
Mes fantazmash që kërcenin rreth meje
Me qirinj më trembnin sytë
Më mbyllnin qepallat e më dignin në deje
 
Befas një engjëll i shtyn tutje
Jo, jo...ah ato sy, ajo fytyrë.. është nëna ime
Buzët më mbështet tek balli
-Po ti more bir, ti më digjesh në zjarmime
 
Më përkëdhel sytë me mall
Të puth dorën e saj të shtrenjtë po kërkoj
Me forcë seç i hap qepallat..
Oh, vetëm një fluturë rreth llambës shikoj
 
 
Në dritare akoma hëna e yjet
Flutura, e bukura, në dhomë , nga erdhi kjo?
Në dritë vërtitet  e më sheh
Patjetër.. patjetër, nëna ime e mira është ajo
 
STACIONET....
 
Rendin gëzimet, ankthet, shpresat bashkë
Ngatërrohen nëpër këmbë
Nxitojnë drejt stacioneve
Me një valixhe të drunjtë
Duke tërhequr pas
 
Në rrokëllimën  e saj në trotuarin grinjar
Ëndrrat  trazohen e dridhen
Gudulisin portat e drunjta
E cicërojnë çuditshëm
Si mërmërima
 
Herë stamposen si harta poshtë kapakut
Herë flasin pak  të lodhur
Me një zë të drunjtë
Lëmojnë durimin
Nëpër  shkallë
 
Treni..autobuzi.. anija,.. aeroplani hijërendë
Ngarkojnë e shkarkojnë
Bagazhet e mendimeve
Me ankthin varur te sedilja
E shpresën te dritarja
 
Stacionet të shqetësuar ,me zhurmë nxitojnë
Ëndrrat hipin e zbresin shpejt
Gjithmonë në udhëtim
Herë fytyrëqeshura
Herë turivarura
 
Stacione me stola krimbngrena
Stacione me salla moderne
Ku pritja  bëhet amorfe
Ku pritja në heshtje
Thinjet nga pak
 
Stacione dilemash ku stoli pickon stresin
Po befas bëhet ag maji
Në sandalen e bardhë
Të dashurës që zbret
Plot hire, shkallët
 
Ka edhe stacione pa stola e salla moderne
Stacione me coha gri
Me cingërima akulli...
Nxitojnë stacionet..
Të fundit nuk e dimë
 
ATO, ME TË BUKURAT...
 
Tri male zgjodhi fshati im
Të vë kokën te gjinjtë e tij dhe të endërroj
Dimrit, të mbroj shpatullat e tij nga era e murlanit
Pranverës,t’i sjell aromë trendeline e zilet e karvanit
 
Tri male zgjodhi mali im
Të jenë të lartë, të sertë, të bukur, madheshtor
Verës t’i flladit kaçurrelet,ta qeras me lule mjaltë
Vjeshtës t’i gdhend shpirtin lirik në brinjët e tij me daltë
 
Tri male zgjodhi fshati im
Diellin  të presin çdo mëngjes  me duart e tyre
Pragjeve të oborreve ta ulin ngadalë në stola të vesuar
Të kuvendoj me trëndafilat e sytë e fëmijëve të lumturuar
 
Tri male zgjodhi fshati im
Të lindur nga loti i ngurtësuar i stërgjyshërve
Me amanetin e shkruar në rrathët kafe të trungjeve
Me fjalën e dhënë te oshetima e perrenjve të tri lugjeve
 
Tri male zgjodhi fshati im
Mes kraharorit me brinjë të ngurtë të rri zemra
Të pamort të ngelen kurorë mote e mote përherë aty
Edhe bota të prishet, ato meteorë të  mbetën në gjithësi
 
Ti male zgjodhi fshati im
Me të bukurat, me burrërore mes maleve të tjerë
Askush nuk mund të ma mohoj, kjo është e vërtetë
Me të dhembsura, me të sinqerta në botë, nuk mund të ketë
 
Tri male zgjodhi fshati im
Një si diell, një si hënë e tjetrin yll për zgjim
 
KY SHKEMB I PAMORT
 
Si fëmijë mburrem me fshatin tim
Tri maleve u bëj lavde që e mbajnë në gji
I buzëqesh një roje statujë aty në hyrje
Një shkëmbi të stërmadh me ngjyrën gri
 
Sapo pragun shkel në të mirin tim
Ky shkëmb ushtar gatitu po më rri
Thesin e mallit përpara tij ul ngadalë
Pasaportën nxjerr e ia zgjas me mirësi
 
Sa herë e kam pyetur të urtin gjysh
-Nga erdhi ky shkëmb gjigand, i rendë?
-Këtu e gjeta kur linda ,biri im
Si portë në këtë ballkon, të fshatit tënd
 
Në zemrën e tij të gurtë një lule ka mbirë
-Më harrove or mik?-më pyet shkëmbi stoik
Kala më quanit kur luanit fëmijë
Në bedenat e mia luftonit si trima kreshnikë
 
Më hapi derën e kalasë ky shkëmb gri
Në shkallët e gurta çlodhet nostalgjia
Një lule e kuqe ka çelur e bukur mbi krye
Valëvitet ,si dikur fitorja jonë, shamia
 
Sa herë ngjitem i malluar në fshatin tim
Pasaportën ma vulos ky shkëmb fisnik
Hijërendë,i pamort me përcjellë me gaz
Ma trazon shpirtin e djegur, ma lëndon një çikë
 
MA SOLLËN XIXELLONJAT
 
Nuk e di ç'magji kishin sonte xixëllonjat syverdha
Në këtë natë prilli me bukuri mister përendie
Harrova vitet e vrapoja si çamarokë t'i kapja me dorë
Në flokët t'i vija kurorë si trill i hershëm fëmijerie
 
Nuk e di ç'magji kishin sonte xixëllonjat syverdha
Kërcënin rreth meje e më mbyllnin sytë me dinakëri
-Dorën ma jep,më thoshnin,bëhu fëmijë të vallëzojmë
Shiko,yjet janë larg,mikja jote hëna,lë të këtë zli
 
Nuk e di ç'magji kishin sonte xixëllonjat syverdha
Pasi u ndamë më erdhen në ëndërr natën vonë
Në liqenin e syve u shfaqen si varka të florinjta
Më sollën të malluar,Neraidën time,me shpirt që xixëllon
 
SA MERAK KISHA....
 
Plagët nga djegia, e tre maleve të fshatit tim
Po mbyllen me mundim
Si mehelm,gjethet e gjelberta mbi to
U lehtësojnë dhimbjet
 
Sa merak kisha për sherbelën
Që me lulet e saj të blunjta
Ballin e fshatit kaltëronte
Dhe gushën e maleve
E flladisnin me aromë të shtrenjtë
 
Sa merak kisha për thellënzat
Që zgjonin agimet e fshatit tim
Në shkëmbinj të thepisur mos harronin foletë
Dhe malet ngeleshin shurdhmemëcë
Të trishtë,pa këngën e tyre
 
Sa merak kisha për sherbelën....
Sa merak kisha për thellënzat...
 
Ah...sherbela çeli e brishtë
Me lule me të ndezura
Thellënzat me ankth kërkonin foletë e tyre
Dhe sytë e malit puthnin
 
Tani sherbela ka buzëqeshje të kaltër
Thellënzat akordojnë telat e violinës
 
Tre malet e fshatit tim janë të lumtura
Në gjoks fshehen farat e sherbelës mos digjeshin
Dhe foletë e thellënzave
I struken thellë në shkembinj
 
PSE JE KAQ E BUKUR SARANDA IME?
 
Pse je kaq e bukur të thonë
Si Hirushja Saranda ime?
Si vajzë e turpshme ti ul sytë
Neraidë e rritur në kaltërime
 
Si gjysmëhënë praron të thonë
Thuaj sekretin tend Saranda ime
-Le ta dini: Zoti mua më pagëzoi
Me dyzet shenjtorë e me bekime
 
Në kalanë e Lëkursit u bë dasma
Me Princin trim Jon më martoi
Diellin seç ma uli përmbi supe
E hënën flori s'e la të përëndoi
 
Ballin seç ma puthi me ëmbëlsi
Me ndriti me magji të shenjtëruar
Mbetsh përherë më tha,e lulezuar
Me Princin tend Jon të dashuruar
 
AGU I PRILLIT ÇLODHET NË STOLIN E OBORRIT
 
Me qindra petale të rozta i hedh pjeshka oborrit
Si ftesa rikujtese për zgjimin e tij pranveror
I thotë të shkund pluhurin flori mbi trendafilat
E zymbyli ta pikturoj me lule të bardha borë
 
Po çlodhet agu i prillit mbi stolin e heshtur
Si dasmorë po vijnë fluturat duke vallëzuar
Lulet jasemi po i varen si gjerdanë në gushë
Dielli i buzëqesh borzilokut që rri i malluar.
 
Manxurana hap qepallat e sytë i lan me aromë
Luan flladi me gjethet e vesuara të mandarinës
Një gushëkuq i vogël kalon e thotë mirëmengjes
Mirëmengjes ia kthen kaq ëmbël zëri i kanarinës
 
Më qindra petale të rozta i hedh pjeshka oborrit
T’ia ledhatoj ballin, ta zgjoj nga gjumi dimëror
Një flutur ngjyrëqendisur, ty të kërkon e dashur
E kam sekret,më thotë e qeshur,me ftesën në dorë