Vjollca Aliu - Ese-opinion kushtuar fëmijëve dhe poezi

Vjollca Aliu - Ese-opinion kushtuar fëmijëve dhe poezi
Ese-opinion kushtuar fëmijëve dhe poezi
 
ÇDO FËMIJË ËSHTË NJË TRËNDAFIL NË KOPSHTIN E ARDHMËRISË SONË
 
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, në shumë shtete, gjithashtu edhe në Republikën e Kosovës realizohen festime të cilat kanë të bëjnë me rritjen e vëmendjes në drejtim të mirëqenies së fëmijëve. Megjithëkëtë, festa e 1 Qershorit sikur na i përzien buzëqeshjen dhe lotët, sepse fëmijët meritojnë më shumë, jo vetëm sot, por gjithherë, ata meritojnë përkushtimin, dashurinë e përgjegjësinë tonë për rritën e tyre të dinjitetshme!
Sikur ne, të rriturit, të merrnim sytë e fëmijëve, e butësinë e tyre, do të shihnim se, çdo fëmijë është një trëndafil në kopshtin e lumturisë sonë, prandaj merrni pak butësi nga fëmijët e jepni atyre shumë përkushtim!
Mos harroni se, fëmijët dhe lulet pasqyrojnë kujdesin që marrin!
Sot, e gjithherë, në sytë e fëmijëve, në zemrat e tyre, në butësinë e në ëmbëlsinë e tyre shoh piktura shumëngjyrëshe dashurie që i ngjajnë kopshtit me trëndafila shumëpetalësh. Sikur në një kopsht ku mbillni trëndafila aromëkëndshëm, ashtu mbillni edukim te fëmijët, ushqeni me dashuri, rritni pa ndjenjën e urrejtjes për të tjerët, udhëzoni për punë e arritje të sukseseve me meritë! Mësoni fëmijët si t'i thellojnë rrënjët e përgjegjësisë për jetën e si t'i forcojnë krahët e pathyeshëm për pavarësinë e tyre! Mos ua mbillni ndjenjën e urrejtjes, por atë të dashurisë, sepse një ditë do ta korrni atë çfarë keni mbjell!Fëmijëve nuk duhet kushtuar kujdes vetëm me 1 Qershor ose në datëlindje, por duhet të jenë preokupim i përhershëm yni, në mënyrë që të mos shkatërrohet ardhmëria e tyre, sepse edukimi dhe kujdesi ndaj tyre është premtim për perspektivë të sigurtë. Ne, si shoqëri, duhet të angazhohemi për të drejtat e fëmijëve, duke respektuar së pari të drejtat e fëmijëve në familje, në shkollë, në lagje e kudo tjetër, por, njëkohësisht duke informuar ata për të drejtat dhe obligimet që kanë.
 
Kudo nëpër botë ekzistojnë deklarata të shumta dhe të përgjithshme për të drejtat e fëmijëve, e nëse lexohen me vëmendje, të gjithë do të pajtoheshim për të drejtat e proklamuara, sepse ato duken mjaft mirë të rregulluara me ligje në letër, por ka shumë sfida në zbatimin e drejtë të tyre. Kur e lexojmë dhe e analizojmë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, në një kuptim, të gjitha nenet thërrasin për barazinë, zbatimin e drejtësisë, zhvillimin dhe perspektivën për të gjithë fëmijët pa dallime gjinore, racore, fetare, etj., por, e vërteta qëndron ndryshe. Mjafton vetë ta hapësh televizorin dhe sheh pamje nga më të dhimbshmet të fëmijëve të pastrehë, atyre që jetojnë pa kurrfarë përkujdesje institucionale, sheh fëmijë që ushqehen nga grumbujt e mbeturinave të rrugëve, fëmijë të rraskapitur deri në kockë nga vuajtjet e mungesa e gjërave edhe më elementare për jetë, siç janë: ushqimi, uji, streha për banim e shumëçka tjetër. Përderisa në botë, përmes medieve vizuale shohim pamje të trishta të jetës që bëjnë këta fëmijë, bota shpenzon qindmijëshe të dollarve amerikan për forca ushtarake, ndërsa vetëm pak dollar nga ajo shumë do të mjaftonte për të shpëtuar një jetë fëmije.
Ku është ndërgjegjja njerëzore, ku është përgjegjësia institucionale? 
Mekanizmat përgjegjës institucional në të gjitha nivelet, por edhe gjithë shoqëria, a brengosemi se sa është numri i fëmijëve në botë që nuk kanë ushqim ose kequshqehen, sa fëmijë kanë humbur prindërit dhe jetojnë pa kurrfarë përkujdesje, sa fëmijë jetojnë në varfëri, sa fëmijë kanë mbetur jashtë shkollave për arsye të ndryshme, sa është numri i fëmijëve të sëmurë dhe që nuk kanë mundësi trajtimi mjeksor në mungesë të financave, sa fëmijë i hasim në rrugë duke kërkuar lëmoshë, duke bartur mallëra në treg e fëmijë të tjerë që bëjnë jetë në kushte e vende jo të përshtatshme? Madje, shpeshherë, në mungesë mbrojtjeje, fëmijët bëhen viktima të huliganizmit e të shfrytëzimit seksual. A është e moralshme dhe njerëzore indiferenca ndaj atyre fëmijëve? -Turp e tmerr!
Obligimet tona e përgjegjësia jonë për përkushtim ndaj fëmijëve është sot e çdo ditë, duhet të u japim sot atë që ata kanë nevojë, se koha e tyre është sot, ndërsa e nesërmja e tyre është ardhmëri për gjithë shoqërinë. Obligim yni mbetet: Më shumë kujdes e dashuri për qenien hyjnore FËMIJË!
E, urata e madhe për çdo fëmijë le të jetë:
Gëzuar 1 Qershorin fëmijë, në çdo cep të globit le të buzëqeshin fytyrat tuaja engjëllore, le t’ju gëzohen zemrat e le t’ju mbushen shpirtrat me dashuri!
 
                                 ************
BEKIM HYJNOR

Me dashuri nisur
Mes zemrave prindërore
Linde, ti engjëll
Fëmijë, krijesë hyjnore.

Jetën mbushe mirësi
I shtove dhe shumë ngjyra
Më e bukur fytyra jote
Sesa gjithë natyra.

Asnjë këngë s'tingëllon më mirë
Sesa zëri kur qesh ti
As mjalti i gjithë botës
S'e ka tënden ëmbëlsi.

Më shumë sesa ka ujë deti
Më shumë sesa ka ari vlerë
Fëmija është oksigjeni i jetës
Jep dashuri dhe shumë merr.

Sikur yjet t'i thërrasim
Me një nofkë a emër të ri
Jehona e zërit do të dëgjohet
Shndrisni, o fëmijë!