Jerry Langdon (Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta)

Jerry Langdon (Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta)
CIKËL POETIK NGA JERRY LANGDON - GJERMANI
 
Me origjinë nga Michigani Jugperëndimor, artisti dhe poeti Jerry Langdon, jeton në Gjermani që nga fillimi i viteve 90-të. Veprat e tij zhyten në anën më të errët të emocioneve dhe fantazisë. Jerry ka botuar pesë libra me poezi të titulluar:
- Temperate Darkness - Errësirë e Butë
- Behind the Twilight Veil - Prapa Vellos së Muzgut
- Death and Other Cold Things - Vdekja dhe Gjëra të Tjera të Ftohta
- Rollercoaster Heart - Zemra Rollercoaster
- Frosted Dreams - Ëndrra të Ngrira
Jerry Langdon është gjithashtu, Kryredaktor i revistës letrare të poezisë dhe prozës në Gjermani: "Raven Cage Zine". Frymëzimet e tij poetike rrjedhin nga poetët e njohur, si: Edgar Allen Poe, Robert Frost, Henry Wadsworth Longfellow, si dhe nga grupe të ndryshme rock. Mendja e tij në dukje jo në linjë të drejtë, përpëlitetet dhe gërsheton fantazinë me realitetin.
 
HUMNERË
 
Kur flas për humnerën
flas për zemrën dhe shpirtin tim
terrin në pafundësinë e saj
ferrin tim personal
ku nuk guxoj të strehohem.
 
Një vend plot trishtim dhe përvuajtje
që banon në zemër dhe në shpirt
që helmon trurin tim tashmë të brishtë
duke më ndotur me çmendurinë
duke më përqeshur me melankoli.
 
Kur flas për humnerën
flas për zemrën dhe shpirtin tim
për emocione plot errësirë
të mjerimit në thellësi
ku banojnë demonët e mi.
 
Demonët emotiv të cilët i quaj hije
sepse veshin zemrën dhe shpirtin tim
duke më rrethuar me barrikada të errëta
duke më përqafuar me zymtësi
duke më puthur marrëzisht.
 
Kur flas për humnerën
flas për luftën që do të vijë
kundër errësirës sime prezente
kundër zemrës dhe shpirtit tim
ku ndjehet çmenduria.
 
Fushat e betejës janë të përgjakshme
monolite të shkatërruara të një lufte të pafund
që përgjithmonë më përndjekin
duke skërmitur zemrën dhe shpirtin tim
ndërsa humnera dëgjohet.
 
Kur flas për humnerën
flas për depresionin
për urrejtjen, për kopracllëkun
dyshimin, zemërimin,
për atë çka dëm sjell.
 
BILBILI I KUQ I PËRGJAKUR
 
Një këngë që kurrë nuk e kisha dëgjuar
zemra ime çdo fjalë kuptonte
edhe pse qoftë edhe një
ndonjëherë nuk ishte shqiptuar
një pengesë e heshtur u kris.
 
Prapa asaj velloje muzikore magjike
një bilbil të kuq me gjak pashë
duke i kënduar zemrës sime të përhumbur
e cila qëllimisht në copa po shkatërrohej.
 
Këndonte një melodi të përndezur, të errët
edhe pse trishtuese, më preku.
Foli për dhimbjen e pashuar të shpirtit tim
nga zemra dhe venat kjo shpërtheu.
 
PENDË PATE NË KËLLËF
 
Tehu i tij i përgjumur në këllëf
këngët e tij të betejës nuk dëgjohen
rrëfime bindëse, të purpurta, të zbehta
veprime që donte t'i evitonte.
 
Në kalërim një këngëtar provat bën
të vërtetat që duhet të enkriptohen.
Hasmëri pendësh
një betejë pasoi.
Shkruan ferri i vjetër
dje në këllëf, atje për të qëndruar
larg shpirtit të tij të torturuar.
 
Makthet kanë pasur çmimin e tyre
përherë i shqetësuar jam
nga kujtimet e pamëshirshme 
lidhur me zinxhirë dhe i varrosur në thellësi
e megjithatë, në mendje nguliten 
Pendimi si lotët rrjedh 
përvuajtje e shumë viteve.
 
Dragonj për të vrarë
mizori dhimbjeje
këngët mbytëse të këngëtarit
në këllëf ndryshkeshin.
 
Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta Akademike, Drejtore e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese