Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -IV-)

Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -IV-)
Vazhdim nga Pjesa -III-
 
NJË E MOSHUAR KA RËNË NË LUM DHE UJI E KA BARTUR TEPOSHTË
 
Kështu filloi dita e parë në lëndinën e Bllacës. Pasi e mora pak veten, u ngrita për ta bërë një shëtitje të vogël nëpër atë turmë njerëzish për të hetuar mos po takoja ndonjë të afërm, motër, vëlla apo ndonjë kushërinj. Isha i bindur që edhe ata duhet të ishin diku këndej. Nuk kisha asnjë lajm nga ta. Pas një bredhje të shkurtër, e gjeta motrën bashkë me djemtë e saj dhe vajzat. Ajo dhimbje që më kishte gozhduar fytin pakëz u shua. Ata kishin ardhur para dy dite. Banonin në lagjen e trimave dhe i kishin dëbuar para se të na dëbonin ne. Pak më tej dëgjova një bisedë në frëngjisht, u afrova dhe për çudi takova gazetarët e Le Mond, FR3 dhe një kanadez. Ata sikur u gëzuan kur më panë, jo shumë që ndjenin dhimbje për mua por do ju shërbeja sado pak të mblidhnin informata për ngjarjet që kishin ndodhur në Kosovë.
Fillova t’u tregoj por, lotët më tradhtuan. Ishte mbushur pusi thonë tek ne. I kalova disa minuta në shoqëri me ta dhe kur u largova për të gjetur tendën tonë, pash një grumbull njerëzish që ishin grumbulluar tek lumi.
E pyeta të parin që takova se çfarë kishte ndodhur. Ai si i humbur që dukej më tha:
Një e moshuar ka rënë në lum dhe uji e ka bartur teposhtë, andej përtej kufirit me Maqedoninë.
Ishte e pamundur të fillonim kërkimin pasi që policia maqedonase nuk lejonte as të afrohemi e lëre më ta kalonim kufirin. U ktheva për në tendë i thyer shpirtërisht.
Treni i zi sillte shqiptarë të tjerë pa ndërpre. Në mesin e posa të ardhurve takova edhe disa nga fqinjët e mi, të cilët nuk patën mundësi të futeshin në trenin ku ishim ne. Ishte profesori i nderuar Isë Bicaj me gruan dhe djalin e vogël, pasi që i madhi ishte në radhët e UÇK-së. Dielli perëndoi dhe të ftohtit sa vjen e shtohej.
I mblodhëm ca degë dhe e ndezëm një zjarre sa për të tharë rrobat e lagura nga shiu që nuk pushoi gati tërë ditën. Dukej se edhe qielli po qante. Turma e fundit e asaj dite solli edhe shumë shqiptarë të tjerë të lodhur dhe të dërmuar nga frika, uria dhe pasiguria.
U drejtova për në tendë, pasi që qepallat më ishin rënduar nga pagjumësia. Tenda ishte plotë me familjarë, por edhe disa gra që nuk i njihja fare. Kur tentova të futem nën tendë një djalosh rreth të njëzetave mu afrua.
Të lutem më tha, jam këtu me gruan tim që posa ka lindur dhe nuk kemi ku ta fusim kokën fare. Si për inate, shiu nuk pushonte. I thashë le të futet gruaja me foshnjën në tendë se unë gjej ndonjë zgjidhje. E çfarë zgjidhje të gjeja përveç të shëtisja rreth tendës i kredhur në mendime. Zjarri ende lëshonte flakë dhe sado pak e zbuste atë ajër të ftohtë pranveror. Sikur kisha harruar se ishte pranverë. Jo more më dukej se dimri kishte lëshuar rrënjë dhe nuk ikte se nuk ikte. E kaluam natën me ata burra rreth zjarrit duke ndërruar fjalë. Ashtu të dërmuar vërejtëm rrezet e para të diellit që dëbuan natën e errët që më dukej se nuk kishte fund. Kollitjet e rralla të natës u zëvendësuan me shprehjet: a fjetët more burra? E sa natë e gjatë ishte kjo që iku. Tek tuk dëgjoheshin qarjet e fëmijëve që rrezet e diellit ua prishën gjumin e natës.
U afrova të tenda jonë dhe gjeta një vend sa për ta futur kokën dhe një gjumë i rëndë më tradhtoi. Fjeta, nuk e di sa orë, por vërejta se koka ishte lehtësuar pak. Baxha si vetëtima shkonte e vinte herë të një grup herë të tjetri. Na solli bukë dhe qumësht për mëngjesin e parë në Lëndinën e Lotëve të Bllacës.
U drejtova tek tenda e motrës. Një tym duhani shkonte thikë përpjetë, e dija se dhëndëri para buke e kishte zakon ta thithte një cigare. U zgjuan të gjithë dhe filluam të rrihnim mendime. Ata kishin vendosur që të lenin këtë lëndinë të mbushur me baltë. Donin të gjenin ndonjë mënyrë për të ikur drejtë Turqisë, më saktë në Stamboll, sepse atje jetonte motra e dhëndrit me familje. Më treguan që motra ime e madhe kishte kaluar kufirin dhe si duket ishin drejtua për në Shkup. E kishim atje një kushërirë që e kishte lëshuar Prapashticën dhe Kosovën, së bashku me babanë dhe nënën menjëherë pas aksionit të pushkëve të viteve ’50-ta.
Unë veç kisha vendos që të largohesha një orë e më parë nga Bllaca. Ishte e pamundur të jetohej aty me fëmijët e vegjël dhe me mungesë të të gjitha gjërave elementare për jetën. Qëndrimin këtu e bënin edhe më të rënd skenat e trishtuara të njerëzve që vuanin nga sëmundjet e ndryshme dhe nuk kishte as mjekë dhe as kujdes më të vogël sanitar. Ato rastet më të rënda, siç ishin lindjet ose sëmundjet e rënda, në saje të solidaritetit të vëllezërve tanë në Maqedoni, i bartnin me veturën e ndihmës së parë. Pati mjaftë raste të tilla që e bënte qëndrimin këtu të padurueshëm. 
Në tendë u ulëm bashkë me baxhën, babanë e gruas dhe gruan dhe e shtrova çështjen e qëndrimit të më tejshëm në Bllacë. U thash nëse ndani mendimin me mua është mirë që sonte rreth orës 17 të nisemi drejt doganës maqedonase sepse këtu nuk mund të vazhdohet më tutja. Që të tre e miratuan propozimin tim dhe filluam t’i përgatisim ato pak gjëra që kishim, kryesisht rroba për fëmijë dhe dy tri batanije që na i kishin dhuruar vëllezërit tanë shqiptarë.
Saktësisht në ora 17:00 u përshëndetëm me ata pak të njohur që mbeten ende në këtë lëndinë dhe filluam të ngjitemi përpjetë atij shpati që shinte në rrugën e asfaltuar për të arritur afër doganës. Afër 100 metra më tej, në drejtim të Kosovës ishte si të them pikënisja e atyre që duhet ta linin kampin, por ne nuk u nisëm për atje se kishte me qindra që ishin vendosur në radhë dhe kërkonte kohë për të përmbushur qëllimin tonë. Pas një ore mbërritëm afër doganës. Por, për habinë tonë ia behën njësia speciale e policisë së Maqedonisë dhe filluan të na goditnin me kërbaçë këmbëve dhe shpinës. Mi dhuruan dy tre kërbaçë se iu duk që nuk kisha pasur fatin ta njihja peshin e tij mbi trup në Kosovë, por u gënjyen...
 
Rrëfimi vazhdon...