Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -I-)

Ismail Ismaili - Rrëfimi për Bllacën (Pjesa -I-)
MË RASTISI TË SHOH DHE TË PËRJETOJ SKENA SIKUR NË FILMAT HORORR
 
Para se të filloja këtë rrëfim për atë kohë kur dita dhe nata ishin të ngjashme, të errëta, të frikshme dhe të paharrueshme. Do të shtoja edhe disa përjetime që kisha, kur punoja si përkthye për gazetarët frënge. Më rastisi të shoh dhe të përjetoj skema sikur në filmat hororr. Dua të përmend një rast shumë të rëndë dhe të dhimbshëm për një familje të Krajkovës që djalin e tyre 11 vjeç Shemsi Elshanin e qëlluan kriminelët për vdekje derisa ishte në pyll, aty sipër shtëpive, bashkë me axhën e tij për të siguruar dru të nevojshëm për familjet.
Të nesërmen e vrasjes së djaloshit të pafajshëm, u grumbulluan shumë fshatarë dhe farefis të familjes, por edhe një numër i madh gazetarësh nga të gjitha anët e botës që ishin të akredituar në Kosovë. Ndodhi një e papritur dhe e pabesuar, por nuk e thonë kot të mençurit që “shkjaut nuk i zinet besë”. Të afërmit e familjes e kishin hapur varrin nëpër natë, por me të gdhirë dita paramilitarët serbë shtinin me armë në drejtim të varrezave kështu që pengonin që ceremonia mortore të kryhej sipas zakonit.

Babai i çunit të ndjerë, me dhimbje u kërkonte të afërmve që ta hapnin një varrë në oborr të shtëpisë sepse i frikohej më të keqes. I njoftuam gazetarët për këtë marrëzi. Ata vendosën që me xhipet e tyre të bënin një rreth mbrojtës pranë varrit. Ashtu edhe ndodhi dhe varrimi u krye me nxitimin më të madh të mundshëm.
Kam edhe shume e shume ndodhi për të rrëfyer për 4 vjet sa punova me gazetarë, por këtu nuk është vendi për të folur më gjatë.

Dua vetëm të rrëfej edhe për 22 marsin e ‘99. Rreth orës dhjetë të mëngjesit u nisëm nga Prishtina për në Gllogoc, me drejtorin e AFP-së në Bukuresht, por në rrugë e sipër punktet policore serbe ishin tepër të shqetësuara. Mbërritëm në shkollën e Mesme në Gllogoc ku ishin grumbulluar hiç më pak se 20 000 persona të ikur nga lufta që zhvillohej në fshatrat përreth.
Gazetari i AFP-së mori telefonin dhe lajmëroi zyrën e AFP-së në Beograd, për këtë ngjarje të dhimbshme, por ata nuk ia miratuan lajmin, prandaj u detyrua të telefononte, dihet me telefon satelitor, në Paris. Nga atje, kërkuan që ky lajm të konfirmohej nga ndonjë organizatë ndërkombëtare që të jetë i vërtetuar. Pak me tej shkollës “Mercicorps” shpërndante gjëra ushqimore. U afruam tek përgjegjësi që shpërndante miell dhe gjëra tjera dhe e pyetëm për numrin e të strehuarve në shkollë. Fatmirësisht ai fliste anglisht. Nuk e kuptoja mirë çfarë po thoshte, por gazetari më tregoi që ai e konfirmoi se jo vetëm 20 000, por 22 000 persona ishin te strehuar në shkollë. Gazetari francez më tha:
Ismail ky është lajmi i parë në botë që do të qarkulloje për këtë katastrofë njerëzore.
Të pasnesërmen (dmth 24 mars) erdhi edhe drejtori i AFP-së në Athinë, dhe u nisëm si zakonisht në ora dhjetë për Gllogoc, me të mbërritur në Sllatinë, aty ku është tani ura që ndanë rrugën për aeroport, na dolën përpara policia, paramilitarët dhe ushtarët.
Një komandant na pyeti se për ku ishim nisur?
I tregova që jemi drejtuar për në Gllogoc.
Na i kërkoi dokumentet dhe duke i kontrolluar filloi të shante dhe të bërtiste: Si ka mundësi ta mbroni një popull që nuk është popull, nuk ka histori, as kulture dhe asgjë, ndaj bombardoni një popull paqësor, një nga bashkëpunëtoret tuaj në shekuj - “Kako je moguče da branite jedan narod koji i nije narod nema istoriju, ni kulturu ni ništa, pa bombardirate jedan mirolubivi narod, jedan vaš saradnik vekovima“dhe duke u çjerr kësi soji me sharje e britma i hodhi pasaportën e gazetarit dhe letërnjoftimin tim mbi asfalt.
I thash gazetarit që t’i merrte sepse kisha frikë që do të na vriste. Po nuk ndodhi më e keqja. U kthyem në Prishtinë, por gazetari si gazetari më, kërkoi që të marrim rrugën për në Prizren në mënyrë që pasi ta kalonim Qafën e Duhles të kthenim për Malishevë. U nisëm. Rrugës nuk takuam askund as edhe një makinë të vetme. Kur morëm të tatëpjetën e Carralevës, në përroin në anën e majtë tonën, vërejta tanke të mbuluara me tallë dhe dushk. Edhe ky tentim na dështoi, prandaj në ora 17 u kthyem në Prishtinë. Pranë postës u ndamë, për tu mos u parë më kurrë me të. Them kështu se në ora 24 i ndoqën të gjithë gazetarët që ishin në Kosovë.  

Në ora 20 filluan bombardimet dhe nata e errët ndriçohej nga shpërthimet që dëgjoheshin në Kazermën pranë Dardanisë dhe depon e armëve në Hajvali. Të nesërmen turma të  shumta njerëzish, në mëngjes ngarendnin për të siguruar ushqime. Unë nga ballkoni i banesës shikoja këtë ngjarje të paparë. Rreth orës dhjetë e gjysmë dëgjova tri krisma të ftohta revoleje dhe pranë postës e pash një njeri që u plandos për tokë, të tjerët ua mbathën këmbëve, si thotë populli “kah sytë andej edhe këmbët”. Kufoma e të vrarit qëndroi aty deri në ora shtatëmbëdhjetë e pasdites. Të nesërmen u përhap lajmi se ai i ndjeri, kishte qenë Afrim Loxha...
rrëfimi azhdon nesër