INTERVISTË ME LAURA STAMPS
Laura Stamps është një poete dhe romanciere e vlerësuar me çmime. Poezitë dhe tregimet e saj të shkurtra janë botuar në mbi 2000 revista dhe revista letrare në mbarë botën. Ajo ka botuar 65 romane, novela, përmbledhje me tregime të shkurtra e libra poetikë me botues të ndryshëm. Libri i saj me poezi “The Year of the Cat” (Viti i Maces) u nominua për çmimin Pulitzer në vitin 2005. Ka marrë 7 nominime për çmimin Pushcart dhe ka fituar çmime të shumta, duke përfshirë edhe Muses Prize. Për më shumë se 30 vjet, librat e saj janë pjesë e këtyre koleksioneve të përhershme: Koleksioni Poezi & Libra të Rrallë i Universitetit Shtetëror në New York (Buffalo, NY); Koleksione të veçanta në Bibliotekën James B. Duke, Universitetin Furman (Greenville, SC); dhe Koleksioni i Përhershëm, Biblioteka Gandhi (Mbretëria e Bashkuar). Mund ta gjeni çdo ditë në Facebook (Laura Stamps) si dhe në faqen e saj të internetit: www.LauraStampsFiction.blogspot.com.
IRMA KURTI: Ju keni botuar 65 libra me poezi dhe prozë. E mbani mend çastin kur shkruat poezinë e parë?
LAURA STAMPS: Po! Nuk do ta harroj kurrë. Asokohe isha një artiste e suksesshme. Por atë ditë, ditën kur shkrova atë, poezinë e parë, ishte dita kur përfundoi karriera ime artistike. Në shkollë të mesme dhe në kolegj mësuesit e anglishtes më thonin gjithmonë se kisha talent për të shkruar. Por unë jam disleksike. Kisha vështirësi me gramatikën, drejtshkrimin dhe pikësimin. Kisha gjithashtu edhe talent artistik. Të pikturoja ishte më e lehtë dhe kisha fituar shumë çmime të artit në shkollë. Kjo më dha nxitje për t'u diplomuar në Artet e bukura në kolegj dhe për të ndjekur artin si karrierë. Në vitin e fundit në shkollën e mesme fillova t’i shes pikturat e mia në festivale arti dhe vazhdova ta bëja këtë në dymbëdhjetë vitet e ardhshme. Pas kolegjit, pikturat po më shiteshin në galeri të ndryshme në të gjithë vendin. Printime të pikturave m’u botuan nga botuesi im i arteve të bukura në Kaliforni (Haddad's Fine Arts, Inc.) duke u shitur në mbarë botën në galeri, dyqane kornizash si dhe një sërë dyqanesh si Bed, Bath, and Beyond, Target, K-Mart, etj. Pra, deri atëherë kisha ndërtuar një karrierë të suksesshme artistike. Por një ditë bleva një revistë “Writer's Digest" në librarinë lokale Waldenbooks. Më pëlqeu çdo fjalë në të, veçanërisht rubrika me poezi që drejtohej nga Judson Jerome. Ishte ajo që më frymëzoi të shkruaj poezinë time të parë. Ç’poezi e tmerrshme ishte! Nuk e kisha idenë se ç’po bëja. Por isha e magjepsur nga dëshira për të shkruar. Nxorra të gjithë librat e mi të gramatikës së anglishtes në kolegj, studiova si e çmendur dhe porosita disa libra nga "Writer's Digest Book Club" lidhur me atë se si të shkruaj poezi, prozë dhe dokumentarë. Lexoja, studioja, shkruaja çdo ditë, u dërgoja krijime revistave dhe përfundimisht e kapërceva disleksinë time. Mund ta imagjinoni se sa shumë do të thoshte për mua nominimi për çmimin Pulitzer 2005 për librin me poezi “Viti i maces”, duke marrë parasysh pengesat që m’u desh të kapërceja për ta arritur atë! Sot kam botuar mbi 65 libra me poezi, përmbledhje me tregime të shkurtra, romane e novela me botues të ndryshëm. Shumë nga romanet dhe novelat e mia kanë qenë muaj apo vite në listat e librave më të shitur në Amazon. Tregimet dhe poezitë e mia janë botuar në mbi 2000 revista dhe antologji letrare në mbarë botën. Kam marrë 7 nominime për çmimin Pushcart dhe kam fituar çmime të panumërta. Këtë vit novelat e mia “The Good Dog” (Qeni i mirë - Prolific Pulse Press) dhe “Addicted to Dog Magazines” (I varur nga revistat për qentë - Imppired) u botuan në prill dhe në maj. Në tetor shtëpia botuese Kittyfeather Press do të botojë librin tim me poezi “Shoqja ime më thotë se dëshiron një qen”.
IRMA KURTI: A shkruani çdo ditë dhe sa orë i dedikoni të shkruarit? Si është dita juaj e zakonshme?
LAURA STAMPS: Unë kam dy zyra në shtëpi dhe punoj me orar të rregullt (7:00-16:00). Jam shkrimtare me kohë të plotë. Dita ime e të shkruarit fillon në mëngjes. Punoj me poezitë ndërsa ha mëngjes, drekë dhe ndonjëherë darkë. Skicën e parë të një poezie e shkruaj me dorë në një bllok shënimesh të vogël 3x5 të lidhur me spirale. Skicat e para të poezive dhe poezinë me të cilën jam duke punuar aktualisht i mbaj në një fletore 5,5 x 8,5. Pasi mbaroj redaktimin e parë të një poezie, e shtyp në kompjuter dhe e printoj për ta redaktuar. Dhe kështu punoj derisa ta përfundoj një poezi (redaktoj me dorë, hedh redaktimet në kompjuter dhe i printoj për të vazhduar redaktimin). Pasditet ia dedikoj redaktimit. Çdo poezi i nënështrohet 40-50 redaktimeve. Kur poezia është gati, e dërgoj në ndonjë revistë dhe filloj të punoj për poezinë tjetër. Jam një poete prozaike, që do të thotë se çdo poezi që shkruaj bazohet mbi “historinë” e përmbledhjes poetike për të cilën jam duke punuar aktualisht. Rrallëherë bëj pushim pasi mbaroj një libër me poezi. Deri atëherë, kam vendosur tashmë për temën për librin e ardhshëm me poezi dhe jam në ankth derisa të filloj.
IRMA KURTI: Çfarë i bën poezitë tuaja unike?
LAURA STAMPS: Unë shkruaj me një stil të rrjedhës së vetëdijes. Edhe pse ky stil mund të duket kaotik, në të vërtetë është mënyra sesi nënndërgjegjja i lidh mendimet së bashku. Dhe kjo është arsyeja pse merr kuptim në mendjen e lexuesit. Më pëlqen ta shtyj këtë stil sa më tepër që të jetë e mundur. Është perfekt për krijimin e formave eksperimentale, të cilat më pëlqejnë gjithashtu. Mendoj se arsyeja pse ky stil më tërheq është sepse është i strukturuar në të njëjtën mënyrë që një artist pikturon një pikturë abstrakte. Dhe unë patjetër e gjej veten në këtë! Gertrude Stein është e famshme për poezitë dhe tregimet e saj me këtë stil. Virginia Woolf ka shkruar një roman të tërë në këtë stil (“Dallgët”). Megjithatë, poetja ime e preferuar është Anne Carson. “Autobiografia e së Kuqes” dhe “Bukuria e burrit” janë disa nga librat e saj. Çdo libër i saj është shkruar në stile dhe forma të ndryshme. Është një poete e mahnitshme. Gjithmonë novatore. Gjithmonë argëtuese.
IRMA KURTI: A keni përjetuar ndonjëherë bllokun e shkrimtarit?
LAURA STAMPS: Jo. Asnjëherë. Në momentin që mbaroj një libër, jam gati të filloj tjetrin.
IRMA KURTI: E konsideroni veten një poete të suksesshme?
LAURA STAMPS: Askush nuk ma ka bërë këtë pyetje më parë. Sa pyetje e bukur! Në shumë mënyra mendoj se jam. Unë kam pasur gjithmonë fatin të jetoj nga shkrimet e mia. CV-ja ime e të shkruarit është mbi 80 faqe e gjatë me libra të botuar, kredite botimesh revistash, çmime etj. Atë e mbaj në një fletore të madhe me 3 unaza. Ky është një tregues i suksesit. Mendoj se një tregues tjetër është fakti se më pëlqen ajo që bëj. Më vijnë vazhdimisht në mëndje ide e poezi të reja. Ende më pëlqen t'i shkruaj dhe t'i modifikoj ato. Ende më pëlqen t’ua dërgoj revistave dhe të botoj libra. Dhe dua të eksploroj akoma më shumë në zanatin e poezisë.
IRMA KURTI: Çfarë u këshilloni poetëve dhe shkrimtarëve të rinj?
LAURA STAMPS: Lexoni! Lexoni gjithçka që ju vjen në dorë. Sidomos, poetët e shkrimtarët e mëdhenj që kanë shkruar para jush në zhanrin që ju keni zgjedhur. Mësoni nga poezia e tyre duke i copëtuar poezitë e tyre fjalë për fjalë. Studioni mënyrën e formimit të fjalive dhe strukturimin e rreshtave për të arritur një efekt të caktuar. Çdo poet duhet të jetë lexues i mirë, të studiojë autorët e mëdhenj, të shkruajë çdo ditë dhe t'u dërgojë çdo muaj krijime revistave. Kjo është në të vërtetë gjithçka që duhet të bëni për të qenë një shkrimtar i mirë.
Intervistoi IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali