Arben Iliazi - Cikël poetik

Arben Iliazi - Cikël poetik
ARBEN ILIAZI
 
Arben Iliazi u lind më 1 mars 1963 në Sarandë. U diplomua në Fakultetin e Filologjisë në Tiranë në vitin 1988. Deri në vitin 1991 punoi si skenarist dhe më pas iu përkushtua gazetarisë, si gazetar dhe kryeredaktor në disa të përditshme në kryeqytet. Njihet si poet, eseist dhe dramaturg.
 Vepra poetike
“Vrundull” (Eurorilindja, Tiranë 1994)
“Urtësitë  e detit” (Eurorilindja, Tiranë 1997)
Ese
“Për paqen, kundër paqes”, (Eurorilindja, Tiranë 1998)
Drama të inskenuara:
–“Ciceroni prej plasteline”,  komedi 1990, Teatri profesionist Sarandë, regjia Thoma Milaj.
-“Burri im me zero kilometër”, (komedi-2009) Teatri Aleksandër Moisiu, Durrës, regjia Milto Kutali – Donard Hasani.
-“Trashëgimtari”, (komedi-2018), Teatri Kombëtar Eksperimental, regjia Milto Kutali.
– “Farsa e Kurorës” (komedi-2020) Teatri Zihni Sako, Gjirokastër, regjia Ledian Gjeçi.
-“Me një këmbë në Parajsë”, monodramë, (Tiranë-2021), Atelier 31, regjia Milto Kutali .
- “Osman Taka”– dramë historike (Tiranë 2023), regjia Naun Shundi, producent Alket Veliu.
-“Delirium” (dramë - viti 2012), vlerësuar në
edicionin e 10-të të ETC (European Theatre Convertation – Komiteti Europian i Teatrit) në Teatër Bienale në Wizbaten të Gjermanisë, ku autori është shpallur si një ndër 100  autorët më të mirë në Europë.
Botime dramaturgjike:
-“5 vepra dramatike” (përmbledhje dramash, Neraida-2003)
-Spiritus – dramë (2004)
-Tersi i Zululandit – komedi (2006)
-Dhëndërri nga Evropa – komedi (2007)
 
 
BIOGRAFI
 
Doemos
Një shpjegim
Gjithkush
Duhet ta ketë
Kam lindur
në një vdekje
Kam vdekur
Në një jetë…
 
Kaq
Mbaj mend.
 
ARRATISJE
 
Ja më në fund dhe unë po… iki…i lodhur
Te guaskat e ishujve të padukur
Drejt të njohurës sime të panjohur
Ku hënat ëndërrojnë strukur.
 
Deti më përcjell si ngaherë
Mendimet llokoçiten
kafshuar nga keqardhja!
Djegin lotët nga ankthi i mermë
Shkrihen si dallga te dallga.
 
Po iki…ja po iki
Nga vetja ime, e të tjerëve
Me të fshehtat e mia
të rri mbyllur
Dhe me zbardhëllimin
e ditës së palindur….
 
Përthyer mbi mua
me rreze drite larë
Një vegim duket
e zhduket si far
 
Te vetja e të tjerëve
kurrë s’keni për të më parë …
 
TE LUMENJTË
 
Te lumenjtë që shkojnë poshtë dheut
si një notar i pastërvitur
lundroj
fill i vetëm në këtë botë,
që t’i rrëfej detit
rininë e shkuar
diku jashtë vetes sime.
Dhe brengën
e pikturuar
mbi ujëra
të fatit
që epshet shoi
e shuan
në batica të verdha
mëkati…
 
HOMAZH
 
Jeta e njeriut të ikur
gjithnjë na rri në sy
duke pëshpëritur
plot lemeri
e ofshajë,
duke fërgëlluar
oqeanit të thellë
pa velë
e pa direkë,
ku mes reflektimesh
harkohet dielli
perëndimi,
i dehur prej dashurisë
epsharake të harrimit.