Lindita Azizi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Lindita Azizi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” - Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
NJË FERR I GJALLË KU FRYMUAN BASHKË JETA DHE VDEKJA
 
Lindita Azizi
 
...Udhën që përshkon pikëkalimin kufitar të Bllacës e kam të pashmangshme. Nga Prishtina
drejt Shkupit për të vazhduar në Ohër dhe anasjelltas, Bllaca , kjo copë tokë e askujt, është aty, duke më rikthyer gjithmonë nëpër horizontet e Dantes. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, në dukje gjithçka ka pamje tjetër, stinët veshin e zhveshin natyrën, ndryshojnë bashkudhëtarët por
vetëm ndjenja mbetet e njëjtë...
Bllaca e prillit të vitit 1999, një ferr i gjallë ku frymuan bashkë jeta dhe vdekja, ashtu të gërshetuara. Shqiptarët të dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre nëpër Kosovë, që me vete bartnin trishtimin në sy dhe dhunën që shihej e ndjehej, u përballën me një polici legale shtetërore të ngarkuar me nostalgjinë e Serbosllavisë. U harruan dhe u shkelën shpesh normat ligjore.
Mbyllja e kufirit me arsyetimin qesharak se do të ndryshonte pamja etnografike e Maqedonisë, pastaj pengesat e shumta formale dhe burokratike që u bëheshin të dëbuarve të cilët prisnin me ditë të tëra në qiell të hapur, qenë episodi i dytë i tragjedisë shqiptare.
Nuk mund ta harroj asnjëherë deklaratën e nënkryetares së atëhershme të qeverisë maqedonase, Radmila Kiprijanova, se “refugjatët ikin nga Kosova si rezultat i bombardimeve të NATO-s”. Ky
ishte arsyetimi se pse “procedurat e pranimit të refugjatëve në kufi janë ngadalësuar për shkak të frikës së hyrjes së personave të përfshirë në luftë dhe mundësisë së bartjes së armatimit”. Asnjëherë nuk foli për turmën që priste me ditë të tëra. Ishin pleq, gra, shtatzëna, lehona, fëmijë, foshnje. Asgjë për ata që vdisnin në pritje...
E si mund të harrohet nofka “stampedo” siç i pagëzoi, zëvendësministrii atëhershëm i Punëve të Jashtme, Boris Trajkovski, shqiptarët që iknin nga shfarosja serbe. Trajkovski, që më vonë me votat e shqiptarëve u bë edhe kryetar shteti, mbylli kufijtë për të festuar Pashkët, duke i quajtur kafshë ata që prisnin të hyjnë, ata që rrugëve ilegale depërtonin për të ndihmuar, aktivistë humanitarë, gazetarë e njerëz të mirë. Ishin shqiptarë të gjithë...
Fushëgropa e Bllacës, ku hyja e dilja rrugëve ilegale, herë si gazetare e herë si aktiviste humanitare, vazhdon të mbesë dhimbje e pashërueshme, me të cilën ka vite që bashkëjetoj...
Në Bllacë vdiqën gratë e reja që me aq gëzim kishin ëndërruar vajin e ëmbël të foshnjave që do t'i bënin nëna. Pastaj të thinjurit që do të bëheshin gjyshër e gjyshe...