NË SIPARIN E KOHËVE
Çfarë të gjeti,moj kohë,
që s'më lë të eci në udhën tënde?
Hidhe poshtë sedrën tënde,
si cigarën që digjet ngadalë në harresë.
Jam një mysafire, si ti, në këtë gjithësi,
unë, krijesë frymore;
ti,hije e padukshme, enigmatike.
Eca me kronometër mbi orët e caktuara,
por çanga ka filluar té më trazohet në shpirt,
stonon në ritmin tim.
Fluturat,lozonjare si kujtimet,
më vijnë vërdallë si lajmëtare të stinëve,
por s'e di:për cilën stinë duhet të vishem,
cilin mantel të hedh mbi shpirt?
E di ti,moj kohë e pakohë,
se më je bërë si shtrigat e vjetra
që më ndjekin në çdo frymëmarrje timen?
Unë, si për dreq, të klasifikoj,
Si një kohë "të çmendur"
me një dashuri të humbur ndër deje.
Më lër rehat, moj kohë e sinkronizuar,
më lër të zbavitem,
të endem mes njerëzve të pafundësisë.
Kjo imagjinatë më bën të lumtur pambarim,
në piklat e shiut, kur era fillon rrebelimin ,
kur lulet më bëhen të gjitha të miat, në të gjitha kohërat.
Autore:Sherife Allko
06.11.2025