Botime të reja (Përgatiti Angela Kosta)

Botime të reja (Përgatiti Angela Kosta)
OPTIKA NDAJ CËNIMIT TË TË DREJTAVE TË NXËNËSVE - SUELA BOÇI
 
Në librin, “Optika ndaj cenimit të të drejtave të nxënësve”, publikuar nga Shtëpia Botuese Fast Print, me realizimin e kopertinës, faqosjen dhe dizajnin nga Dibran Fylli, autorja Suela Boçi ka synuar në thelb një studim të kombinuar cilësor dhe sasior dhe si i tillë të studiojë natyrën e dhunës ndaj fëmijëve në shkollë, me: format, arsyet, pasojat, ushtruesit, intensitetin, qëndrimet, alternativat ndaj dhunës mbi nxënësit duke nxjerrë në pah prirjen si fenomen për të mos u shprehur për dhunën e ushtruar edhe kur ajo është e dukshme.
Dhuna emocionale/psikologjike përfshin mossigurimin e një mjedisi të përshtatshëm për zhvillimin e mbështetjen ndaj fëmijës, përfshirë këtu mundësimin e një figure parësore për atashim me qëllim që nxënësi të zhvillojë zotësi të qëndrueshme emocionale dhe sociale në përshtatje me potencialin e tij personal, dhe në kontekstin e shoqërisë ku jeton. Dhuna psikologjike shoqërohet me përjetime të pakëndshme, ndaj gjatë këtij studimi bëhet një përpjekje për t'i gërshetuar shkaqet, arsyet, pasojat me qëllim që të prekë problemin e dhunës në gjithë kompleksitetin e tij.
Në këtë studim, Suela Boçi ka synuar që të analizojë çështje konkrete dhe reale, duke synuar të jap përgjigje në lidhje me format e dhunës psikologjike; përmasat e saj në disa shkolla 9- vjeçare; arsyet dhe pasojat e përdorimit të dhunës; ashpërsia apo shkalla e dhunës që përdoret; qëndrimet që mbahen ndaj dhunës, nëse ka mbështetje ligjore kundër përdorimit të dhunës dhe sa zbatohet ajo. 
Në lidhje me metodologjinë janë kryer teknika të kërkimit të cilat konsistojnë në pyetësorë si dhe vëzhgime në ambientet shkollore gjatë pushimit të gjatë, të cilat autorja i ka përshkruar të detajuara në metodologji.

Në studim u jepet përgjigje pyetjeve të listës së mëposhtme:
- Cilat janë format e dhunës?
- Cilat janë përmasat e saj?
- Cilat janë arsyet pse dhunohen nxënësit?
- Çfarë pasojash ka përdorimi i dhunës?
- Cilët janë ushtruesit kryesorë të dhunës?
- Sa e ashpër është dhuna që përdoret? Çfarë qëndrimesh mbahen ndaj dhunës?
- A kemi mbulim të mirë ligjor kundër përdorimit të dhunës?
- A ekzistojnë programe që merren drejtpërdrejt me parandalimin, studimin, rehabilitimin, etj?
Në këtë studim, Suela ka dashur të bëj një thirrje të fortë për dhunën ndaj nxënësve në shkolla, formë kjo dhe motiv që të jetë kundër dhunës psikologjike që bëjnë mësuesit ndaj nxënësve.
              
      BIOGRAFIA E AUTORES
 
Suela Boçi ka lindur në qyetitn e Elbasanit, ku ka kryer edhe studimet e larta në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, në degën e mësuesisë. Aktualisht, Suela e ushtron edhe sot këtë profesion. Gjithashtu ka kryer studimet për Master Shkencor në fushën e Arsimit në Universitetin e Tiranës. Suela ka mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (Tiranë), gjuhët: anglisht dhe italisht. Gjatë këtyre viteve ka marrë pjesë në trajnime të ndryshme dhe konferenca kombëtare në fushën e arsimit ku është pajisur me disa certifikata. Gjithashtu është vlerësuar nga “International Forum Creativity and Humanity” (IFCH), për kontributin e saj në fushën e Kulturës. Aktualisht, Suela është redaktore në portalin Orfeu.al, si dhe në revistat fizike: Orfeu në Kosovë dhe Miriade në Itali.

Përgatiti Angela Kosta