Bajram Kabashi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”

Bajram Kabashi - Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99”
Fragmente të shkëputura nga libri “Bllaca ‘99” -Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe
 
BLLACA, BALTA KU E HODHËN NJË POPULL!
 
Bajram Kabashi
 
Nuk kaloi kohë e gjatë dhe treni u ndal pranë kazermës ushtarake në të dalë të Prishtinës, pak para hyrjes në Fushë-Kosovë. Aty priti nja dy orë. Qëllimi ishte i qartë, por fatmirësisht shumica e atyre me të cilët ishim në një kupe nuk e dinin qëllimin e ndalesës. Fati na ndihmoi që asnjë raketë e NATO-s të mos godiste kazermën e cila edhe më parë ishte goditur. Treni me mijëra njerëz u ndal për t'u shndërruar në shënjestër të NATO-s. Më vonë u nis duke u ndaluar më pak në Fushë-Kosovë dhe në dy-tre vende të tjera, derisa me dy prill, në orën tre të mëngjesit e kaluam kufirin e Kosovës dhe hymë në Bllacë, brenda kufirit të Maqedonisë.
Në Bllacë nisëm një jetë të vështirë, me të cilën s'ishim mësuar, ashtu siç ishin “mësuar” drenicakët dhe shqiptarët e tjerë të disa anëve të Kosovës, që në vitin e fundit kishin kaluar zi e më zi, duke iu nënshtruar; masakrave, vrasjeve dhe urisë. Por, në kuptimin logjik tanimë ishte më keq për të gjithë ne, sepse shteti pushtues i Serbisë po shpërngulte një popull të tërë. Kërkuam disa vende për t'u ulur dhe kur e gjetëm një vend që na u duk pak më i përshtatshëm, u ulëm mbi disa çanta dhe filluam të hanim pak bukë nga rezervat që kishim me vete. Bukën nuk e kapërdinim dot!
Bllaca në të gjithë hapësirën e vet ishte e mbushur me mizërinë e njerëzve, ndërsa gjelbërimi pranveror ishte më i dukshëm sesa në Prishtinë, pasi vendi i nënshtrohej më shumë klimës mesdhetare. Bari kishte filluar të rritej, ndërsa plepat buzë Lepencit kishin nisur të çelnin sythat e parë të bulimit. Mendoj se fjalët nuk mjaftonin për të shpjeguar gjithë atë që filloi të na ndodhte. Moti u prish shpejt dhe nisi të frynte ere e të binte shi, një shi e një i ftohtë që të prekte në palcë. Fëmijët menjëherë zunë të kolliteshin…
 
NËN QIELLIN E HAPUR TË BLLACËS, NË FILLIM TË PRILLIT 1999
 
Në Bllacë shumë shpejt filloi një jetë e re për popullin e Kosovës. Aty zbrazej Kosova dhe kosovarët kurrë nuk kanë qenë më afër njëri-tjetrit, sesa që ishin aty!
Askush, as njerëzit me imagjinatën më të bujshme, nuk kanë mundur ta mendonin më parë sesi aq shumë njerëz do të mund të grumbulloheshin në një hapësirë të tillë “asnjanëse”, në një trekëndësh natyror ndërmjet rrugës automobilistike Shkup-Prishtinë dhe Lepencit. Vështirësia ishte punë e madhe. Ndoshta Bllaca ka për të mbetur në historinë e përbotshme si shembull se si politika kriminale e Serbisë së Sllobodan Millosheviçit, e hidhte nga trenat një popull si të hidhte pleh e jo krijesa njerëzore...