Ymrije Beqiri

Ymrije Beqiri
LIRIA KA EMËR
 
Ejani, vendi ju pret,
kthehuni, o trima,
çdo rrugë po ju thërret,
Në hyrje, çdo shtëpi
mban ende fotot tuaja.
 
Çdo fushë e çdo kodër
ka emrin tuaj të shkruar,
me tri shkronja të arta,
UÇK,
si vulë mbi tokën e lirisë,
si betim që s’harrohet kurrë.
 
Kthehuni, o faqebardhë,
se vendi juaj ju pret,
ju pret nëna me mall në sy,
ju pret motra, ju pret vëllai,
ju pret ajo derë
ku dikur dolët për herë të fundit.
 
Kthehuni, o trima,
me flamurin në zemër,
me një amanet mbi supe:
“Mos e lësho tokën e të parëve,
mos e lësho lirinë!”
 
Dhe sot, kur flamuri valon,
kur fëmijët ecin të lirë,
kur shqipja dëgjohet në çdo anë,
emri juaj ngrihet lart,
bashkë me shqiponjën dykrenare.
 
Liria nuk erdhi vetë,
ajo erdhi me rrugëtimin tuaj,
me lotët e nënave,
me dhimbjen e motrave,
me pritjen e gjatë të familjeve,
me sakrificën tuaj të madhe.
 
Prandaj, o trima,
Kthehuni, sepse ju jeni
liria nëpër këto rrugë,
në këngët tona,
në vargjet tona,
në flamurin që valon.
 
Jeni vetë liria
sa herë që një nënë
ua mëson fëmijëve emrin tuaj,
sa herë që një poet
e shkruan historinë tuaj,
sa herë që një fëmijë pyet:
“Kush na e solli lirinë?”
 
Atëherë toka përgjigjet:
“Mos i harroni ata
që luftuan për mua!”
 
Sepse liria ka emër,
ka gjak, ka lot, ka dhimbje,
ka varre dhe amanete…
dhe mbi të gjitha,
ka emrat tuaj të pavdekshëm.
 
Por ju na latë një fjalë
që duhet ta mbajmë gjallë:
mos e harroni sakrificën!
 
Na latë amanet tokën,
na mësuat ta duam flamurin,
duke ruajtur  gjuhën dhe kujtimet
na latë një Kosovë
që duhet ta duam
 
E nëse një ditë
brezat tanë harrojnë
se sa kushtoi liria,
le të flasin gurët,
le të flasin varret,
le të flasin nënat
që ende i mbajnë lotët në sy.
 
Le t’u thonë fëmijëve:
“Mos e merrni lirinë si të dhënë,
se dikush e pagoi
me rininë,
me gjakun,
me jetën e vet.”
 
Prandaj sot po ju themi
me zë të lartë, o trima
 
Kthehuni, o faqebardhë!
Kthehuni në çdo flamur,
në çdo këngë,
në çdo zemër shqiptare!
 
Se sa të ketë diell mbi këtë tokë,
sa të valojë flamuri kuqezi,
sa të flitet shqip
nën qiellin e Kosovës,
ju do të jetoni !
 
Sepse liria ka emër…
dhe emri i saj
është shkruar me shkronja të arta
në zemrën e atdheut.
 
LIRIA KA EMËR -
DHE EMRAT TUAJ
DO TË JETËSOJNË
SA TË JETËSOJË KOSOVA!
 
Ymrije Beqiri