Novelë:
I. FAREONI DHE PESHA E TRASHËGIMISË GJATË PUSHTETIT TË PËRJETSHËM!
Nga Safet SADIKU
Profesori e nisi ligjëratën pa hapur librin. E vendosi dorën mbi tavolinë dhe tha se historia nuk ecën gjithmonë mbi këmbët e saj! Ndonjëherë ajo mbahet mbi shpinën e iluzioneve. "Ruajuni," tha ai, "atyre që besojnë se koha është shërbëtorja e pushtetit." Ato fjalë më ndoqën për vite të tëra. Një mbrëmje i dëgjova përsëri, jo në auditor, por në bregun e detit shqiptar. Valët godisnin shkëmbinjtë me një ritëm të lashtë, sikur recitonin emrat e mbretërive të rëna. Dielli zbriste ngadalë mbi ujë dhe rrezet e tij copëtoheshin në mijëra pasqyra të vogla. Flamingot, të mbledhura në lagunë, ngrinin kokat drejt horizontit, sikur prisnin një lajm që vinte prej detit. Deti nuk fliste me fjalë. Ai fliste me zhurmën e valëve. Këtu është Shqipëria, dukej se thoshte çdo dallgë. Këtu është deti. Askush nuk është më i madh se bregu që e pret dhe as më i gjatë se koha që e gërryen. ...Në demokracitë moderne, referendumi është çasti kur zëri i qytetarit ngrihet mbi zërin e pushtetit. Ai nuk është thjesht një votim, por kujtesa se sovrani nuk banon në pallate, as në zyra të blinduara, por në ndërgjegjen e lirë të popullit. Profesori ynë i filozofisë politike na përsëriste se çdo regjim që i trembet fjalës së qytetarit, në të vërtetë i trembet kohës. Historia njeh shumë sundimtarë që ngritën monumente për veten, por shumë pak që pranuan t'ia linin vendimin popullit. Pikërisht aty fillon rrëfimi i Fareonit: në çastin kur pushteti kërkon të zëvendësojë vullnetin e qytetarëve me hijen e vet, duke harruar se edhe piramidat më të larta nuk arrijnë të mbulojnë horizontin e lirisë. ...Në një çast m'u kujtua profesori. "Në çdo epokë," kishte thënë ai, "lind një Fareon. Jo domosdoshmërisht me kurorë. Ndonjëherë me kostum, me podium, me kamera e duartrokitje. Ai nuk ndërton vetëm pallate. Ndërton bindjen se pa të nuk mund të lindë mëngjesi." Atëherë kuptova se fareonët nuk jetojnë në shkretëtira. Ata mund të lindin edhe pranë detit, aty ku era mban ende aromën e kripës dhe të lirisë. Deti nuk u përkul para perandorëve, as para mbretërve, as para sekretarëve të partive dhe as para kryeministrave. Valët e tij kanë parë anije ilire, galera romake, flotat osmane dhe vaporët modernë. Të gjitha kanë kaluar. Vetëm zhurma e ujit ka mbetur e njëjtë. Flamingot ngritën fluturim. Për një çast dukej sikur qielli po shkruante me pendë rozë një fjali që askush nuk mund ta fshinte: "Njeriu është kalimtar. Shteti duhet të mbetet." E pikërisht këtu fillon historia e Fareonit. Ai nuk është një emër. Është një sëmundje e pushtetit. Është çasti kur shërbimi kthehet në pronësi, kur institucioni bëhet dekor dhe ligji pret lejen e sundimtarit për të folur. Atëherë lind ajo që e kam quajtur, piramida e re: jo prej gurësh, por prej propagande, heshtjeje dhe frike. Por deti nuk njeh piramida. Ai i lag të gjithë gurët njësoj. Ai ua fshin emrat atyre që besuan se mund ta burgosnin kohën. Dhe çdo mbrëmje, kur dielli bie mbi Adriatik e Jon, valët vazhdojnë të përsërisin të njëjtën dëshmi para flamingove, para qyteteve dhe para fareonëve të politikës: "Këtu është deti i Shqipërisë. Ai nuk njeh pushtet të përjetshëm." Në një nga ligjëratat e filozofisë për kapitalizmin, na thoshte profesori se historia e njerëzimit ka njohur shumë sundimtarë që besuan se pushteti i tyre ishte më i fortë se koha. Ata ngritën pallate, ndërtuan monumente dhe urdhëruan që emri i tyre të gdhendej në gur, me shpresën se do të jetonin përgjithmonë. Fareoni është logjika më e fuqishme e këtij iluzioni: njeriu që e shikon veten si të pavdekshëm, ndërsa popullin si një mjet për ta ushqyer lavdinë e tij. Fareoni nuk është vetëm një figurë e Egjiptit të lashtë. Ai mund të lindë në çdo epokë, sa herë që pushteti shndërrohet në pronë personale dhe shteti identifikohet me një njeri të vetëm. Në atë çast, ligji humbet peshën e tij, institucionet bëhen dekor dhe qytetarët mësohen të heshtin. Frika bëhet gjuha zyrtare, ndërsa bindja paraqitet si virtyt. Pushteti i përjetshëm është një paradoks. Sa më shumë përpiqet të zgjasë jetën e vet politike, aq më shumë shkurton lirinë e shoqërisë. Fareoni ndërton piramida simbolike: monumente të krenarisë së tij, propaganda që lartëson figurën e sundimtarit dhe një sistem që e paraqet ndryshimin si rrezik. Megjithatë, asnjë piramidë nuk mund ta ndalojë kohën. Historia ka treguar se çdo pushtet që e konsideron veten të përjetshëm mbart brenda vetes farën e rënies. Por, sot të gjitha qytetërimet, a kanë nevojë për fareonët e tillë? Sigurisht se jo! Populli ynë, në fillim, mund të mahnitej nga madhështia. Por me kalimin e viteve, ai filloi të shohë çmimin e vërtetë: mungesën e fjalës së lirë, drejtësinë selektive dhe shpresën e zbehur. Kur një shoqëri detyrohet të jetojë vetëm nën hijen e një njeriu, ajo humbet aftësinë për të ëndërruar të ardhmen. Forca e Fareonit na kujton se pushteti nuk është kurorë e përjetshme, por përgjegjësi e përkohshme. Një udhëheqës matet jo nga koha që qëndron në fron, por nga forca e institucioneve që lë pas dhe nga liria që u garanton qytetarëve. Kur një sundimtar beson se është mbi ligjin dhe mbi kohën, ai nuk ndërton pavdekësi. Ai ndërton vetëm iluzionin e saj. Në fund, historia nuk mban mend vetëm madhështinë e piramidave, por edhe heshtjen e atyre që i ngritën. Dhe kjo është ironia më e madhe e Fareonit: ai kërkon të jetojë përgjithmonë në pushtet, por përfundon si një kujtesë se asnjë fron nuk është më i fortë se koha, e vërteta dhe dëshira e njerëzve për liri. Në parim, as deti nuk mban anë dhe as historia nuk jep privilegje të përjetshme. Valët që godasin brigjet shqiptare nuk pyesin se kush ka qenë në pushtet, por ato matin vetëm sa e lirë ka qenë fryma e një kombi. Demokracitë e Bashkimit Evropian janë ndërtuar mbi parimin se ligji dhe institucionet duhet të jenë mbi individin, pavarësisht emrit, postit apo ndikimit të tij. Ky është standardi drejt të cilit synon edhe Shqipëria: një rend ku askush të mos jetë mbi Kushtetutën, ku trashëgimia e një qeverisjeje të matet me forcën e institucioneve dhe jo me gjatësinë e pushtetit, dhe ku edhe fareonët e politikës ta kuptojnë se demokracia nuk njeh frone të përjetshme, por vetëm qytetarë të lirë dhe përgjegjësi para ligjit.