CIKËL POETIK NGA KONG KWANGKYU
KOREJA E JUGUT
Poeti Kong Kwangkyu ka lindur në vitin 1960, në Donam-dong (Seul). Fëmijërinë e kaloi midis Hongseongut dhe Boryeongut, në provincën Chungcheongnam-do, ndërsa u rrit në qarkun Cheongyang. Studioi për Gjuhë - Letërsi Koreane në Universitetin Dongguk dhe përfundoi studimet pasuniversitare për Shkrim Kreativ në Universitetin Dankook, në të cilën mori gradën Doktor i Shkencave në Letërsi.
Debutimin e tij të parë letrar e bëri në vitin 1986, pasi fitoi Çmimin për Autorët e Rinj në revistën mujore "Dongseo Literature".
Ndër përmbledhjet e tij poetike përfshihen: Ditari universitar (1987), Gjethet e thata rikthehen në jetë (1989), Një marrëdhënie brutale (1986), Shembja e murit (2013), Drejt Paju-së (2017), Poemë epike: Mali Geumgang (2019) dhe Poemë epike: Deti Lindor (2022), etjer...
Gjithashtu, Kong ka botuar nëntë vëllime me prozë dhe vepra kushtuar poezisë, ndër të cilat përmbledhjen me ese "Trishtim i kthjellët" (2016), librin e poezive të ilustruara "Borë e bardhë" (2016) dhe përmbledhjen e poezive të zgjedhura, të shkruara me dorë, "Face Side Dishes" (2014).
Poezitë e tij janë përkthyer në indonezisht dhe janë botuar në përmbledhjen Pesan Sang Mentari (Fjalët e dritës së diellit, 2019).
Kong ka botuar gjithashtu studime akademike dhe vepra të kritikës letrare, ndër të cilat Studim mbi metodat krijuese në poezinë e Shin Kyung-rim (2005), Mënyra të të shkruarit dhe të leximit të poezisë (2006), manualin e shkrimit poetik Mësime shkrimi poetik përmes tregimeve (2009) dhe përmbledhjen e eseve kritike Gëzimi i leximit të poezisë së grave (2015).
Poema e tij "Shembja e murit" u përzgjodh në vitin 2012 nga poetët dhe kritikët koreanë si poema më e mirë e vitit.
Ndër çmimet e shumta letrare që ka marrë përfshihen: Çmimi Letrar Silla (1989), Çmimi Yun Dong-ju (2009), Çmimi Letrar Dongguk (2010), Çmimi Letrar Kim Man-jung (2010), Çmimi për Letërsinë Budiste Bashkëkohore (2011), Çmimi Letrar Goyang Haengju (2012), Çmimi DICAPoetry Work (2015), Çmimi Letrar Shin Seok-jeong (2017), Çmimi i Letërsisë së Gjelbër (2020), Çmimi Letrar Dankook (2020), Çmimi Letrar Han Yong-un (2023) dhe Çmimi Letrar Dante (2025).
Gjithashtu, në vitin 2019, Kong u përfshi në listën e gjatë të Çmimit Ndërkombëtar të Poezisë të Zv. rektorit të Universitetit të Kanberrës.
PELLGU I VERËS
Nga lotusi i kuq
shiu rrëshqet pikë - pikë,
dhe, teksa mblidhet mbi gjethet jeshile të lotusit,
në perla të bardha shndërrohet.
Duke krijuar dhjetëra mijëra xhevahire
në pellg i derdh,
dhe pellgu i vogël i shtëpisë së fshatit
sërish zgjohet
sa herë stina e shirave vjen...
NJË LIBËR I MREKULLUESHËM
Një vit lexova një libër të mrekullueshëm,
jo në bibliotekë, por në rrugë;
jo ulur në një tryezë,
por në restorante, në shtigje mali,
në sallat e kinemave,
në dhomat e karaokes dhe kafaneve.
Një njeri si një revistë,
një njeri si një roman,
një njeri si një libër me poezi:
çdo faqe e shfletoja ngadalë,
duke e shijuar.
Ishte një libër me kopertinë të mrekullueshme
dhe me një përmbajtje po aq të bukur.
Faqe të ngrohta nga nxehtësia e trupit:
i lexoja me sy,
i shfletoja me gjuhë
dhe i nënvizoja me të dyja këmbët.
Librat nuk ekzistojnë vetëm
në librari ose në biblioteka.
Leximi më i rëndësishëm
nuk është gjithmonë ai i Shkrimeve të Shenjta
apo i klasikëve.
Njeriu…
në të vërtetë,
një libër i mrekullueshëm është.
(Përktheu: Angela Kosta)