SYTË E NËNËS:
GUXIM PËR TË VËSHTRUAR DHIMBJEN NË HUMNERAT E TRISHTA
Një zë ndërkombëtar firmos një roman psikologjik i cili depërton në plagët e familjes dhe të kompulsioneve.
- Nga Francesca Gallello (gazetare, botuese)
Angela Kosta, shkrimtare, poete, promovuese ndërkombëtare e kulturës dhe drejtoreshë e 5 revistave letrare përfshirë revistën e mirënjohur "Miriade", është një nga zërat më prodhues dhe më të vlerësuar të letërsisë bashkëkohore. E lindur në Elbasan dhe me banim në Itali që nga viti 1995, ajo ka botuar tridhjetë e gjashtë libra, midis të cilave romane, vëllime poetike dhe përralla, të përkthyera në një gamë mbresëlënëse gjuhësh: shqip, italisht, anglisht, frëngjisht, arabisht, koreanisht, spanjisht, turqisht, japonisht, punxhabisht, vietnamisht, hebraisht, greqisht dhe rumanisht, ndërsa botimet në gjuhën kineze dhe polake janë aktualisht në përgatitje e sipër. Si autore e trembëdhjetë antologjive të botuara në Shqipëri, Kosovë, Itali, Shtetet e Bashkuara, Indi dhe Turqi, ajo konfirmohet promovuese kulturore tejet aktive, e pranishme me krijime dhe përkthime në shumë revista dhe gazeta letrare të vendeve të ndryshme.
Angazhimi i saj shtrihet edhe në fushën sociale: të ardhurat e dy prej veprave të saj të botuara në Itali, ia ka dhuruar kërkimeve mbi Sklerozën Laterale Amiotrofike (SLA), si dhe Komitetit "Daniele Chianelli" në mbështetje të kërkimit shkencor kundër leukemisë, tumoreve dhe limfomave te fëmijët dhe të rriturit.
Ndër veprat e saj më të fundit spikat "Riabbracciando il sole - Duke përqafuar Diellin", botuar nga shtëpia botuese "Veliero" i cili u prezantua në Milano pranë Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, dëshmi kjo e vazhdimësisë të një rrugëtimi që gërsheton letërsinë, identitetin dhe dialogun ndërkulturor. Fituese e shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, kjo është vetëm një përmbledhje e shkurtër e personalitetit të saj. Të përshkruash portretin e autores Angela Kosta, mikes sime të dashur dhe shumë të vlerësuar, nuk do të mjaftonte as një libër i tërë.

Në romanin "Sytë e Nënës", (i cili u botua para disa muajsh në Itali në edicionin e dytë të tij), si dhe në gjuhët shqip botuar nga shtëpia botuese Fast Print (Tiranë) dhe në turqisht i përkthyer nga Arslan Bayir, botuar nga shtëpia botuese Baygenç Kitap (Antalya), Angela Kosta trajton një nga territoret më të ndërlikuara të shpirtit njerëzor: atë ku dashuria ngatërrohet me posesivitetin dhe familja shndërrohet në strehën ku hapen plagët më të thella.
Xhoi, vajzë me një jetë të qetë, e ndarë mes punës dhe dashurisë së sinqertë ndaj Al-it, i cili punon oficer policie besnik dhe mbrojtës, jeton një ekuilibër të brishtë, por të vërtetë. Ky ekuilibër thyhet me ardhjen e Nekut, vëllait të Al-it, djalë impulsiv dhe i brishtë, i paaftë të pranojë një "jo". Tërheqja e tij ndaj Xhoit shndërrohet shpejt në obsesion dhe ajo që në fillim mund të duket si një xhelozi familjare, kthehet në një makth të mbushur plot me tension, manipulim dhe dhunë psikologjike.
Angela Kosta e rrëfen këtë spirale me një stil të kthjellët, të tendosur dhe kurrë të mbingarkuar, duke e bërë të prekshëm ankthin që depërton mes mureve të shtëpisë: shtëpitë shndërrohen në kurthe, heshtjet bëhen më të rënda se fjalët dhe dashuria kthehet në një territor të minuar.
Në sfond të kësaj historie, si një dritë që nuk shuhet kurrë, qëndron një nënë. Një nënë që sheh bijtë e saj të "shkatërrohen", e pafuqishme për ta ndalur këtë përçarje; një nënë që sheh, kupton dhe vuan. Pikërisht sytë e saj, (të kthjellët, të plagosur dhe këmbëngulës), bëhen simboli i romanit: një vështrim që nuk gjykon, që nuk braktis dhe që vazhdon të besojë në mundësinë e faljes edhe kur gjithçka duket e humbur. "Sytë e Nënës" është një roman i fuqishëm, psikologjik dhe thellësisht njerëzor, ku shpëtimi nuk vjen nga jashtë, por nga aftësia për ta parë të vërtetën drejt e në sy, pa e shmangur atë më vështrimin e guximshëm. Romani është një ftesë për ta lexuar, për të hyrë në këto faqe dhe për të njohur të vërteta që shpesh përmenden me sy të shuar dhe me zë të dridhur. Një libër i vyer, që meriton të zërë vendin e tij në bibliotekën e çdo shtëpie, ndaj ju uroj të gjithëve ta shfletoni, lexoni dhe dëgjoni sa më këndshëm!
(Përktheu: Angela Kosta)