Ismet Miftari

Ismet Miftari
ZONJA DHE PORTOFOLI
 
Autobusi i kuq me të cilin udhëtonim të hënave kishte linjën më të gjatë të asaj kohe, diku rreth një mijë kilometra. Ishte viti 1976 dhe ne sapo kishim filluar shkollimin në Kosovë.
Ne ishim në fillimin e itinerarit të tij, andaj asnjëherë nuk ishte problem gjetja e vendeve për t’u ulur, aq më tepër që ne bënim një linjë të shkurtër udhëtimi.
Një ditë prilli, teksa po bëheshim gati për t’u ngjitur në autobus, befas tingëlloi një zë i thekshëm gruaje.
- Ljudi, ljudi, ukrali su mi novčanik! - bërtiste ajo.
Ishte një zonjë me flokë kaçurrela të ngjyrosura zi, me një shihje të tepruar dhe me plot bizhuteri në qafë… Edhe pse sapo kisha mbushur 16 vjeç, nga mënyra se si kuiste dhe alarmonte, kisha një parandjenjë se ajo po aktronte.
Ne rëndom uleshim në ulëset e fundit të autobusit, pasi, kur mbërrinim në stacionin e duhur, hapej dera e tij me qëllim që të kapnim sa më shpejt linjën tjetër.
Zonja edhe më tej vazhdonte:
- Njerëz, njerëz! Më është vjedhur portofoli!
Teksa ne po mendonim se autobusi do të nisej, në kabinën e shoferit u paraqit një polic dhe një inspektor. Nuk u morën me askënd tjetër, por, me shikimin dhe me një ton kërcënues, gishtin e drejtuan tek ne.
- Hej, ju atje! Të gjithë, shpejt, ejani këtu!
Dhe ne, me radhë, u nisëm drejt tyre…
- Edhe çantat i merrni me vete! — urdhëroi polici.
Kur tha që të merrnim edhe çantat me vete, ndjeva një frikë dhe një ligështim, pasi në çantën time të vogël sportive, ngjyrë të verdhë, “Puma”, përveç plaçkave të vogla, kisha edhe dy kilogramë duhan. Edhe dy shokët e mi posedonin po ashtu nga dy kilogramë. Vetëm njëri prej nesh nuk kishte. Familja e tij nuk merrej me prodhimin e kësaj kulture.
Teksa po shkonim në lokalet e stacionit të autobusëve, ku duhej të bëhej kontrolli ynë, m’u kujtua baci Fetah. Ai më kishte përgatitur duhanin. Merrej me grirjen e tij. Kishte havanin, një mjet enkas për këtë punë.
Nuk ngurroi aspak kur i kërkova ndihmën e tij. Ashtu siç e kishim përgatitur në shtëpi, e mori me plot dëshirë dhe e vendosi në havanin e tij. Me rutinën e një personi me përvojë, filloi grirjen.
Havani, ky mjet, humbiste në trupin dhe duart e mëdhaja të tij. Herë-herë bënte bisedë me mua dhe grinte duhanin, ndërsa unë më shumë shikoja gishtërinjtë e tij, të cilët i mbante fare pranë briskut, dhe mendoja se në çdo moment do t’i priste ato. M’u kujtuan edhe djersët e tij…
Dhe filloi bastisja, fillimisht nëpër trupin tonë, duke filluar nga xhepat, ashtu të gjithë me radhë. Më pas filloi kontrolli i çantave.
I pari nga ne nuk kishte duhan në të. Më pas erdhi radha ime. Dhe, posa panë duhanin, kontrolli u ndërpre.
- Po kjo? Ç’është ky duhan? - na u drejtua polici.
- Është yni - i thamë. - E përdorim për vete!
- Mirë, po për ku jeni duke shkuar me të? 
E tregtoni apo jo?
- Shkojmë në Kosovë!
- Ah, atje e tregtoni!
- Jemi në shkollë atje! - folëm njëzëri.
- Dhe ndodh që nga një apo dy muaj nuk vijmë në shtëpitë tona, për atë edhe marrim me vete nga një apo dy kilogramë.
- Në Kosovë, a!? Në shkollë atje, a!? Nuk kemi ne shkolla këtu!?
Për një çast ne heshtëm.
Mbaroi kontrolli. Por, për fat të mirë, duhani që kishim nuk na u konfiskua. E dinim se bartja e tij në sasi kilogramësh ishte e ndaluar. Aq më tepër, më kujtohej babai kur më thoshte se xhaxhai i tij qe burgosur për muaj të tërë për një sasi fare të vogël duhani.
Dhe përsëri ata na kthyen në autobus. Polici, duke tundur kokën në shenjë mohimi, i dha zonjës të kuptonte se këta nuk janë vjedhësit.
Ajo sërish filloi të kuiste me atë kuisjen artificiale, çka bëri që të gjithë të kuptonin se ne nuk ishim të tillë siç menduan ata, por nxënës që shkonim për të kërkuar dije rreth njëqind kilometra larg shtëpive e familjeve tona dhe se për gjëra të tilla të ulëta as që na shkonte mendja, e lëre më t’i bënim ato.
Sërish u ulëm në vendet tona, atje në fund të autobusit. Tërë rrugës nuk folëm asgjë. Disa zonja, herë-herë, kthenin kokën nga ne dhe kuvendonin ndër vete, ndoshta nga keqardhja
Autobusi, pak më me vonesë, mbërriti në stacionin e radhës. Si rëndom, u hap dera e tij nga fundi dhe ne, fluturimthi, një nga një u hodhëm poshtë për të vazhduar menjëherë në autobusin tjetër, pas të cilit kapnim linjën e fundit, i cili na shpinte atje, në vendin në të cilin sapo ishte hapur një kaptinë e re, një fillim i ri i jetës sonë…
Prej aty do të pajiseshim me dije, do të njihnim miq të shumtë, shokë shkolle, profesorë… Mbi të gjitha, do të bashkëjetonim e do të ndanim edhe kafshatën e gojës me hogoshtasit e mrekullueshëm, të cilët gjithnjë i kishim pranë: në banesën tonë, në shtëpitë e tyre, në rrugë, në shkollë, gjithmonë të gatshëm për të na ndihmuar.
 
Redaktoi: Angela Kosta