Teuta Sadiku - I çmenduri

Teuta Sadiku - I çmenduri
I ÇMENDURI
 
Përpëliti sytë. U mundua ti hapte me zor.  Asgjë nuk mundi të shquajë përreth. Një errësirë e thellë e padepërtueshme. Zemra i rrihte fort,sa nuk i çahej e ti bëhej copë. Ndjeu të lahej në djersë. Iu zu fryma.
Me sytë e çapëlyera në errësirë mundohet të kujtojë ëndrrën. Më në fund erdhi në vete. Ndezi dritën dhe pa përreth sendet në formën dhe trajtën e tyre të vërtetë. Ia nguli sytë tavanit.Çmenduri. Kishte kohë që kjo fjalë i vinte rrotull në tru. Kurrsesi nuk ishte si të çmendurit e tjerë që ulërisnin, shkallmonin ,mernin jetë njerzish , pa gjë të keq. Çmenduria e tij ishte e heshtur. I varej mbi krye si kërcënim dhe ia merte shpirtin. Dëshpërimi kishte arritur kulmin. Asnjë shpresë, pa ëndrra, ndjehej si një shkarpë, si një qelqe bosh. Shpesh herë i dukej se nuk egzistonte fare, i dukej qenia e vet si një sy që ndjek të tjerët dhe gjithshka përreth. Një qenie kot së koti. Kurkush. Një Askush.
U ngrit nga rrobat me kokën plumb të rëndë. Qielli ishte i vrenjtur, një kohë me vransira. Bëri një kafe dhe u ul ta pinte pranë dritares. E rrufiti shpejt e shpejt. Doli. Ecte ngadalë. Zvarritej rrugëve. Filloi të vesonte, po nuk e prishi terezinë. Argëtohej me zymtësinë e ditës që binte mbi qytet, një melankoli e mbështillte të tërin dhe ai kridhej në të.
Arriti më në fund. Tre punëtorë kishin ardhur para tij. Filloi punën. Tek po mbushte betonierën pa pronarin të vinte. Një tullac i shëndoshë, shpatullgjerë, që nuk e kish vrarë veten shumë gjatë jetës. I përshëndeti me mospërfillje dhe ngjiti shkallët e pallatit në ndërtim. Kontrolloi punimet me cigaren në buzë. U bërtiti puntorëve, la porositë e duhura dhe u largua. Dërguan puntorin më të ri për kafe. Një melodi e çakërdisur dëgjohej nga shtëpia përballë. Ndezën dhe nga një cigare tjetër. Vite të tëra bënte të njëjtën punë. Asnjë ndryshim. Po dhe ai, derri, pronar i pangopur.
Jo, nuk duhet të mendonte në këtë mënyrë. Jo kështu!
Po çti bësh, mu në majë të hundës i kish ardhur. Po pse ta poshtëronin. Lerë njëherë që kaq vite kish mbetur pa siguracione, pa dokumenta, po as dhe një ngritje pagese të paktën.
Po pse donte tia dinte kush?! Kush e kish pyetur ndonjëherë,se si kalonte, kush donte tia dinte për hallin që kishte ai. Po mirë, po çdreqin kish që e përbuste?! Pikërisht kjo gjë e çmente, e dinte. Çmenduria e tij ishte indiferenca e tjetrit dhe plogështia e vetvetes.
Sa arriti në shtëpi, pa u larë u ul të hante. Ishte i këputur nga lodhja. Ndezi një cigare dhe ra në mendime....Në autobus ishte i vetmi që mbante seriozitetin e duhur. Po i kujtohej shumë mirë.Qëndronte më këmbë.Shumica buzëqeshnin , ca të tjerë shkriheshin së qeshuri.Nuk arriti ta kuptonte pse ata qeshnin.Gojët e tyre hapeshin e mbylleshin dhe prej tyre dukeshin dhëmbët e mëdhaja dhe të mprehta që kërcenin herë herë jashtë buzëve.Gojë të liga dhe ato,dhe e qeshura e tyre pa kuptim, dhe shakatë pa shije .Të gjithë qeshnin kot fare.Jo,nuk qeshnin.Talleshin . E shikonin vëngër, me inat e me frikë ,  e herë si të habitur ,si të ishte i ikur nga trutë, jashtëtokësor....Dikush i thirri :I huaj !. Pa rreth e rrotul, i çoroditur.U gjet i rrethuar nga vështrime të egra.Zbriti nga autobusi i lemerisur tek shihte njerzit të tmerruar..
Kapi kokën me të dy duart.Shtrëngoi sytë fort dhe i mbajti pak ashtu të mbyllura.I dhimbnin trutë brenda sa herë e sillte nëpër mend atë skenë. Kur kishte ndodhur kjo?!....Nuk i kujtohej me saktësi data, muaji , ora. Që atëhere nuk kishte hypur më në autobus. Kudo shkonte më këmbë. Ja edhe sot u nis në punë më këmbë e më këmbë u kthye.U ndal para një kioske ku qenë varur gazetat e revistat. U afrua të shihte ca foto me femra gjysëm lakuriqe.
Emigrantë,  vjedhje ,vrasje....U mbush vendi me të huaj! 
E njëjta punë  dhe këtu.Si nuk u lodhën gazetarët, vetëm me emigrantët meren.Pikëllimi ia mbuloi shpirtin.Çmendurinë e tij vetëm ai e di dhe e njeh mirë,askush tjetër.Sa e dhimbshme po ta mësonin të tjerët, çmendurinë e tij.Nuk e kish për gjë të krijonte skena e prapaskena me mendjen e tij .Ishte kënaqësia e tij ,çka arrinte kulmin kur mendonte se bota rreth tij nuk kishte idenë mbi çmendurinë e tij, dhe ai  edhe pse i çmendur u shërbente me ndershmëri,me devotshmëri , njerzisht.
Bota rreth tij nuk merakosej shumë, as  për të , as për çmendurinë e tij.Botës nuk i bënte përshtypje asgjë.Bota tmerrohej vetëm se ai ishte i huaj.Asgjë më pak, asgjë më shumë...
Vonë mbasdite doli një xhiro.I vetëm shëtiste rrugëve .Qëndronte përballë ndonjë vitrine , u hidhte një sy me indiferencë dhe vazhdonte rrugën. Çapitej me orë të tëra.I raskapitur dhe i uritur kthehet në dhomën përdhese të tij.Ndezi syrin e sobës elektrike dhe ndehu duart për tu ngrohur.
Prapë ndjeu dhimbje në pëllëmbën e dorës.E vështroi me kujdes. Dora e djathtë e gjakosur.Dukej e prera e thellë dhe gjaku ende i papërtharë.E shkundi dorën fort ,sikur të mos ishte e tija.Atje ishte dhe e prera e thellë dhe rrëmba e gjakut.Po kur , ku i ndodhi kjo?!Fikson vështrimin në një pikë për të kujtuar ngjarjen , vendin. Po .Pak më parë , kur ishte jashtë....Veshët i oshëtijnë nga zhurma e xhamit që bëhej copë e thërime nga grushti i tij.Po, tani e mban mend  mirë,një copë qelqi i mbeti në pëllëmbë dhe.....gjaku që i rridhte...Ia kish veshur me grusht vitrinës së botës , ia kish bërë  sytë e xhamta copë e thërime.Po, ai, Askushi, ia kish thyer turinjtë me grusht botës....Asnjë nuk e di se ai është një i çmendur.I çmendur!I çmendur!I çmendur! Sigurisht duhet të jetë një i çmendur.  Ska se si , të thyejë xhamin e një vitrine dhe të mos mbajë mend . Kurrsesi. Ulu, mere më shtruar. Qetësohu njëherë.
 Thirri mendjes, mblidhi trutë e kokës. Mendohu më logjikisht !
Pse vetëm unë duhet të mendoj  logjikisht , të tjerët pse jo?!
Shikon përreth dhe bërtet me sa ka në kokë.Askush nuk dëgjon. As njerzit që kalojnë pranë tij , as shteti , as Bota nuk ia hedhin sytë edhe pse ia fut me grusht vitrinës, edhe pse hedh në shesh mure të padukshme....
E vetmja gjë, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve , i ka mbetur  krimi.Unë vrasës?! Unë një kriminel?!Jo kursesi.Ai mund të ishte një i çmendur  për në çmendinë, por kurrsesi një vrasës. Mvaret, mund të ishte dhe i çmendur , bën vaki , por i huaj . Jo i huaj s΄ishte . Kishte dëgjuar që mes njerzve rrojnë shumë të çmendur, por  një i huaj kurrsesi .Për të huajt  ska vend.Ska mundësi.Njëqind mijë herë le të ishte një i çmendur.Por jo i huaj.
Pra , smë mbetet gjë tjetër veçse hapi i fundit. Krimi. Po krimi. Filloi ta përshkonte me hapa të shpejta dhomën e tij përdhese.  Shikonte dorën ,e mbante në shënjestër. I dhimbte. U ul buzë krevatit. U shtri .Heshtje. Dëgjohet vetëm zemra e tij që qëllon muret e saj me shkelme.E zuri gjumi.
Kur hapi sytë në mëngjes dora i dhembte akoma  edhe pse e kishte fashuar me kujdes.I flaku tutje mbulesat dhe me rrëmbim iu afrua komodinës së vjetër.Hapi sirtarin me rrëmbim dhe  që andej nxorri një kuti kartoni.U ul në karrigen plastike dhe e vuri kutinë mbi prehër. Këtu është, tha me zë , dhe e përkëdheli  kutinë me duar.Deri tani çmenduria e tij ishte e heshtur, askush se kish kuptuar. Kish ardhur koha  të bënte diçka që të gjithë ta mernin vesh.Kish sharë, kish bërtitur , kish vjedhur , kish thyer po askush nuk ia kishte varur. Përderisa kishte bërë gjithë këto çi kish mbetur?!. E çdo ti bënin?! Fundja, e çishte ai, një i huaj, një i çmendur i huaj. Përgëzonte me sy atë çka ishte brenda në kuti dhe e përkëdhelte me duar si fëmijë. I hodhi një vështrim errësirës në dhomën përdhese dhe buzëqeshi duke tundur kokën.  
Sa hap e mbyll sytë u ndodh në rrugë. Nuk duhej të vonohej asnjë minutë. Edhe po të vonohej ai, tjetri, do ta priste atje tek pallati ku bëheshin ndërtimet. Pronari dhe ai. Ai dhe pronari. Të dy përballë njeri-tjetrit. Vuri dorën në xhep. Po atje ishte. Nxjerr dorën nga xhepi. Oh sa i dhimbte dora, edhe pse të fashuar, ai mund ta mbante në dorë atë gjënë, të merte në shenjë, të qëllonte..
 Ja momenti fatal!Dora futet në xhep, kap atë gjënë e ftohtë...
-Zotëri!
Pronari kthehu kokën dhe i shastisur e pa drejt e në sy.
Me sytë e shqyera, kapërdihet thatë pa mundur të shqiptojë asnjë fjalë. Ka frikë, dridhet, Pronarit, iu prenë gjunjët....I palëkundshmi,i pathyeshmi ,dridhet, përunjet .....kërkon mëshirë...
-Zotëri, ky është fundi tuaj!, e shqipton ngadalë, vdekjeprurëse ashtu siç e kërkon situata. Është dënimi me vdekje i botës së pafytyrë...
Merr në shenjë, tërheq këmbëzën dhe kërcitja oshëtin mbi thirjen e pronarit:
-Mos!
Shikon përreth, pastaj hedh vështrimin mbi pronarin e shtrirë pa jetë në tokë. Me lëvizje të ngadalta i fryn grykës së pistoletës për ta pastruar, e shikon edhe njëherë me ngazëllim ,pastaj e fut në xhep. Kjo nuk është asnjë gjë, thotë me vete. Kur të mblidhen njerëz përreth e të ulërasin, kur të vijë policia atëhere do shihni se çka për të ndodhur.Ai vetë nuk është i sigurtë se çka do bëhet me të. Do ta fusin në çmendinë apo në burg, kjo nuk ka shumë rëndësi për të. E rëndësishme është fakti që ai mori hakun
për poshtërimin që shijoi kaq vite me radhë. Me vrasjen e pronarit ai qëlloi mu në shpirt shtetin e kalbur , ligjet e shtetit,që e mbajtën kaq vite të huaj. 
Ja pikërisht kështu do të vepronte. Sa herë e kishte punuar dhe përpunuar në kokë këtë skenë, këtë skenar për ta realizuar me gjakftohtësi, momentin e duhur. Ecte me atë buzëqeshjen asnjanjëse, në fytyrë dhe herë pas here fuste dorën në xhep e prekte atë gjënë e ftohtë akull.
Arriti në pallatin ku bëheshin ndërtime si gjithmonë në orarin e duhur. Për çudi pronari ishte atje.Ishte ditë rrogash. Pasi dha udhëzimet dhe bërtiti me sa kishte në kokë të shpejtoheshin punimet ,pronari bëri të largohej për nga shkallët. Pa arritur mirë mbajti këmbët dhe bëri të kthehej...Ky është momenti fatal.Pronari po afrohej  .....Tani, ky është momenti i duhur. E vuri dorën në xhep,kapi pistoletën ...Pronari afrohet  akoma më shumë....Tani,.....tani është momenti i duhur!
Dora shtrëngon pistoletën fort, aq fort sa ndjeu dhimbje por ajo  nuk lëvizi nga vendi. Bën akoma një përpjekje për ta nxjerrë dorën nga xhepi... .Shtrëngon fort pistoletën në dorë aq fort sa  dora i mpihet... Pronari bëri tatëpjetë shkallëve.
Flakë i kuq në fytyrë shikon kurrizin e pronarit si largohet e zvogëlohet dhe bie shakull në dyshemenë e ndërtesës së pambaruar. Dora e mpirë  brenda në xhep akoma shtrëngon  pistoletën .Djersët i shkojnë çurk mbi fytyrën që i varet në gjoks.
Është e pamundur . Është jashtllogjike,larg çdo lloj llogjike .. Nxorri dorën nga xhepi. Akoma edhe pse e mpirë  dora përqafonte atë gjë të vogël, të ftohtë plastike. Ishte një pistoletë plastike, lodër, dhuratë për djalin e tij, blerë    një  ditë pazari.