Ëmblo
Kështu quhej gjyshja e mikes sime të re. Kur ma tha emrin, i kërkova ta përsëriste. Nuk e di pse, por emri më preku menjëherë. Ndoshta sepse kishte një ëmbëlsi të vjetër brenda tij, diçka që nuk i përkiste vetëm një njeriu, por një kohe, një shtëpie, një familjeje të tërë. U ëmbëlsova nga emri dhe, akoma më shumë, nga mënyra si mbesa fliste për të.
Pastaj erdhën historitë. Dhe, historitë për Ëmblon ngacmuan atë pjesën time të fjetur, atë vend të heshtur ku kam ruajtur gjyshen time. M’u kujtua ajo, jo si një kujtim i vetëm, por si një sërë pamjesh të shpërndara nëpër vite. Një zë, një erë shtëpie, një palë duar, një oborr, një fjalë e pathënë. Dhe, papritur, më dukej sikur Ëmbloja e mikes sime dhe gjyshja ime ishin gra të së njëjtës kohë, të të njëjtit jug, të një fati që u ishte dhënë grave pa ua kërkuar kurrë mendimin. Të gjitha gratë e jugut, shpesh, më duket se kanë pasur të njëjtin fat.
E ndërgjegjshmja ime e shtyp herë pas here të pandërgjegjshmen. Ndoshta ky është ushtrimi im i mendjes: të mbaj gjithçka në vendin e vet, të mos lejoj që kujtimet të përmbysin ekuilibrin e sotëm. Sepse, nëse e lë të flasë ajo pjesë e fshehtë, mund të prishet gjithçka. Mund të çlirohen kujtime që kanë pritur gjatë. Mund të lëkunden emra e mbiemra, fytyra e histori familjesh e brezash. Mund të dalë në dritë ajo që dikur e kemi futur me kujdes në një dhomë të mbyllur të kujtesës.
Ëmblo ka qenë një grua e kolme, me këmbë të bardha e të bukura dhe jo shumë e gjatë në shtat. Më pëlqen ta përfytyroj kështu, siç ma përshkroi mbesa, sepse në ato pak fjalë ajo grua fillon të marrë trup, ngjyrë, ecje, një prani të vetën. Nga martesa me të shoqin erdhën në jetë shtatë fëmijët e saj. Ishin kohë kur familjet e mëdha ishin të zakonshme. Çiftet e shtëpive me emër e pasuri sillnin në jetë shumë fëmijë dhe, bashkë me ta, një botë të tërë detyrimesh. Nuk ishte e lehtë t’i ushqeje, t’i vishje e t’i mbathje, t’i rrisje, t’i martoje, t’u bëje vend në jetë. Një familje e madhe nuk ishte vetëm gëzim; ishte edhe një barrë që duhej mbajtur çdo ditë, pa shumë zhurmë. Ëmblo punonte brenda shtëpisë. Mbante fëmijët, kujdesej për shtëpinë, priste e përcillte të ftuarit që hynin e dilnin nga ajo derë. Ishin derë e madhe. Një prej atyre dyerve ku gjithmonë kishte lëvizje, zëra, njerëz, pjata që shtroheshin e mblidheshin, fëmijë që vraponin, të rritur që flisnin dhe miq që vinin për të qëndruar pak e largoheshin pas shumë orësh. Jashtë saj kishte ndihmës e punëtorë, njerëz që merreshin me punët e tjera dhe paguheshin për to. Por brenda shtëpisë ishte Ëmbloja. Ajo ishte qendra e padukshme e asaj bote. Ajo mbajti një derë të madhe të hapur. Rriti shtatë fëmijët e saj dhe më pas priti e përcolli njëzet e dy nipër e mbesa. Njëzet e dy jetë të vogla që erdhën në atë shtëpi dhe, secila në mënyrën e vet, mori diçka prej saj. Ndoshta një këshillë, një përkëdhelje, një pjatë të shtruar, një vështrim, një fjalë; ndjesinë se atje ishte dikush që i priste. Mikja ime është një prej atyre mbesave. Kur më tregonte për gjyshen, herë pas here e hidhte shikimin larg. Sikur kërkonte diku përtej meje fjalën e duhur. Sikur donte ta rrëfente, por njëkohësisht të mos prekte asgjë që mund të lëndonte kujtimin e familjarëve të larguar prej kohësh nga kjo jetë. Në mënyrën si zgjidhte fjalët kishte një kujdes të veçantë, atë kujdes që kemi kur flasim për njerëzit që nuk mund të na korrigjojnë më, nuk mund të na thonë: “Nuk ka qenë kështu.” Dhe ndoshta pikërisht kjo është dashuria për të vdekurit: të ruash edhe atë që nuk u tha... Ëmblo kujtohet edhe sot, besoj, nga të gjithë nipërit e mbesat e saj. Ka njerëz që largohen nga kjo botë, por nuk largohen nga shtëpitë ku kanë jetuar, mbeten në mënyrën si shtrohet një tryezë, në një recetë që vazhdon të gatuhet, në një fjalë që përsëritet, në një zakon që askush nuk e di, se nga erdhi. Çdo pranverë, kur çelin lulet dhe bimët shëruese, më pëlqen të mendoj se ajo, përmes qiellit, dërgon bekime për pasardhësit e saj. Ndoshta pranvera është mënyra më e bukur që natyra ka gjetur për të na kujtuar se asgjë nuk humbet krejt. Disa njerëz kthehen në kujtim, disa në mall, disa në një emër që përsëritet brez pas brezi. Që prej ditës kur e dëgjova për herë të parë, ai emër nuk i përket vetëm asaj. Më çoi te gjyshja ime. Më çoi te gratë e asaj kohe, te gratë që mbanin shtëpitë, rrisnin fëmijët, prisnin mysafirët, përcillnin burrat, martonin bijtë e bijat dhe, ndërsa jeta kalonte mbi to, gjenin një mënyrë për të mos u rrëzuar. Ndoshta nuk e dimë kurrë sa shumë kanë heshtur ato gra. Ndoshta nuk e dimë as sa shumë kanë dashur. Dimë vetëm se, edhe pasi janë larguar, pranvera vazhdon të çelë lulet në oborret e tyre dhe dikush, diku, i kujton. Ëmblo më kujton gjyshen time. Ëmblo dhe Nikua nuk janë larguar plotësisht....