Poezi nga poetja Si Rim Kim - Koreja e Jugut
Poetja koreane Si Rim Kim ka lindur në vitin 1965 në Haenam, Jeollanam-do. Ajo ka përfunduar studimet për Shkrim Krijues në Shkollën Pasuniversitare të Kulturës dhe Arteve në Universitetin Dongguk. Ka debutuar në vitin 1991, duke fituar Çmimin për Talente të Reja nga revista letrare “Letërsia dhe Arti Korean”, si dhe një tjetër çmim për Talente të Reja nga “Letërsia Budiste” në vitin 2012.
Ndër përmbledhjet e saj poetike më të njohura po përmendim:
1. - Bregdeti me erë pelini i Gaforres së Ëmbël të Emrit Tim
2. - Gruaja që nget biçikletën me mall
3. - Murrizi i turpshëm
4. - Këmbë rrjetash që shfaqen
Zonja Kim është fituese e Çmimit Letrar “Simho Lee Dong-Ju” dhe ka shërbyer si Kryeredaktore e revistës “Letërsia Budiste”. Aktualisht është Nënkryetare e Shoqatës Koreane të Letërsisë Botërore.
PARA VAZOS ME LULE
Mes vreshtave, dy lule manjolash
ndeshin ndër sy me përzemërsi
një vazo porcelani me zbukurim manjolash.
Fjalët e tua
për të vendosur një lule të egër në të, çdo stinë
akoma dridhen,
si një mirazh që përkundet.
Shumë kohë më parë, njëherë mbi një urë,
si guacka shtrirë përbri njëra - tjetrës
nën peshën e rërës së baticës,
zemrat tona bashkë u njomën.
Ti, që gjoksi nga dëshira të digjej
dikur zbathur doje të ecje
mbi kokrrizat e ranishtës së unit tim.
E sot, ndërsa dallgët sërish kthehen,
duket sikur do të më japësh
një degë kumbulle
të hollë si një thupër.
Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare