Dr. UM CHANG-SUP - KOREA E JUGUT
Dr. dhe poeti Um Chang-Sup ka lindur në Gangneung, në provincën Gangwon, në Korenë e Jugut. Ai bëri debutimin e tij letrar në revistën Hwahong Sidan (華虹詩壇), e themeluar dhe e botuar në vitin 1965, dhe më pas në revistën letrare Poetry Literature (Simunhak).
Ka përfunduar studimet në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Koreane, pranë Shkollës Pasuniversitare të Universitetit Sungkyunkwan, ku ka marrë gradën Doktor i Shkencave në Letërsi. Ka punuar si profesor në Universitetin Kwandong, ku ka qenë gjithashtu dekan i Shkollës Pasuniversitare dhe rektor në detyrë.
Ka mbajtur postin e Presidentit të Shoqatës Koreane të Poezisë dhe Letërsisë, të Presidentit të Shoqatës Kim Dong-myeong, si dhe të Presidentit të Shoqatës për Promovimin e Trashëgimisë së Poetit Kombëtar Shim Yeon-su.
Aktualisht është profesor emeritus në Universitetin Catholic Kwandong. Është gjithashtu anëtar i Komitetit Kombëtar Korean të PEN International, i Shoqatës Koreane të Kritikës Bashkëkohore Letrare, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Krishterë Koreanë dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Azisë dhe Paqësorit. Dr Um është këshilltar i revistës Culture & People, Drejtor editorial i revistës mujore Modern & Poem si dhe Kryetar i Bordit Drejtues të K-Jeongnanum.
MËSIMI I JETËS
Sapo zbardh,
në livadhet afrikane të Serengetit,
gazela e Thomsonit
sapo hap sytë nga gjumi.
Teksa ndien se do të çarfalitet
nëse nuk arrin të vrapojë më shpejt se luani,
e shtyrë nga instinkti, vrapon nxitimthi,
duke e prerë në të kundërt erën.
Në dritën e kaltër të agimit,
mbreti i kafshëve
në vetminë e tij të egër zgjohet.
Duke e ditur se do të vdesë nga uria
nëse nuk arrin ta kapë gazelën,
luani, me të gjitha forcat e tij,
instinktin e vet shtazor zgjon
dhe, në fushat e ndriçuara nga dielli,
në ndjekje të presë së tij, vrapon.
Edhe ti, qoftë gazelë apo luan, je
në vendin ku të ka vendosur jeta,
përpara se të shfaqet dielli i mëngjesit,
duhet t’i përkushtohesh një qëllimi të vetëm
dhe me të gjitha forcat e tua, të rendësh.
Edhe përballë erës më të furishme
që të vjen kundër,
duhet të vazhdosh përpara të ecësh,
vrapin pa e ndërprerë.
Kjo është pesha e jetës
dhe fati që ajo mbart me vete.
Shënim: Gazela e Thomsonit (shkencërisht Eudorcas thomsonii) është një nga llojet më të njohura dhe më të përhapura të antilopave të vogla në Afrikën Lindore. Ajo e merr emrin nga Joseph Thomson, gjeolog dhe eksplorues skocez i shekullit të XIX-të, i cili ishte i pari që e dokumentoi këtë specie gjatë ekspeditave të tij.
(Përktheu: Angela Kosta)