Ismail Ismaili - Kapitull nga puna me gazetar

Ismail Ismaili - Kapitull nga puna me gazetar
EPISOD DOKUMENTAR
 
Duhet theksuar se, për të shkuar në terren, gazetarët duhej të pajiseshin me leje të posaçme të lëshuara nga Qendra Informative e Serbisë në Kosovë. Pa këtë autorizim ishte praktikisht e pamundur të lëvizje jashtë qyteteve, sidomos në zonat e Drenicës, ku prania e policisë dhe e ushtrisë serbe ishte shumë e dendur.
Përgjegjës për dhënien e këtyre lejeve ishte një funksionar i quajtur Drobnjak – emri i të cilit nuk më kujtohet më sot. Në zyrën e tij kalonin pothuajse të gjithë gazetarët e huaj që dëshironin të raportonin nga Kosova. Ai vendoste se kush mund të lëvizte në terren dhe në cilat zona, duke kontrolluar kështu në një farë mase edhe informacionin që dilte nga vendi.
Në praktikë, këto leje shërbenin si një formë filtrimi dhe mbikëqyrjeje të mediave, pasi autoritetet serbe përpiqeshin të kufizonin qasjen e gazetarëve në zonat ku zhvilloheshin operacione policore dhe ushtarake ose ku situata humanitare ishte më e rëndë. Prandaj, çdo udhëtim në terren kërkonte jo vetëm planifikim, por edhe një procedurë burokratike që shpesh zgjaste dhe nuk ishte gjithmonë e sigurt nëse do të miratohej.
Në këtë mënyrë, informimi ndërkombëtar mbi ngjarjet në Kosovë kalonte përmes një kontrolli të rreptë administrativ, i cili shpesh e vështirësonte punën e gazetarëve dhe të përkthyesve që i shoqëronin ata në terren.
 
PYETJA PËR TË RINJTË NË XHAMINË E MADHE

 
Qëndronim ende në hyrje të Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Biseda kishte marrë ton reflektiv, pothuaj intim.
Gazetari, pasi përgatiti kamerën, për një çast, ngriti sytë drejt oborrit. Brenda kishte disa burra të moshuar, disa në moshë të mesme. Të rinj pothuajse nuk shiheshin. Aty te shkallët takuam një burrë në moshë.
Ai e drejtoi pyetjen me kujdes duke e filmuar me kamerë:
— Pse nuk shoh shumë të rinj këtu? Pse nuk vijnë të falen?
Unë e përktheva fjalë për fjalë.
Zotëria u mendua gjatë. Nuk u përgjigj menjëherë. Shikoi përreth, pastaj u mbështet më fort në bastun.
— Të rinjtë kanë punë tjetër, — tha më në fund.
— Ku? — pyeti gazetari.
— Disa janë larguar. Disa janë në male. Disa po presin.
Gazetari e kuptoi aludimin, por kërkoi qartësi.
— Po presin çfarë?
Plaku e pa drejt.
— Po presin të mos jenë më vetëm lutës.
Fjala kishte peshë.
Gazetari heshti. Nuk e ndërpreu. Unë e përktheva me kujdes, duke ruajtur tonin.
Zotëria vazhdoi:
— Kur vendi është në rrezik, të rinjtë ndjejnë se duhet të bëjnë më shumë se të falen. Disa e gjejnë Zotin në xhami. Disa e gjejnë në mbrojtje të shtëpisë. Ishte përgjigje që nuk kërkonte koment.
Gazetari pastaj shtroi një pyetje tjetër, më delikate:
— A mendoni se kjo luftë është fetare?
Plaku buzëqeshi lehtë, me një ironi të butë.
— Jo. Kjo është luftë për tokë dhe për dinjitet. Feja është vetëm vend ku njeriu kërkon qetësi.
Në atë moment, zhurma e lehtë e hapave brenda xhamisë u përzije me heshtjen tonë. Gazetari e mbylli kamerën ngadalë.
— Faleminderit, — tha.
Teksa largoheshim, ai më foli në frëngjisht:
— Përgjigjja e tij është më e rëndësishme se çdo deklaratë politike.
E kuptova pse. Sepse në atë hyrje xhamie, midis brezave, ishte shprehur qartë një realitet: mungesa e të rinjve nuk ishte shenjë e indiferencës, por e një zhvendosjeje të rolit të tyre në histori.
Në tregun e gjelbër
Një ditë para takimit me Ibrahim Rugovën, vendosëm të bënim një shëtitje nëpër tregun e gjelbër të Prishtinës. Ishte një vend i gjallë, ku njerëzit përpiqeshin të vazhdonin jetën e përditshme mes vështirësive të kohës. Gra të moshuara shisnin perime të sjella nga fshatrat përreth, burra me çanta të vjetra ndalonin për të parë çmimet, ndërsa tregtarët thërrisnin me zë të ulët për të tërhequr ndonjë blerës.
Por mbi këtë gjallëri të zakonshme rëndonte një atmosferë e padukshme tensioni. Aty pranë shëtisnin policë serbë, me uniformat e tyre blu të errëta, duke lëvizur ngadalë mes njerëzve me një lloj arrogance të ftohtë, sikur e gjithë hapësira t’u përkiste vetëm atyre.
Pranë hyrjes në treg, një djalosh i ri kishte vendosur disa mallra të thjeshta mbi një tavolinë të improvizuar — disa rroba të përdorura dhe ndoshta ndonjë send të vogël shtëpiak. Dukej se përpiqej të fitonte diçka për të mbajtur veten ose familjen.
Dy policë iu afruan. Nuk pati as pyetje, as paralajmërim. Njëri prej tyre e goditi me shqelm tavolinën e improvizuar. Sendet u përhapën në tokë dhe disa prej tyre u rrokullisën drejt këmbëve të kalimtarëve. Djaloshi u përkul instinktivisht për t’i mbledhur, por polici tjetër iu afrua dhe e goditi me pëllëmbë të fortë në fytyrë.
Gjithçka ndodhi brenda pak sekondash.
Njerëzit që ishin pranë u ndalën për një çast, por askush nuk foli. Disa ulën kokën dhe vazhduan rrugën. Të tjerë u shtirën sikur nuk kishin parë asgjë. Në atë kohë, edhe një fjalë e vetme mund të të sillte telashe.
Djaloshi mbeti i heshtur. Ai u përkul dhe filloi të mblidhte sendet e shpërndara në tokë, ndërsa policët u larguan me hapa të ngadaltë, sikur të kishin kryer një veprim të zakonshëm, pa asnjë rëndësi.
Gazetarët që ishin me mua e panë të gjithë skenën. Njëri prej tyre ngriti kamerën dhe filmoi disa momente nga larg. Në fytyrat e tyre lexohej habi dhe zemërim i përmbajtur. Për ta ishte një episod brutal.
Për njerëzit e Prishtinës, për fat të keq, ishte pothuajse një skenë e përditshme. Rreth orës tre pasdite u nisëm drejt Kodrës së Trimave. Na kishin thënë se aty do të mbahej një mbledhje e fshehtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në ato vite pothuajse çdo takim politik organizohej në mënyrë të fshehtë, nëpër shtëpi private, larg syve të policisë dhe shërbimeve serbe.
Lagjja dukej e qetë. Rrugët e ngushta dhe shtëpitë e ulëta nuk të jepnin asnjë shenjë se brenda njërës prej tyre po zhvillohej një takim politik me rëndësi. Gjithçka ishte organizuar me kujdes, në mënyrë që të mos tërhiqte vëmendjen.
Gazetari dhe kameramani filmuan fillimisht nga jashtë shtëpinë ku do të mbahej mbledhja. Ishte një shtëpi e zakonshme, si shumë të tjera në atë lagje. Nga jashtë nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte se aty po mblidheshin njerëz të angazhuar në jetën politike të Kosovës.
Brenda, atmosfera ishte e përqendruar dhe serioze. Burrat që kishin ardhur për mbledhje flisnin me zë të ulët, por me një vendosmëri të dukshme. Diskutimi përqendrohej në mënyrat e organizimit të rezistencës paqësore kundër pushtetit okupues serb. Flitej për koordinimin e strukturave të LDK-së, për ruajtjen e disiplinës politike dhe për mënyrën se si duhej të mbahej gjallë jeta institucionale dhe publike e shqiptarëve në kushtet e represionit.
Në atë dhomë të thjeshtë diskutoheshin çështje që preknin të gjithë shoqërinë: organizimi i arsimit paralel, mbështetja e familjeve të goditura nga represioni, komunikimi me opinionin ndërkombëtar dhe ruajtja e unitetit politik në një kohë shumë të vështirë.
Gazetari filmoi disa pamje nga brenda — fytyrat serioze të pjesëmarrësve, tavolinën rreth së cilës zhvillohej biseda, dhe momentet kur dikush merrte fjalën për të shpjeguar gjendjen në terren. Për të, kjo mbledhje ishte një dëshmi e një lloj tjetër rezistence: një rezistencë që nuk mbështetej në armë, por në organizim politik dhe në këmbënguljen për të mbajtur gjallë jetën publike të një populli të përjashtuar nga institucionet zyrtare.
Jashtë shtëpisë, lagjja vazhdonte të dukej e qetë, sikur asgjë e pazakontë nuk po ndodhte. Por brenda atyre mureve, në heshtje dhe me shumë kujdes, po ndërtohej një formë organizimi që synonte të mbante gjallë shpresën dhe strukturën politike të Kosovës në kohën e okupimit.
Pas përfundimit të atij takimi u nisëm drejt Qafës për të pushuar pak. Vendosëm të ulemi në një kafene të vogël për të pirë diçka. Pasditja kishte filluar të zbriste mbi qytet dhe rruga ishte plot me njerëz që lëviznin qetësisht, sikur Prishtina përpiqej të ruante një normalitet të brishtë mes tensioneve të përditshme.
U ulëm në një tavolinë pranë dritares. Pas pak erdhi kamerieri, një djalë i ri. Duke parë të huajt me mua, ai na u drejtua në anglisht, por me një anglishte të thyer:
— Where you from?
Ai nuk e dinte që unë isha shqiptar. Iu përgjigja qetë dhe i shpjegova se dy shokët e mi ishin gazetarë të televizionit francez FR3. Djaloshi na shikoi për një moment me një lloj surprize dhe pastaj u largua pa thënë shumë.
Pas pak u kthye duke mbajtur tri birra. I vendosi mbi tavolinë dhe, para se të largohej, tha shkurt:
— Këto janë falas… për mysafirët.
Ishte një gjest i thjeshtë, por që na preku të gjithëve. Në atë kohë mikpritja shpesh ishte mënyra më e drejtpërdrejtë për të shprehur respekt dhe solidaritet ndaj të huajve që vinin për të parë nga afër çfarë po ndodhte në Kosovë.
Ndërsa pinim birrën, Michel u kthye nga unë dhe tha me një buzëqeshje të lehtë:
— Këtu tek ju shumë njerëz përpiqen të flasin anglisht, por shpesh është një anglishte e varfër. Ndërsa frëngjishten e flasin rrallë, por kur e flasin, e flasin mirë.
Ai e tha këtë me një ton më shumë vëzhgues sesa kritik, si një gazetar që përpiqej të kuptonte kulturën dhe mënyrën se si njerëzit komunikonin me botën jashtë.
Në atë tavolinë të vogël në Qafë, mes zhurmës së lehtë të qytetit dhe gotave të birrës, biseda jonë vazhdoi për gjuhët, për njerëzit dhe për përshtypjet që gazetarët po krijonin për Kosovën - një vend ku jeta e përditshme, mikpritja dhe tensioni politik bashkëjetonin në të njëjtën hapësirë