GJERGJI I LASHTËSISË
(Shën Gjergji e Gjergj Elez Alia)
Në kohë të lashta, mjegull historie,
lindi një foshnjë me trup të gjerë.
S’erdhi si njeri prej kësaj njerëzie,
por si hyjni që zbret në tokë si erë.
E ëma e pa si mal me vlerë,
me kraharor të fortë si shkëmb.
“Gjergj” e thirri - trup të gjerë,
si lis që stuhia s’mund ta shemb.
U rrit si rrufe mbi male të larta,
ku e keqja digjej n’flakë e n’hi.
Në çdo betejë, me plagë të hapta,
fitonte luftërat vetë, pa perëndi.
Ndërtoi kuvende e ngriti fise,
u dha njerëzve besë e nder.
S’la armik të shkelë këto vise,
theu zinxhirët si erë mbi ferr.
Nëntë plagë kraharorin ia çanë,
nëntë vjet gjaku s’iu tha në gur.
Motra i rrinte vëllait trim pranë,
me lot që digjnin plagë e pluhur.
Lotët e saj rridhnin si kroje mali,
mbi trupin e tij binin ngadalë.
Dhe Gjergji ngrihej si prej varri,
si diell që çan retë mbi valë.
Ai s'i lutej aspak qiellit për fuqi,
as zotave që zbresin prej altari.
Fuqinë e mbante në gjak e në gji,
si vullkan që shpërthen nga zjarri.
Kur Balozi u ngrit prej detit të zi,
duke kërkuar vajza për darkë,
Gjergji doli si vetëtimë në stuhi,
me shpatë që ndizte terrin flakë.
Shpatat kërcisnin si rrufe moti,
plagët e vjetra i hapeshin prapë.
Por ai s’përkulej nga fati e loti,
ishte stuhia që digjte çdo prag.
S’luftonte për fron e as kurorë,
as për parajsë e për asnjë fe.
Për motrën e tij e fise arbërorë,
u bë këngë e gjallë mbi këtë dhe.
Pastaj erdhi koha e kryqit të trashë,
me priftërinj që zbritën mbi dhe,
deshën ta kthenin Gjergjin e lashtë
në Shën Gjergj - i krishter për fe.
Por nuk lindi prej kishës emri i tij,
as prej ungjillit e kambanës së zezë.
“Gjergj” do të thotë trup i gjerë, njeri,
hero që ngrihet prej tokës që ndez.
Më vonë erdhi hija e Osmanisë,
me turban e ligje nga robëria,
dhe Gjergjit të lashtë të Arbërisë
ia m’veshën emrin edhe Elez Alia.
Emrat ndërrojnë si era mbi gurë,
ndërsa thelbi mbetet gjëja e parë.
Gjergji jeton në lahutë e flamur,
si trim i lashtë dhe si legjendar.
Ai nuk vdes - por bëhet kujtesë,
në këngë që digjen si zjarr në gji.
Pa fron, pa kryq, pa fe mbi shpresë,
por hyjni e lashtë në këtë Shqiptari.
Në lahutë, në këngë e në çdo gur,
emri i tij ushton edhe sot si rrufe.
Gjergji i lashtë, që nuk vdes kurrë,
arketip iliro-pellazg - mbi çdo fe.
ÇELËSI I JETËS
Në heshtje shpirti e gjen dritën,
kur zemra ime hapet drejt qiellit,
misteret thellë në brendi ngriten,
si agu kur lëshon rrezet e diellit.
Si në rreth, udhëtimi ynë shkrihet,
aty tek burimi i fshehur në mal,
një shkëndijë lart mbi ne ngrihet,
si flakë që ndriçon terrin ngadalë.
Dhe papritur një zë malit jehon,
si erë mes lisash e degë të gjalla,
na tregon se rruga nuk mbaron,
por prapë nis aty ku thyhet vala.
Dashuria s’është veç një lidhje,
por frymë që gjithçka plotëson,
hyjni që vjen si e vetmja zgjidhje,
i jep kuptim heshtjes që pushon.
Çelësi s’ka formë, as s’ka fytyrë,
as fjalë në buzët e njeriut që flet,
por bashkim i shpirtit me natyrë,
një çelje që përbrenda nesh nget.
Ndoshta e kërkuam larg në botë,
në yje, në det, në gurë e në borë,
atë e ndoqëm si një dritë të plotë,
pa ditur se e kishim ne në dorë.
Ndoshta çdo hap e bëmë pafjalë,
çdo plagë, çdo ëndërr, çdo mall,
ishte një derë që hapej ngadalë,
e na kthente drejt vetes së gjallë.
Dhe kur të gjitha heshtin në jetë,
kur era pushon së fryri mbi dhe,
sheh se çelësi i jetës ishe ti vetë,
e dera ishte gjithçka që jemi ne.
GURI FLET
Guri flet me zë të lashtë,
Dardani me shpirt të gjerë,
Zëri i tij buçet nga jashtë,
Për betejat plot me nder.
Çdo ushtri që e mësynte,
Nëpër erë shkoi pa gjurmë,
Toka thellë e përbinte,
Guri hesht në atë zhurmë.
Hyjnitë zbresin prej qielli,
E zgjojnë fuqinë te dheu,
Flakëron nëntoka si dielli,
Lavdinë trimi vetë e kreu.
Nga llava u farkua shpata,
Shkëlqen si diell i zjarrtë,
Në dorë ngrihet si urata,
Porsi një kurorë e artë.
Zana i rri pranë dardanit,
Si një dritë në mes të natës,
I jep forcën e vullkanit,
Dhe i jep zjarrin e shpatës.
Dardani s’njeh kthim prapa,
Në gjoks i ndizet porsi flakë,
Përpara e shtyn veç shpata,
Që s’ndalet nga asnjë plagë.
Në heshtje mbeten të gjallë,
Në kujtesë rrojnë përherë,
Presin ditën për të dalë,
Si betim që dhanë në derë.
Guri lëshoi një zë si gurrë:
“Trimat kthehen prapë në dhe,
Por emri i tyre s’vdes kurrë,
Si flamur që ngrihet mbi re.”
Përgatiti për publikim Angela Kosta