Çdo komb ndërton letërsinë e tij gurë pas guri" - Intervistë
I ftuari i sotëm është poeti, shkrimtari, përkthyesi, kritiku letrar dhe gazetar i njohur shqiptar, redaktor i revistës "Kryefjala", Rifat Ismaili.
1. Kur filloi interesi juaj për letërsinë? Çfarë lloj librash lexonit gjatë rinisë tuaj dhe cilët shkrimtarë ju frymëzuan?
Rifat ISMAILI: Të përshkruash saktësisht kohën kur u ndez pasioni im për leximin është gati e pamundur, sepse ka kaluar shumë kohë, dhe me kalimin e viteve njeriu, përtej së vërtetës, fillon të ndërtojë edhe mitin e tij personal. Fillon t'u japë gjërave vlera të reja, që deri dje ishin të papërfillshme, por që më vonë marrin rëndësi të dorës së parë dhe bëhen pushtuese për trurin. Pasioni im për leximin ka filluar që kur mësova shkronjat e abetares, dhe nuk kaloi shumë kohë para se njerëzit të thoshin për mua: “Ja, ky çuni i vogël që lexon shumë libra.”
Në atë kohë nuk mbaj mend ekzaktësisht se cilët janë librat e parë që kam lexuar, por përtej leximeve shkollore kam lexuar edhe Përrallat Shqiptare, përrallat e Hans Christian Andersenit, vëllezërit Grimm, Mark Twainin e të tjerë. Më vonë, duke u rritur, u frymëzova nga librat e Jack Londonit, të cilin e kam lexuar shumë herët. Kam lexuar edhe librin Tess of the d’Urbervilles të Thomas Hardy-t dhe romanin E bija e Montezumas, ndër të tjera.
Prindërit e mi lexonin dhe kishin një kënd të vogël me libra në një qoshe të dhomës, dhe unë i lexoja pas tyre. Leximet e asaj periudhe kanë mbetur në kujtesën time si një oaz jetësor.
2. Cili është mendimi juaj për lidhjen midis leximit të librave dhe kreativitetit? Si ndikon leximi në krijimtarinë tuaj? Çfarë roli luajnë lexuesit për poetët dhe shkrimtarët, sipas mendimit tuaj?
Rifat ISMAILI-Leximi dhe krijimi tek një artist apo shkrimtar ecin paralelisht; janë pjesë e të njëjtit proces. Asnjë krijues nuk është i plotësuar pa lexuesin e tij, dhe anasjelltas, pa qenë një lexues i mirë dhe i vëmendshëm, nuk mund të eksperimentosh krijimtari të suksesshme dhe efikase.
Për mua, leximi ka qenë si një portë e fshehur pas së cilës ndodhej bota e magjisë, një botë ku jo të gjithëve u lejohet të hyjnë. Në atë botë shkojnë vetëm shpirtrat e ndjeshëm dhe të lirë. Nëpërmjet leximit pasurohemi dhe ndodh një proces filtrimi brenda nesh, njëlloj sikur të marrësh oksigjen jetësor dhe të largosh papastërtinë.
3. Si e ndjeni përgjegjësinë tuaj si poet dhe shkrimtar ndaj shoqërisë? Si e kuptoni përgjegjësinë tuaj si person krijues ndaj shoqërisë?
Rifat ISMAILI-Në shoqërinë njerëzore çdo person ka përgjegjësitë e tij para vetes dhe para atdheut, por një krijues ka akoma më tepër përgjegjësi duke qenë një person publik dhe një influencues i drejtpërdrejtë për masat. Një krijues, duke qenë më i ndërgjegjshëm sesa njerëzit e thjeshtë, ka përgjegjësi të dyfishtë për të ruajtur sovranitetin e kombit, të drejtat njerëzore, paqen dhe harmoninë.
Unë e konsideroj të tillë përgjegjësinë time dhe përpiqem, nëpërmjet artit tim, të jem një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave njerëzore, të grave, fëmijëve dhe njerëzve në nevojë.
4. Si mund të ndryshojnë poetët dhe shkrimtarët shoqërinë? Çfarë mund të thoni për përgjegjësinë e tyre sociale?
Rifat ISMAILI-Shkrimtarët nuk kanë fuqi ekzekutive; ajo u përket qeverive. Por shkrimtarët, si influencues të shpirtit njerëzor, mund ta ndryshojnë botën duke ndryshuar mentalitetin e vjetër apo të mykur me një mentalitet të ri, në shërbim të vlerave njerëzore. Nëpërmjet veprave letrare dhe debateve të ndryshme, çdo shkrimtar duhet të jetë një pishtar drite.
Shkrimtari duhet të sjellë tek çdo njeri besimin në një jetë më të mirë. Njëkohësisht, ai duhet të evidentojë dhe të fshikullojë veset dhe fenomenet negative të shoqërisë ku jeton.
5. Cilat konsideroni të jenë qëllimet më të rëndësishme për poetët dhe shkrimtarët?
Rifat ISMAILI-Shkrimtari, për vetë natyrën e tij, është i pajisur me ideale, dhe këto ideale e mbushin me kurajë, vullnet dhe frymëzim. Që në lindje e përgjatë gjithë procesit të tij jetësor, artisti është një vëzhgues i thellë i jetës njerëzore, një parashikues i së ardhmes dhe një njeri që ecën gjithmonë një hap përpara shoqërisë ku jeton. Filozofia që e karakterizon një shkrimtar është dashuria për njerëzit dhe atdheun. Por, përtej këtyre gjërave, ai është edhe një njeri që kërkon të panjohurën, të padukshmen dhe sublimen – atë që qëndron përtej njerëzores. Shkrimtari jeton mes dy pasqyrave – tokës dhe qiellit – dhe i përket të dyjave. Për të, çdo gjë ka rëndësi; edhe rënia e një gjetheje apo një klithmë zogu e shqetëson dhe e shtyn në meditime.
6. Çfarë mendoni se mungon te krijuesit e sotëm? Cilat janë sfidat më të mëdha për njerëzit krijues sot?
Rifat ISMAILI-Mendoj se krijuesit e sotëm nuk u mungon asgjë nga ajo që kishin krijuesit e djeshëm. Thjesht, kanë ardhur kohë të disfavorshme dhe shumë prej tyre duhet të mësohen dhe të përshtaten me realitetin e ri. Ndoshta përgjegjësia tek shkrimtarët duhet të jetë më e madhe për të shkruar më mirë. Kjo fillon me autokritikë dhe përulësi, duke parë realitetin në sy dhe jo nga një këndvështrim egocentrik, meskin apo vetëlavdërues.
7. Si do ta vlerësonit kulturën e leximit në ditët e sotme?
Rifat ISMAILI-Në ditët e sotme, kultura e leximit po zbehet, pjesërisht për shkak të teknologjive të reja që sfidojnë librin dhe leximin. Jo se dikur lexohej më shumë – gjithmonë kanë ekzistuar njerëz që nuk kanë pasur dëshirë për librin – por, duke pasur më pak shpërqendrime mediatike, njerëzit dikur i përkushtoheshin më shumë librit dhe leximit. Gjithsesi, leximi ka qenë gjithmonë shprehi e shpirtrave fisnikë dhe të hapur ndaj botës përreth.
8. Cili është mendimi juaj për lidhjen midis letërsisë shqiptare dhe letërsisë së kombeve të tjera?
Rifat ISMAILI-Të gjitha kombet ndërtojnë tullë pas tulle letërsinë e tyre, duke e kthyer në një kala të pamposhtur ndër vite. Ne shqiptarët përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë. Dikur ishim të izoluar, por tani jetojmë të lirë për t'u njësuar me të tjerët, për të bashkëpunuar dhe për të arritur rezultate pozitive. Jemi mjaft të hapur ndaj letërsive të tjera, ndonjëherë ndoshta më shumë sesa duhet.
9. Si po zhvillohet letërsia shqiptare sot? Çfarë mendoni për rolin e shkrimtarëve dhe ndryshimet që priten prej tyre?
Rifat ISMAILI-Letërsia shqiptare e ditëve të sotme është në lulëzim dhe shkon gjithnjë e më shumë drejt bashkimit me kulturat e tjera, duke marrë më të mirën prej tyre. Si në çdo proces ridimensionimi, ka edhe mangësi, por kjo është e kuptueshme. Jo çdo gjë mund të jetë e përsosur. Por, përgjithësisht, situata është pozitive dhe shkrimtarët shqiptarë janë shumë kërkues ndaj vetes së tyre.
10. Çfarë planesh dhe qëllimesh keni për krijimin e lidhjeve letrare me Azerbajxhanin?
Rifat ISMAILI-Kam pasur fatin të përkthehem dhe të botohem në Uzbekistan nga revista të rëndësishme. Po ashtu, edhe në Turqi. Dëshira ime është që fjala dhe pena ime të vijnë edhe në Azerbajxhanin e dashur dhe të bëhen një urë komunikimi dhe miqësie midis dy popujve. Çdo shkrimtar, besoj, jeton me këtë dëshirë brenda qenies së tij.
11. Sa e rëndësishme është miqësia dhe bashkëpunimi në komunitetin krijues? Çfarë rezultatet keni arritur përmes bashkëpunimit me shkrimtarë të tjerë?
Rifat ISMAILI-Për mua dhe formimin tim si njeri dhe krijues, bashkëpunimi me krijuesit e tjerë është i një rëndësie të veçantë. Nëpërmjet bashkëveprimit zgjerojmë njohuritë, shtojmë stimuj krijues e moralë dhe arrijmë një gjendje gëzimi dhe frymëzimi. Kur isha krijues i ri, bisedat me krijues të njohur më jepnin flatra. Fjalët e tyre më jepnin siguri dhe besim, dhe më rritej dëshira dhe vullneti për të shkruar.
Jam shumë i hapur ndaj krijuesve të tjerë dhe i ndihmoj me shumë dëshirë të rinjtë. Ndihmoj me recensione, këshilla, redaktime dhe botime të veprave të tyre në periodikët e mi Gjurmë Penash dhe Kryefjala.
12. Si ndikon botimi i veprave tuaja në gjuhë të ndryshme në zhvillimin e letërsisë dhe kulturës globalisht? Si ndikon kjo në qasjen tuaj krijuese?
Rifat ISMAILI-Kohët e fundit, krijimtaria ime është përkthyer dhe përcjellë me sukses në shumë gjuhë dhe vende të botës. Ndihem i vlerësuar dhe duket sikur më në fund mundimi im ndër vite po shpërblehet.
13. Çfarë planesh të reja keni për veprën tuaj krijuese? Si po përgatiteni për të krijuar vepra të reja në të ardhmen?
Rifat ISMAILI-Krijimtaria ime shkon në shumë drejtime, pasi jam gjithnjë një shpirt kërkues. Punoj në gjini të ndryshme – si në roman dhe tregim të shkurtër, por edhe në ese dhe kritikë letrare, pa harruar poezinë. Vitet e fundit i jam kushtuar letërsisë për fëmijë dhe kam botuar disa libra. Gjithashtu, i jam kushtuar botimit të dy revistave, ku përfshihen dhjetëra krijues shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Edhe ky vit do të jetë i ngjeshur me botime dhe plot kënaqësi krijuese.
14. Në një epokë kur arti dhe letërsia e vërtetë po humbasin vëmendjen, çfarë perspektivash të reja shihni? Si duhet të përshtaten shkrimtarët me këto ndryshime?
Rifat ISMAILI-Edhe pse kanë ardhur kohë të vështira, arti dhe zanati i shkrimtarit nuk do të zhduken kurrë. Për sa kohë ekziston shpirti që komandon jetën tonë, shkrimi do të jetë gjithmonë pasqyrë e ndjenjave tona më të thella dhe udhërrëfyes drejt së vërtetës.
Libri dhe shkrimi do të kenë gjithmonë ithtarët e vet, të cilët, duke sakrifikuar veten e tyre, do t’i çojnë përpara dhe do t’i lënë trashëgimi brezave që do të vijnë. Në këtë moment, fokusi duhet të jetë në integritetin e krijuesit, në përgjegjësinë ndaj vetes dhe në një krijimtari që përmbush standardet më të larta të cilësisë. Në këtë mënyrë, mund të rifitohet lexuesi i larguar dhe të krijohet një marrëdhënie solide mes lexuesit dhe krijuesit – një lidhje që është thelbësore për çdo vepër letrare.
Intervistoi
JAHONGIR NAMAZOV, Korrespondent i gazetës Butov Azerbaijan
Përfaqësuesi i gazetës "Azerbaijan" në Uzbekistan.