Intervistë me Carl Scharwath (Intervistoi IRMA KURTI)

Intervistë me Carl Scharwath (Intervistoi IRMA KURTI)
Intervistë me Carl Scharwath
 
CARL SCHARWATH
 
CARL SCHARWATH, ka botuar në mbi 175 revista poezitë apo artin e tij. Ai ka botuar katër libra me poezi dhe fotografi. Është nominuar katër herë si Autori më i mirë në rrjet /The Best of the Net (2022-25) si dhe ka marrë dy nominime të ndryshme për çmimin Pushcart 2023 për poezi dhe një tregim të shkurtër.
 
Ju jeni poet dhe fotograf. Cili nga këto pasione lindi i pari?
 
Në kolegj fillova të studjoj art dhe të pikturoj në vaj, por kur pashë se isha i rrethuar nga gjithë ato talente, të cilëve ndjeja se nuk i afrohesha dot, ndryshova degën në Menaxhim Biznesi. Fillova të shkruaj pas moshës 50 vjeç, pikërisht pasi isha i pranishëm në një aksident dhe pothuajse u aksidentova dhe vetë. Të dy aksidentet nxitën pjesën time krijuese, kështu që shkruajta një poezi dhe një tregim të shkurtër. Kur u botuan si poezia ashtu dhe tregimi, u inkurajova për të vazhduar rrugëtimin tim krijues.
Lidhja me fotografinë ndodhi vetëm gjashtë vjet më parë kur mikja ime e dashur Jennifer Link (e cila fatkeqësisht ka ndërruar jetë) më tha se unë isha një piktor dhe me siguri kisha sy edhe për fotografinë. Puna ime e parë ishte duke patur atë si model dhe më pas fillova të përdor fotografinë si një mënyrë tjetër për të shprehur veten duke ndërtuar histori me imazhet e mia.
 
A ka diçka që e lidh letërsinë dhe artin?
 
Po, Letërsia dhe arti janë thellësisht të ndërlidhura; të dyja shërbejnë si forma të shprehjes krijuese dhe pasqyrojnë dhe formësojnë përvojën njerëzore. Si letërsia ashtu edhe arti synojnë të ngjallin emocione, të provokojnë mendime dhe të komunikojnë ide apo histori. Ata shpesh përpiqen të kapin thelbin e përvojës njerëzore, qoftë përmes fjalëve, imazheve apo mjeteve të tjera. Jam i bekuar që mund t'i realizoj të dyja.
 
 Pse shkruani?
 
Më pëlqen të shkruaj në forma të ndryshme, por fokusi im janë poezia, proza krijuese dhe tregimi bashkëpunues. Unë kam një prirje të fortë për poezinë, pasi ajo lejon eksplorimin e emocioneve dhe ideve komplekse në një formë të ngjeshur dhe ritmike. Shkruaj edhe tregime, prozë të shkurtër dhe fragmente në prozë. Tregimi ofron një hapësirë ​​për të eksploruar personazhet, botët dhe temat me më shumë thellësi. Më pëlqen të lexoj dhe lexoj vazhdimisht të paktën një orë në ditë, zakonisht libra klasikë, si dhe gazeta dhe revista. Besoj se nuk mund të jesh shkrimtar nëse nuk je lexues.
 
Cila është tematika e poezive tuaja?
 
Poezia ime shpesh pasqyron tema të thella, introspektive me një theks filozofik, duke reflektuar mbi ekzistencën njerëzore, identitetin dhe ndërlidhjen. Disa nga temat në krijimet e mia janë kërkimi ekzistencial dhe identiteti, teknologjia dhe njerëzimi, marrëdhëniet dhe lidhja.
 
Veprat tuaja janë botuar në më shumë se 175 revista dhe revista online. Sa e rëndësishme është kjo për karrierën tuaj letrare?
 
Kur je në pension nuk ka më karrierë por vetëm zbavitje. Gjithmonë e kam parë punën time si një hobi. Më pëlqen t’i ndaj krijimet e mia me botën, kështu që botimi në gazeta dhe revista është një mënyrë e shkëlqyer për ta arritur këtë. Kjo është arsyeja pse nuk e shes kurrë artin  dhe jam shumë i lumtur që piktura të miat kanë shërbyer për 12 kopertina librash të shkrimtarëve të tjerë.
 
Si e përkufizoni suksesin?
 
Për mua sukses do të thotë të ndihmosh të tjerët. Unë vetë kam dhënë leksione mbi poezinë dhe krijimtarinë time. I dua miqtë e mi shkrimtarë dhe artistë nga e gjithë bota dhe kam patur shumë bashkëpunime duke krijuar ura ndërmjet kulturave. Është e rëndësishme të jemi mbështetës dhe të përkrahim artistë të tjerë.
 
Ju jeni gjithashtu një vrapues dhe mbani rripin e zi të shkallës së dytë në Taekwondo. A është kjo një mënyrë tjetër për të shprehur veten?
 
Po, më pëlqen vrapimi për arsye se më jep mundësi të meditoj. Kur vrapoj, mendoj për tregimet dhe vargjet që do të shkruaj. Unë kam luajtur gjithashtu sport dhe kam marrë pjesë në turne të ndryshme. U kam dhënë mësime falas për fillestarë mbi 100 fqinjëve në komunitetin tim dhe më ka pëlqyer të isha trajner. Për fat të keq, pesë muaj më parë jam rrëzuar dhe kam bërë një operacion për një zëvendësim të shpatullës dhe një frakturë në ije. Rikthimi, për arsye se tani jam 70 vjeç, do të jetë i vështirë dhe ka shumë aktivitete atletike që më pëlqenin dhe që nuk mund t’i bëj më. Tashmë kam filluar të vrapoj dhe ky është shansi im të bie në dashuri me vrapimin përsëri; ndërkohë kam filluar ta stërvis trupin tim dalëngadalë.
 
A mendoni se Poezia dhe Arti mund të kontribuojnë gjithashtu në promovimin e paqes në botë?
 
Cilësia meditative e poezisë dhe e artit inkurajon pauzën, një moment qetësie dhe reflektimi. Kjo mund të zbusë zemërimin dhe konfliktin, duke promovuar jo-dhunën si në nivelin personal ashtu edhe në atë shoqëror. Arti dhe poezia që angazhohen me tema të vështira pa antagonizëm mund të krijojnë hapësirë ​​për dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Mënyra më e mirë është të krijoni miqësi anembanë botës dhe të gjeni kohë për të mësuar kulturën e tjetrit, ndërkohë që i dhuroni vetes miqësi të reja.
 
Intervistoi:Irma Kurti