SHQETËSIMI I POETIT
Poeti shqiptar kishte kohë që ishte akomoduar në shtëpinë e shkrimtarit të madh gjerman Henry Bell. Ai tashmë ishte adaptuar me jetën në ambientet e villave ku qëndronin edhe shumë shkrimtarë tjerë nga të gjitha viset e botës. Edhe ky kishte pasur fatin që përmes PEN Qendrës së shkrimtarëve të fitojë një bursë për qëndrim tremujor. I rastiste të takonte e bisedonte me shkrimtarë të kulturave e gjuhëve të ndryshme. Komunikimin e bënte në gjuhen frënge të cilën e njihte qysh herët. Ditët i kalonte duke shkruar, herë duke marr pjesë në aktivitete letrare që organizoheshin nga bursistet, por jo rrallë atë e vizitonin ose e ftonin në vizitë bashkatdhetar që ishin në mërgim, disa prej të cilëve i kishte edhe miq që nga koha e studimeve. Rastiste të shëtiste me biçikletë që i kishte dhuruar njëri nga fqinjët edhe fikall vetëm deri në qytetin e afërt që kishte afro dhjetë kilometra nga shtëpia Henry Bell. Pastaj jeta e tij ishte shndërruar në një ritual që përsëritej: shkruante, lexonte, takonte ndonjë mik, merrte pjesë në ndonjë aktivitet, letrar, jepte ndonjë intervistë, dhe kështu mbyllej një ditë e shkrimtarit nga Kosova. Megjithatë ndodhi që një ditë të jetë e pazakontë për të. E pazakonta ndodhi nga një telefonatë kur pasi ngriti receptorin u dëgjua zëri në gjuhën serbokroate, njëherë hezitoi t'i përgjigjej duke ditur se njerëzit e asaj gjuhe i kishin sjell shumë vuajtje fatkeqësi popullit të tij, megjithatë si me dilemë iu përgjigj: Da. Ndërkaq tjetri pasi ju prezantua me emër e mbiemër po e ftonte për një takim. Prapë u vu para dilemës të vazhdoi bisedën apo të mbyll receptorin. Vendosi të vazhdoi duke i thënë se unë nuk ju njoh. Përgjigja ishte e menjëhershme nuk ka rëndësi, ju njoh unë. U zu ngushtë dhe pothuaj u pendua që kishte ngritur receptorin. Mendoi të jetë një kurth e ngritur apo ... dhe ca drithërima ia përshkuan trupin. Megjithatë krenaria e shqiptarit e bëri t’i përgjigjej prerë. Mirë takohemi nesër në orën dhe vendin që kërkoni ju. Me kaq u mbyll biseda por jo edhe shqetësimi i shkrimtarit. Plotë mendime i silleshin vërdallë. Në fillim mendoi të njoftojë disa nga shokët e tij si Farukun, Muharremin apo Selajdinin, por prapë hoqi dorë. Pse t'i vë në sprovë njerëzit mendoi, sekush ka hallet e veta. Pastaj iu lëshoi fre mendimeve, imagjinata e tij konstruktoi takimin me njeriun e panjohur, iu bë se kishte një fytyrë të vrazhdët, se në xhepin e brendshëm të pelerinës kishte fshehur thikën me të cilën do ta godiste poetin. Tërë këto mendime po bluante i ulur në një lokal përballë kafenesë ku kishin lënë takim. Kishte ardhur gjysmë ore më herët me bibliotekisten e shtëpisë Henry Bell dhe ajo kishte shkuar në punët e veta, ndërkaq ky po sodiste njerëzit që hynin në lokal dhe po i thoshte vetes ky duhet të jetë, jo ky, jo ky ...
Pastaj sytë i shkuan në orën e dorës, taman kishte ardhur koha takimit. Paksa i ndrojtur hyri në kafene vështroi rreth e çark njerëzit në tavolina, asnjëri prej tyre nuk po i jepte ndonjë shenjë apo përshëndetje. Sapo u ulë në një tavolinë buzë dritares në derë u duk një njeri afro dy metra i gjatë i cili erdhi drejt tij dhe e përshëndeti me dashamirësi. Poeti e ftojë të ulej por ai ia ktheu, jo do dalim nga këtu, sot je mysafir në shtëpinë time. Pakëz me një dozë hamendje, mirë tha dhe u ngrit. Poeti i tregoi se këtu kishte ardhur me një mikeshë, bibliotekistën e shtëpisë Henry Bell. Nuk ka problem u gjegj kroati, shkojmë ku është parkuar vetura e saj. Aty i la një letër ku e njoftonte se poeti nga Kosova është mysafir në shtëpinë time dhe do ta kthej vetë me veturë. Pa humbur kohë për pak minuta mbërrin në shtëpinë luksoze të kroatit i cili si përfaqësues i Lëvizjes së Masokut në Kroaci kishte vite që jetonte në mërgim. Ai bënte punën e profesorit të fizikës nukleare, ndërkaq e shoqja ishte primadonë e teatrit. Për ti bërë nderë mysafirit ajo kishte përgatitur ushqime tradicionale të Kroacisë. Biseda me profesorin e fizikës nukleare ishte shumë miqësore, madje ai interesohej edhe rreth rrjedhave politike duke i thënë se ishte shqiptari dytë që takonte pas Enver Hadrit i cili kishte ide demokratike. Kështu i tërë ai skenari drithërues i paramenduar para takimit po përmbysej, poeti po ngazëllehej jo vetëm më mikpritjen por edhe rezonin intelektual të nikoqirit i cili i kishte bërë një nderë të veçantë. Biseda nuk kishte të sosur sikur të mos e ndërpriste një telefonatë e miqëve të tij që jetonin në diasporë dhe i kishin ardhur për vizitë. Kroati me mirësjellje e përcolli me veturën e tij deri të shtëpia Henry Bell dhe poeti në shenjë falënderimi i dhuroi disa nga librat e tij.