Ahmet Pllana, poet - Vështrim letrar (Libri poetik “Sikur të isha hije”)

Ahmet Pllana, poet - Vështrim letrar (Libri poetik “Sikur të isha hije”)
Vështrim letrar
 
POEZI DASHURIE QË TË PUSHTOJNË NË BRENDËSINË E TYRE
 
Libri “Sikur të isha hije”, poezi, autor Dibran Fylli, botim i Shtëpisë Botuese “Office Printy”, 78 poezi, faqe 90, Prishtinë, 2025
 
Thuhet se poezia lind e nuk krijohet. Faktikisht, ajo lind nga frymëzimi i poetit dhe nuk krijohet nga imponimi e shtytja nga kureshtja apo diç tjetër. Pastaj, thuhet se poet lind e poet nuk bëhesh. Nga kjo vetvetiu dhe logjikshëm del si përfundim se kemi poet të profesioneve të ndryshme, duke filluar nga profesori, inxhinieri, mjeku, bujku, muratori, kuzhinieri, etj. Madje, kemi poet i cili me profesion është regjisor dhe aktor i filmit. I tillë është edhe Dibran Fylli, i cili me profesion është regjisor dhe aktor i filmit. Ai jo vetëm që e do poezinë me shpirt, por edhe vet shkruan poezi. Dibrani pos që është një regjisor i mirë i filmit dhe një aktor i mirë i filmit, ai është edhe një poet i mirë, i cili tashmë e ka krijuar unin, sensin e tij poetik apo më mieë të themi stilin e tij poetik. Ai shkruan aq bukur poezi, sa që refleksionet poetike të tij i gjen te poetët e mëdhenj, sidomos te poezitë moderne evropiane. Duhet përmendur edhe një karakteristikë tjetër të rëndësishme për një krijues, siç është përkthimi i poezive në gjuhë të ndryshme. Atij i janë botuar poezi në disa gjuhë. Pa hyrë në biografinë e tij, duhet përmendur se Dibrani ka qenë pjesëmarrës i çlirimit të vendit dhe i lirisë, pra çlirimtar. Ai është invalid i luftës. Ka bërë regjinë e disa filmave dhe ka marrë pjesë si aktor në xhirimin e shumë filmave, madje edhe tani nuk ndalet së xhiruari filma. Dibrani pos që ka një diapazon të gjerë të kulturës, ka edhe veti njerëzore. Ai është i sinqertë dhe mirënjohës për të gjithë ata që kanë mirëkuptim njerëzor. E pyes, a mundem ta bëj një vështrim letrar për librin e fundit të tij me poezi, ai ma ktheu kështu: Bëje, veç të lutem më kritiko aty ku është nevoja dhe mos më bëj vështrim vetëm të më lavdërosh, sikur që po ndodhë viteve të fundit kur recensionet shkruhen vetëm duke e lavdëruar librin dhe poetin. Vështrimet dhe reçensionet e tilla ku ka vetëm lavdërime dhe ‘ngritje në qiell’ nga lavdërimet ndaj një libri të dobët, mua nuk më pëlqejnë. Unë ia kthej. Pajtohem me ty dhe kështu do të mundohem ta bëj vështrimin letrar për librin tënd me poezi “Sikur t’isha hije”, që aty ku është nevoja të jem edhe kritik.

Libri me poezi i Dibran Fyllit është një ag i dritës, një dashuri me shpresë për ringjallje. Poezitë e poetit Fylli janë një “arë”, ku ai ka mbjellur poezi me përplot art dhe dashuri. Dibrani nuk shkruan vetëm poezi atdhetare, për dëshmorët, për heronjtë, për luftën, për lirinë…, por shkruan edhe për dashuri. Ai ka pohuar se ky është libri i parë i tij i botuar me poezi të dashurisë. Ka thënë se deshta ta provoj veten edhe në këtë lëmi, pra me poezi të dashurisë.Vet titulli i librit, sipas autorit, është një metaforë “Sikur të isha hije” dhe tregon se te e dashura e tij do të shkonte po të kishte mundësi sa herë të donte, madje “të bëhej hije” dhe të fluturonte e të rrinte te ajo. Sa bukur e shpreh poeti mallin për të dashurën të cilën e quan ‘mjellmë’ në poezinë me titull “Ditari poetik”:
“Të kam në bebëzat e syrit                                                                                          
 Syri se ç’më loton mëngjes e mbrëmje                                                                                  
 Mëngjes e mbrëmje shikoj në pasqyrë                                                              
 Portretin tënd si një mjellmë…”
Dashuria është një oqean i pafund, ku poeti mund të nxjerr poezi të arta, por natyrisht, siç e mendon dhe e përjeton vet. Gjithmonë poezia e dashurisë del më e bukur nga përjetimet, andaj edhe në librin me poezi të poetit Fylli kanë dalë poezitë një mrekulli poetike. Në një rast poeti shkruan:
“Ana, ti më je e vetmja temë                                                                                        
Mall, dashuri e brengë                                                                                            
 Sikur jeta të më fal shekujt                                                                                                            
Nuk di a do të mjaftonin                                                                                              
Ta përfundoj ditarin tim poetik…”
Këto poezi dashurie janë të bukura, simpatike dhe të përshkruara me emocione, madje mund të thuhet se janë edhe romantike. Disa poezi flasin për zhgënjimin ose zemërimin, por në to reflektohet edhe pozitiviteti, optimizmi dhe shpresa për të ardhmen. Të gjitha poezitë janë të bukura dhe shprehin një dashuri të sinqertë ndaj të dashurës së poetit që në poezi e quan Ana. Të gjitha poezitë, fund e krye, kanë të bëjnë me dashurinë. Marrëdheniet mes vargjeve, por edhe mes poezive kanë lidhshmëri, qoftë në stil të të shkruarit, qoftë në përmbajtje.
Poeti në një rast në poezinë me titull “Na janë tharë buzët”, shkruan:
“Kur hapi dritaren                                                                                                                                    
Vështroj përtej oqeaneve                                                                                                                         
Shtratin ujis me lotët e shpirtit                                                                                                                   
 Për puthjen e mrekullive të natës…”
Poezitë lirike e romantike janë esencë e jetës dhe na joshin që ne gjatë leximit të poezive të ndihemi të relaksuar. Emocione dhe performancë e përjetuar në poezi ekzistojnë dhe sjellin laryshi ngjarjesh. Romancë quhet edhe kur dy njerëz tregojnë se ata e dashurojnë njëri tjetrin përmes detajeve të vogla dashurie. Lexuesi duke i lexuar poezitë e Fyllit sigurisht se do të ndihet mirë dhe i kënaqur, sepse poeti mundohet të na dhurojë sa më shumë kënaqësi me artin e tij. Romancat në poezi janë sekuenca që ngjallin emocione dhe ndjeshmëri shpirti. Poezitë janë të shkruara bukur, kanë stil modern, janë vargje të lira, jo me strofa e rima. Poeti në poezinë me titull “Të kërkova” shkruan:
“Të kërkova aty                                                                                                                                            
Ku kërkimi s’mbaron                                                                                                                                                        
 Pushoj në vendin                                                                                                                                          
Ku shkruanim letra dashurie…”
Ndërkaq, poeti në poezinë me titull të cilin e mbanë libri “Sikur të isha hije”, shkruan:
“Rri e meditoj para pasqyrës                                                                                                                           
Hija yte vallëzon pranë                                                                                                                              
 Si enigma ritualet e vjetra                                                                                                                                
I kthen në kohën moderne…
…Kërkoj përgjigje nga jeta                                                                                                                        
Për pengesa në shikim real                                                                                                                  
Nxitimthi në ndjekje të vetvetes                                                                                                             
Ah, sikur të isha hije…!”  
Poeti shumë bukur e përshkruan të dashurën e tij në poezinë me titull “Sytë e blertë”:
“Në ëndërr e shoh                                                                                                             
Buzëqeshjen e saj                                                                                                                      
Vetullat si hark violine                                                                                                      
Belëhollë e quaja dikur…”
Poeti Dibran Fylli, ndonëse është hera e parë që ka botuar libër me poezi të dashurisë, vërtet i ka shkruar mjaft bukur edhe si art, por edhe si përmbajtje. Faktikisht, janë poezi të dashurisë mjaft të këndshme e të lezetshme që të kënaqin shpirtin. Poetit Fylli i urojmë shëndet dhe suksese në krijimktarinë e tij letrare.
 
Ahmet Pllana