Angela Kosta, Intervistë me gazetaren, shkrimtaren dhe editoren italiane Marianna Iannarone

Angela Kosta, Intervistë me gazetaren, shkrimtaren dhe editoren italiane Marianna Iannarone
MARIANNA IANNARONE
 
Sot sjellim për lexuesit e Orfeut shkrimtaren, editoren dhe gazetaren Marianna Iannarone, lindur në Ariano Irpino, Itali në vitin 1991, Drejtore editoriale e shtëpisë Botuese Tempra Edizioni. Marianna ka doktoraturë në Botime dhe Gazetari. Ajo është autore e disa veprave dhe fituese e disa çmimeve si për poezinë po ashtu edhe për fiction si rezultat i pjesëmarrjes së saj në konkurse të ndryshme letrare, duke u renditur si finaliste, dhe duke kontribuar në krijimin e antologjive të ndryshme për autorë të shumtë. Marianna ka bashkëpunuar me revista letrare mjaft të njohura ndërkombëtare. Ajo është themeluesja e festivalit "Pushtimi poetik", organizon çmime artistike dhe letrare si dhe evente kulturore në shoqata të ndryshme. Marianna është gjithashtu redaktore e revistës online Emme24.it
 
A. Kosta: Përshëndetje Marianna. Na tregoni për veten tuaj: sa libra keni shkruar?

- Përshëndetje, Angela. Ndihem tepër e nderuar që po intervistohem nga një profesioniste me famë botërore si ju, që pavarësisht madhështisë suaj kulturore, jeni kaq modeste dhe e sjellshme.
Ndihem e nderuar gjithashtu të jem prezente në gazetën prestigjoze Nacional è cila po njihet gjerësisht jo vetëm në Itali por në mbarë botën, ashtu sikurse drejtuesi profesional i kësaj gazete, kolegu im do ta quaja më mirë, gazetari Dr. Mujo Buçpapaj, poet me vlera, shkrimtar dhe studiues... Unë kam botuar disa libra, por po përmend këtu përmbledhjen poetike "Viandante - Udhëtare" (Botimet Delta 3, 2016); romanet "La voce che non conosci - Zërin që nuk e njeh" (Eretica Edizioni, 2016), "Futuro edificabile - E ardhme ndërtuese" (Tempra Edizioni, 2019) dhe "All'ombra di Lopert sulle tracce di Quemar - Në hijen e Lopert në gjurmët e Quemar" (Tempra Edizioni, 2022) të cilat u nderuan me përmendjen e meritës në "Çmimin Letrar të Qytetit të Sarzanës" - Edizioni XI 2023; esenë e historisë bashkëkohore "COVID-19 dhe rregullat e reja gjeopolitike" (Tempra Edizioni, 2020).
Kam redaktuar gjithashtu antologji dygjuhëshe, për gjuhën italiane: Surrealizmi gjeniu kontravers i Salvador Dalit (Tempra Edizioni, 2021) italo-spanjolle dhe Fragmente të realitetit njerëzor homazh për Wisława Szymborska italo-polake (Tempra Edizioni, 2023), si dhe të gjithë titujt e tjerë të veprave të Shtëpisë Botuese Tempra.
Kam kontribuar në realizimin e antologjive të shumta, si me poezi, po ashtu edhe të narrativave, për shumë shtëpi botuese të njohura.
 
A. Kosta: Cili ka qenë rrugëtimi juaj fillestar editorial?
 
- Në vitin 2010 mora propozimin tim të parë editorial, nga një shtëpi botuese, pas vlerësimit të njërit prej romaneve të mi. Por, pasi bëra disa konsiderata personale m'u desh të lija mënjanë ëndrrën për të botuar librin, ngaqë nuk ishte koha e duhur. Duke pasur parasysh pasionin tim për të shkruar dhe kuriozitetin për të mësuar më shumë rreth sektorit të botimeve dhe gazetarisë, vendosa të ndërmarr rrugëtimin e studimit, dhe në fakt u diplomova në Botim dhe Gazetari e më pas e përsosa përvojën time me një master në Gazetari dhe komunikim. Atëherë koha ishte aq bujare sa më dha mundësinë të botoja disa vëllime dhe në vitin 2019 themelova Shtëpinë Botuese Tempra Edizionin
 
A. Kosta: Mund t'u tregoni lexuesve tanë se si dhe kur keni filluar të shkruani për herë të parë?
 
- Iu afrova shkrimit krijues, për herë të parë, gjatë adoleshencës: e lashë imagjinatën time të rrjedhë në disa tekste të ngjashme me skenare filmash, ku shpesh dyshoja në vetë kuptimin e asaj praktike, por kjo më bënte të ndihesha mirë dhe më qetësonte. Atëherë unë pata mundësinë të krijoja një botë ideale, edhe pse i fshihja ato fletë sepse i druhesha gjykimit të ndonjë lexuesi. Pastaj, me pak shkujdesje dhe guxim, fillova të ndaja disa faqe të shkruara me shoqet e mia dhe u ndjeva e nxitur të vazhdoja. 
 
A. Kosta: Na përshkruani ditën tuaj krijuese dhe të punës... Çfarë ju frymëzon më shumë?
 
- Është një pyetje po aq interesante sa edhe e vështirë. Më shumë se një ditë "tipike", mund të them se ka periudha që e praktikoj shkrimin tim krijues me thjeshtësi vetëm ngaqë jam e frymëzuar e sidomos kur përjetoj një fazë pozitive dhe në këtë rast përfitoj nga bota përreth apo nga njerëzit e mirë me energji pozitive dhe ide aq sa krijimet më vijnë në kokë dhe përpiqem t'i zhvilloj. Në periudha tepër të ndërlikuara jam në gjendje t'i përcjell më shumë emocionet e mia nëpërmjet poezisë, por gjithashtu përpiqem të krijoj vargje mbi temat e imponuara nga Konkurset Letrare si një ushtrim shkrimi. Përsa i përket pjesës tjetër, jam në kërkim të lajmeve pasi bashkëpunoj me gazetën online Emme24.it dhe shpesh u propozoj intervista artistëve. Jam tepër e zënë me Shtëpinë Botuese Tempra Edizioni e cila realisht realizon jo vetëm evente por merret edhe me botimin e librave, në kërkim të talenteve të reja, duke redaktuar dorëshkrimet të cilat do të botohen dhe këtë e bëj me një ekip shumë të zellshëm. Në fund të mbrëmjes, çdo ditë paraqitet ndryshe, plot ngjarje të paparishikuara dhe pjesërisht në projekte e sipër, nuk arrij gjithmonë të ndjek një orar zbatues.
 
A. Kosta: Ju jeni Drejtoreshë e Shtëpisë Botuese "Tempra Edizioni" si dhe redaktore e gazetare në gazetën Emme24.it. Çfarë mendimi keni për autorët e rinj, në krahasim me ata bashkëkohorë dhe/ose ata klasikë?
 
- Nga përvoja ime mund t'ju them se ka mjaft autorë të rinj të cilët dallohen për aftësitë e tyre; ata janë me të vërtetë në gjendje të krijojnë vepra mjaft interesante sepse kanë personalitet dhe pikërisht për këtë kanë tendencën ta përcjellin atë në shkrim, duke u atribuar një stil identifikues që i çon ata përsëri tek vetvetja e tyre. Vetëm autorët që e konsiderojnë shkrimin si një proces evolulimi, i kryer gjithmonë nga kërkime dhe studime, të pasionuar dhe vërtet të interesuar në krijimet e tyre, kanë shansin real për ta ndarë punën me sa më shumë lexues të jetë e mundur si dhe për të fituar pjekuri në vijim. Shumë autorë përhumben në supozimin e dëshirës së suksesit që në datën e botimit të librit duke sabotuar të gjithë përvijimin letrar. 
Supozoj se ajo që i bashkon letrarët e mëdhenj me autorët e rinj është dëshira për të ndarë një histori dhe t'u japin jetë personazheve në fletë, me të njejtin pasion dhe luftë të vazhdueshme duke dashur t'i lërë lexuesit diçka për të pyetur. Përsa i përket klasikëve, ato janë të paperëndueshëm, sepse mbi të gjitha, temat e paraqitura në universalitetin e tyre vazhdojnë të përsëriten në çdo epokë. Në kohën tonë ka një boshllëk kulturor, për shkak të shumë mekanizmave social-kulturor dhe politik, por pavarësisht gjithçkaje kemi gjithmonë atë pjesë të mirë të intelektualëve që ndoshta në të ardhmen do të jenë "ndër autorët e mëdhenj" të ditëve tona.
 
A. Kosta: Si ia dilni ta gërshetoni krijimtarinë me kërkesat e tjera të kohës: jetën tuaj të përditshme apo familjen? 
 
- Për shkak të shfrenimit të përditshëm, nuk mund t'i përkushtohem gjithmonë shkrimit dhe kjo është torturuese sepse unë e "shtyp" frymëzimin tim, i cili nuk do të manifestohet më kurrë në të njëjtën mënyrë. E megjithatë, ndodh që herë të tjera, edhe pse kam kohë në dispozicion, bllokohem dhe kjo nuk më lejon t'i zhvilloj idetë ashtu siç do të doja. Shkrimi ndikohet shumë nga ngjarjet personale dhe ka raste kur nuk kam energji të mjaftueshme për të qenë në gjendje të shkruaj krijime të reja, herët e tjera ndodh që prirja të jetë shpëtimi për të larguar mendimet nga problemet reale e madje edhe në sfondin terapeutik kanë një çelës të zgjidhjes. Por, meqenëse i kushtoj shumë kohë veprave të autorëve të tjerë, mundohem të gjej
kohën e duhur për të përfunduar edhe krijimet e mia personale. Kështu që shpesh, ndodh t'i vë projektet e mia në plan të dytë. Pavarësisht nga të gjitha këto, ndodh që ka ditë shumë produktive ose të tjera për pushimin e nevojshëm.
 
A. Kosta: Cilët janë poetët tuaj të preferuar? Ju ka rastisur të lexoni vepra të autorëve shqiptarë?
 
- Në çdo fazë të jetës sime i jam afruar poetëve të ndryshëm dhe ata që më kanë transmetuar emocione të forta në shpirtin tim kanë qenë në veçanti: Pablo Neruda, Wislawa Szymborska dhe Alda Merini. Më kanë pëlqyer poezitë e Nënë Terezës së Kalkutës por dua të jem e sinqertë, nuk kam pasur ende rastin të zbuloj autorë shqiptarë, por në të ardhmen do ta bëj këtë.
 
A. Kosta: Na rrëfeni për një nga librat tuaj që ju pëlqen shumë si dhe temat që trajtoni në përgjithësi.
 
- Libri " All'ombra di Lopert - Në hijen e Lopert" është një roman thriller i cili ka si personazh kryesor Alma Linda Pérez: ekzistenca e saj bazohet në mashtrim si e vetmja mundësi për t'i mbijetuar errësirës në të cilën Quemar e ka zvarritur, dhe për të marrë hak ajo bën marrëveshje nga më të paimagjinueshmet me kriminelët ordiner. Alma gjen ngushëllim tek Esteban Garcia, partneri i saj, i cili banon në Palace Hotel Resort dhe atje, së bashku, ata drejtojnë trafikun e paligjshëm, pikërisht në hijen e Lopert, një qytet i veçantë bregdetar spanjoll. Rrezikimi i planeve të Almës është Borzoi, krijuesi i një arme vdekjeprurëse që së bashku me Nixoton ndikon në ngjarjet që ndodhin më pas. Midis aksioneve të spiunazhit, pritave dhe sulmeve në një skenar global dhune dhe dëshpërimi, Alma do të jetë protagoniste e ngjarjeve të rrezikshme së bashku me: Esteban, Enrique, Costa, Armando, Roy, Tobia, Uma, Amed, Yosef dhe Bodua teksa rrethohet nga përzemërsia e Estelës dhe Fionës. Do t'ia dalë t'i thotë lamtumirë Clizia Corinne Dubois? 
Përzgjedhja që të përdorja një protagoniste femër për spiunazh u diktua nga fakti që në lidhje me gjininë, personazhet meshkuj paraqiten shumë shpesh në letërsi. Alma Alias Clizia, për aq sa mund të duket e mësuar me shkëputjen emocionale për shkak të mashtrimit me të cilin jeton, e detyruar të vetëmbrohet, ia del të jetë e fortë, e pavarur dhe e gatshme ta "lërë të shkojë" në mënyrë që të mos rrënohet nga morali i saj antipatik. Personazhi i saj bie shpesh në kontrast me atë të bashkë - protagonistit Esteban García, i cili, teksa pretendon të ketë një pamje më të gjerë të gjërave, jo të qena "në të vërteta më të sigurta", shpesh merr qëndrime seksiste dhe e lëndon
Almën. Për këtë, në rrëfim e sipër unë e prezantoj Almën si një grua e cila mundohet të jetë një partnere baras me Esteban, edhe pse është një kriminele profesioniste dhe e shpëton atë disa herë nga intuita e saj jo pozitive; por megjithatë duket sikur ajo do të provojë aftësitë e saj për të pasur sukses në një sektor të dominuar nga meshkujt. Në këtë libër unë propozoj tema të ndryshme si sigurimi kompjuterik, mbrojtja e privatësisë, ai i moralit, pendimi, etjer.
Përveç kësaj, shumë vende janë thjesht imagjinata edhe pse ndodhen realisht në disa shtete dhe për këtë kam etikuar skenarët gjeo-politikë "të rinj dhe fallco". 
Kjo vepër është një libër mjaft i vështirë jo dhe aq për shkak të vështirësisë së leximit por për kujtesën e emrave të personazheve të shumtë dhe ngjarjeve që i lidhin, në një skenar që ndryshon vazhdimisht aty ku asgjë nuk është ashtu siç duket, dhe aktet e papritura rrëmbejnë vazhdimisht ndodhitë dhe lexuesin.
 
A. Kosta: Ju ka ndodhur ndonjëherë që një nga shkrimet tuaja të jetë lënë mënjanë për arsye dhe motive të ndryshme?
 
- Po, kjo më ndodhi pikërisht me librin e sipërmendur "Në hijen e Lopert". Kisha disa ide se si ta zhvilloja komplotin, por edhe pse fillova ta shkruaj historinë, në një pikë të caktuar u ndala, u demoralizova për shkak të një sërë ndodhish të fokusuara në shumë vështirësi si dhe gjendja shpirtërore e lidhur me të gjitha këto, dhe në vend që të reagoja dhe të përqëndrohesha në shkrim, preferova t'i lija ato faqe të papërfunduara. Por disa kohë më pas, me mbërritjen e pandemisë, rishqyrtova alternativën që kisha, e cila ishte të përqendrohesha te romani dhe t'i jepja vetes një mundësi për t'u rrëfyer një histori lexuesve. U nxita nga ata që më rrethonin dhe kështu ia dola ta botoj romanin. Por kjo më ndodh edhe me poezitë, shpesh krijimet e mia mbeten të papërfunduara ose të pezulluara dhe i ndërmarr përsëri ato në një kohë të mëvonshme kur mendoj se mund të jap më shumë asaj çka mungon.
 
A. Kosta: Ju jeni një grua shumë aktive në fushën e letërsisë. Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
 
- Aktualisht po përfundoj disa vëllime poezish për Tempra Edizioni të cilët do të botohen muajt e ardhshëm. Gjithashtu kam në program të krijoj një konkurs të ri të Artit Letrar dhe kohët e fundit kam kontribuar në krijimin e një Konkursi Muzikor. Në lidhje me krijimin tim artistik, dëshiroj t'i jap vazhdimësi librit "Në hijen e Lopert" dhe t'i përkushtohem krijimit të një përmbledhjeje poetike. Ndërkohë, jam e përfshirë në emër të disa shoqatave të ndryshme në organizimin dhe promovimin e ngjarjeve kulturore që do të zhvillohen deri në fund të vitit. 
 
A. Kosta: Ju falenderoj për intervistën duke ju uruar suksese në realizimin e projekteve tuaja.
 
- Unë ju falenderoj juve Angela ashtu sikurse i jam mirënjohëse Drejtorit Dr Mujo Buçpapaj. Falenderoj gjithashtu të gjithë lexuesit dhe adhuruesit e gazetës Nacional.

 

Intervistoi dhe përktheu Angela Kosta Drejtore e Revistës MIRIADE, Akademike, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese