Irma Kurti, Intervistë me Michael Lee Johnson

Irma Kurti, Intervistë me Michael Lee Johnson
MICHAEL LEE JOHNSON. SHBA
 
Michael Lee Johnson ka jetuar në Kanada për dhjetë vjet gjatë periudhës së Vietnamit dhe është njëkohësisht qytetar i Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë. Sot, ai është një poet, shkrimtar i pavarur, fotograf amator dhe pronar i një biznesi të vogël në Itasca, DuPage County, Illinois. Ai ka 301 video me poezi në YouTube. Michael Lee Johnson është poet ndërkombëtar me vargje të botuara në më shumë se 1488 antologji; poezitë e tij janë botuar në 45 vende të botës. Michael Lee Johnson redakton dhe boton 10 faqe interneti me poezi.  Ai është nominuar për 7 çmime Pushcart Prize në gjininë e poezisë dhe 6 nominime si Autori më i mirë në rrjet. Gjithashtu, është editor i 3 antologjive me poezi, të disponueshme në Amazon si dhe ka botuar disa libra me poezi e të tjerë me format të vogël. Ka në arkivin e tij 463 poezi të botuara. Michael është administrator i 6 grupeve të Poezisë në Facebook. Ai është po ashtu anëtar i Shoqatës së Poezisë në Illinois: http://www.illinoispoets.org/.
 
-Mund të na tregoni diçka për veten tuaj?
 
-Pjesa më e madhe e jetës sime është përmbledhur në biografinë time. Pas një reflektimi shikoj se ajo duket paksa e cunguar. Kam jetuar një jetë plot tension e çmenduri në kufirin e shumë ngjarjeve të rrezikshme ndër vite, të shoqëruara me periudha mërzie dhe vetmie. Në shkollën e mesme isha atlet, një fëmijë nën mesataren, që mezi merrte nota kaluese. U martova herët, shumë herët, dhe hyra në një kolegj lokal të paakredituar në atë kohë. Arrita mesataren B ose një notë 3 nga 4 dhe për shumë vite ndoqa 7 kolegje dhe universitete të ndryshme. Ndërsa lufta e Vietnamit u zgjerua dhe unë nuk isha më i martuar me një fëmijë, m’u kërkua nga qeveria e SHBA  që të shërbeja në forcat e armatosura. Emigrova në Kanada me shumë vështirësi. Kam jetuar në rrugë, kam bërë autostop, kam qendruar në hambarin e kuajve të një fermeri për muaj të tërë përpara se të merrja statusin ligjor në Kanada. Ishte luftë për mbijetesë. Më në fund arrita të marr një diplomë në sociologji ndërsa nuk munda të kaloj një kurs për të shkruarin krijues. Fillova një program Master për korrektorë, përfundova kursin pa mbrojtur dot ndonjë tezë, ndërsa përfundova 3 kurse para-doktoraturë në Sociologji për t’i braktisur më pas të gjitha këto. Pas 10 vjetësh në mërgim, u ktheva në Shtetet e Bashkuara në pranverën e vitit 1980. Qysh atëherë e deri më tani, më është dashur shumë kohë për t’u marrë me aktivitetet që kryej sot.
 
-A ju kujtohet poezia apo tregimi juaj i parë?
 
-Poezia ime e parë titullohej UDHËTIMI: Humori im po mbaron, e shkruar në shkurt 1968. Tani, duke hedhur shikimin pas, vërej se ishte një vargëzim tipik i një të riu përpara Luftës së Vietnamit. Ju lutem, konsiderojeni këtë poezi si diçka tjetër dhe jo si një reflektim të gjendjes sime aktuale. Ashtu si shumë poetë të rinj, ajo ka të bëjë me përsiatjen, romancën dhe frikën. Kini parasysh se kjo ishte poezia e një fillestari, që mund të të vërë edhe në vështirësi. Ne të gjithë fillojmë nga një pikë e caktuar; kjo poezi tani ka mbushur 55 vjeç. Atëherë isha thjesht një i ri që ende s’kishte marrë një drejtim në jetë.
 
UDHËTIMI: Humori im po mbaron (Poema # 1)
 
Humori im po mbaron, mendja ime po bëhet realiste,
mendimet shkojnë përsëri tek kjo shoqëri.
Kthehen në rrugën e rutinës së përditshme,
rrugët plot, njerëzit aq meskinë dhe të ftohtë
por sonte, në dhomën time, jam krejt i vetëm,
kur gjithçka është e qetë, dhe vetmia hyn në zemrën time
mendja ime bëhet sërish aktive, mendimet vijnë pa pushim.
Thonë se që të largoj mendjen, më duhet të bëj një shëtitje,
apo të eci
por kjo mos vallë ndodh pse ata kanë frikë brenda vetes të kërkojnë,
apo të hyjnë në mendjet e tyre, të përballen me veten,
të hyjnë në thellësi të shpirtit të tyre?
 
02-03-1968
(Para-Mërgimit në Kanada. Lufta në Vietnam)
 
-Përse shkruani?
 
-Shkruaj sepse mundem. Kjo tani bën pjesë në atë grup të vogël të aftësive që unë zotëroj. Kam qenë i bekuar nga Zoti me një pasion që të paguan pak ose aspak, përveçse rasteve kur dikush njihet si "më i miri absolut" dhe kujtohet, zakonisht pasi largohet i vetmuar nga kjo botë. Vetëm atëherë duan të dinë se ku ka jetuar ai poet, nivelin e tij arsimor, ku mund t'i gjejnë fotografitë e tij, historinë e tij dhe kritikët ose poetët me të cilët ai rrinte.
 
-Ju keni 301 video me poezi në YouTube. A është kjo një mënyrë tjetër për të dialoguar me lexuesit në mbarë botën?
 
-Është një format i preferuar për mua për disa arsye të forta. Pa respektuar radhën mund të them se kam një cilësi zëri shumë të mirë për radio, pasi më lejon të dëgjoj zërin tim, të kap gabimet e thjeshta përpara prodhimit në YouTube dhe të korrigjoj poezitë përpara se t'i dërgoj ato në botim për një vlerësim më serioz. Më magjepsin teknikat e arranxhimit, përzgjedhja e fotografive, ndarja e fjalëve dhe zgjedhja muzikore për secilën poezi. Grafika dhe zëri arrijnë një audiencë reale dhe afatgjatë shumë më tepër se sa thjesht fjala e shkruar, por të dyja kanë avantazhet e tyre.
https://www.youtube.com/watch?v=2m0aFXu0MgU&t=187s
https://www.youtube.com/watch?v=RG6XHHDThDc
 
-Cila është tematika e poezive tuaja?
 
-Në vitet e para, si shumë fillestarë, tematikat e poezive të mia ishin të fokusuara në dashurinë e humbur, dashurinë e fituar dhe romancën, duke depërtuar në thellësinë e një zemre rinore njerëzore. Duhet mendjemprehtësi për të trajtuar tema të mëdha. Shpesh, poezia ishte një formë vetë-terapie, traume emocionale. Me kalimin e moshës dhe pjekurinë graduale, temat evoluan në një mjedis më të qëndrueshëm. Ato nuk ndryshuan shumë, por stabiliteti emocional ndryshoi. Poezia u bë pasion, jo terapi; ajo nuk varej më nga një mbështetje e jashtme. Temat e poezive të mia tani janë vdekja, natyra, meditimet mbi ngjarje të përditshme dhe poezitë e zymta, vargje munduese të fillimit dhe të fundit të jetës. Jezusi shpesh shfaqet në qoshet e poezive të mia për të mos u tejmbushur nga ateistët dhe jobesimtarët.
 
-Ju jeni botues i 3 antologjive me poezi. Çfarë kanë të përbashkët shumica e poetëve?
 
-Më pëlqen kjo pyetje. Është baza e të menduarit apo çmendurisë. Supozohet se shumica e poetëve janë të rezervuar, por jo të gjithë. Disa kanë mësuar të jenë të hapur për shkak të nevojës, për të siguruar jetesën dhe mbijetesën në platformën vetjake ose martesore brenda shoqërisë.
Përtej normales, për mendimin tim, poetët ndajnë disa nga këto gjëra:
• Një interpretim të ngjarjeve të thjeshta natyrore. Natyrës në përgjithësi.
• Shpesh hulumtojnë botën mistike, sfondet e pasigurta, traumat.
• Arratisen në botën e tyre të kufizuar.
• I shohin ngjarjet dhe vendet ndryshe nga shumica e njerëzve.
• Përpiqen më tepër se të tjerët. Nuk janë më inteligjentë, por shumë më të vendosur.
 
-A mund të kontribuojë Poezia në bashkimin e poetëve në mbarë botën? A mund të ndihmojë ajo edhe për të kapërcyer paragjykimet?
 
-Mediat sociale (Facebook, Instagram, Twitter ose X, dhe shumë platforma të tjera) ndihmojnë në bashkimin e poetëve dhe në inkurajimin e tyre për të ecur më tej. Lidhjet kuptimplote me krijues të tjerë me interesa të ngjashme vetëm mund të ndihmojnë. Ndarja e ideve, burimeve, poezive dhe informacionit ndihmon në ndezjen e një zjarri të nëndheshëm. A mund të ndihmojë ajo edhe për të kapërcyer paragjykimet? Jo. Kjo është një fantazi. Poezia nuk mund t'i kapërcejë vitet e indoktrinimit, historisë dhe besimeve siç janë e vërteta apo zhgënjimi. Ajo mund t'i ndihmojë njerëzit të mendojnë, por vetëm koha dhe brezat e rinj mund t'i kapërcejnë paragjykimet.
 
-Çfarë interesash të tjera keni përveç të shkruarit?
 
-Kam interes të jetoj edhe disa vite të tjera. Të administroj grupet e mia të poezisë në Facebook, gjë që e bëj nga viti 2012. Shoh nga dritarja ime dhe kënaqem me "krijesat e mia të natyrës" më tepër sesa me shumicën e "qenieve njerëzore". Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e mendojnë veten si kafshë. Tingëllon e padenjë për disa nga të njohurit e mi më të rafinuar. Fakti është se ne të gjithë jemi kafshë.
 
-Cila do të ishte këshilla juaj për autorët e ardhshëm?
 
-Mos lejoni që dikush t'jua rrëmbejë gëzimin! Poezia nuk paguan, por ajo magjeps zemrën dhe nuk mund të shmanget nga vargshkruesit më të mirë. Trashëgimia e vlerave është pasion; përpjekja e bën atë realitet. Nëse besoni në ëndrrat dhe jetën përtej vdekjes dhe mbështetni fort përkufizimin tuaj të besimit dhe shpresës, ka të ngjarë që të jeni në rrugën që të çon në këndin e lojërave të Parkut të Poezisë.
..........................................................................

Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali