INTERVISTË ME CAROLYN MARTIN
Nga pedagoge e anglishtes tek trajnere e menaxhimit dhe pastaj në pension, Carolyn Martin ka udhëtuar nga Nju Xhersi përmes Kalifornisë në Oregon për të zbuluar bredhat në Douglas, muajt me shi dhe verë të thatë. Pas shumë viteve që iu dedikua punimeve akademike dhe librave të biznesit, ajo kuptoi se poezia është mënyra se si mendja e saj ndërvepron me botën – me imazhe, ritme, tinguj dhe forcën e gjuhës. Kështu, siç shprehet ajo vetë “iu përkushtua sfidës së gëzueshme të përkthimit të përvojës në sa më pak fjalë të ishte e mundur”. Filozofia e saj mishërohet në komentin e shkrimtarit amerikan Jack Kerouac në librin Dharma Bums (Vagabondët e Dharmës): “Një ditë unë do të gjej fjalët e duhura dhe ato do të jenë të thjeshta”, si dhe në deklaratën e poetit Galuay Kinnell, “Për mua, poezia është dikush që qëndron në këmbë … dhe thotë, duke u fshehur sa më pak të jetë e mundur, se ç’do të thotë për atë vetë të ekzistojë në atë moment.”
Poezitë e Carolyn Martin rreken të jenë të thjeshta, teksa përballen me kompleksitetin e të jetuarit.
Vargjet dhe recensionet e librave të saj janë botuar në më shumë se 150 revista e gazeta në të gjithë Amerikën e Veriut, Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht punon si redaktore e recensioneve të librit për Shoqatën e Poezisë së Oregonit dhe redaktore e poezisë në Revistën Kosmos Quarterly.
Cila është rutina juaj e përditshme e të shkruarit?
Jam krejtësisht e padisiplinuar, pra rutina ndryshon. Shpesh veproj kështu: Përpara se të filloj një poezi të re, rilexoj disa nga krijimet e mëparshme dhe shoh nëse kanë nevojë për ndonjë ndryshim (zakonisht kanë). Kjo më nxit pastaj të nis punën me një poezi të re.
Gjithashtu, mbaj plot skedarë. Njëri është i mbushur me “Fjalën e ditës” dhe për ta pasuruar atë bazohem në Dictionary.com. Zbavitem duke përdorur në poezitë e mia fjalorin e jashtëzakonshëm që gjej atje. Kam po ashtu dokumente të mbushura me citate për çdo temë që ndesh gjatë leximit apo kur shoh televizor. Kam të tjera me fraza ose rreshta që më vijnë në mendje dhe i shkruaj për të mos i harruar. Shumë prej tyre kanë gjetur vend në poezitë e mia.
Jeni e apasionuar pas krijimtarisë dhe fotografisë. Keni ndonjë parapëlqim? A e plotësojnë ato njëra-tjetrën?
Kaloj më shumë kohë duke shkruar se sa duke fotografuar, por çdonjëra prej tyre ka një gjë të përbashkët: kërkojnë t’u kushtosh vëmendje. Unë ndjej se jam më e pranishme në botë kur kam një aparat fotografik në dorë. Ndërsa gjatë ditës përjetoj botën time të brendshme dhe të jashtme, përpiqem të jem e vetëdijshme për pamjet, tingujt, aromat, prekjet që e bëjnë atë ditë unike. Këto detaje mund të më frymëzojnë për të shkruar poezi.
A e keni provuar ndonjëherë të mos shkruani për periudha të gjata ose siç thuhet ndryshe bllokimin e shkrimtarit? Çfarë bëni në të tilla raste?
Për vite të tëra, sa herë që kisha një periudhë të tillë, mendoja se nuk do të shkruaja më kurrë. Këto kohë zgjasnin me javë ose muaj - dhe ishte vërtet dekurajuese. Megjithatë, sapo kuptova se jeta ime krijuese kishte një ritëm të caktuar, mundja ta hyja dhe të dilja më ngadalë dhe me më pak ankth nga këto periudha të faqeve bosh. Gjatë kohës kur nuk shkruaja merresha me kopshtari, fotografi dhe punë të ndryshme.
Unë besoj se nëse nuk krijojmë ne vdesim dhe një lloj krijimtarie sjell një tjetër dhe një tjetër formë krijuese. Sigurisht, kur nuk shkruan, ti lexon dhe vëzhgon. Grumbullon ato skedarë me fjalë të reja, citate, fragmente bisedash që ke në mendje: ata gurë të çmuar që mund të shkëlqejnë kur të kthehen koha dhe energjia për të shkruar - dhe shpejt ose vonë kjo do të ndodhë.
Poezitë tuaja janë botuar në më shumë se 150 revista anembanë Amerikës së Veriut, Australisë dhe Britanisë së Madhe. Jeni gjithashtu autore e gjashtë përmbledhjeve me poezi. A mendoni se poezia është një mjet i rëndësishëm për të përcjellë një mesazh te njerëzit?
Unë nuk shkruaj për të përcjellë mesazhe. Nëse lexuesit gjejnë një të tillë në veprën time, kjo është pozitive. Shkruaj për të parë nëse mund ta rrok botën - brenda dhe jashtë, të shkuarën dhe të tashmen - në gjuhë dhe imazhe që janë të reja dhe të freskëta e që më falin gëzim. Ndoshta ky është mesazhi im: të ndaj gëzimin që përjetoj kur shkruaj dhe shpresën se dikush do t’i lexojë poezitë e mia!
Ju jeni redaktore e Kosmos Quarterly: Revista për transformimin global. Kjo ju jep mundësinë të lexoni çdo ditë shumë poezi. Cili është ndikimi i një poezie të bukur tek ju?
Kur një poezi më bën të kërcej nga karrigia ose të ngre grushtin në ajër duke bërtitur “Po! Po! Po!”, e di që ka ndodhur diçka e veçantë. Gjuha, forma dhe lënda më kanë tërhequr dhe më kanë treguar gjëra që nuk i kam parë apo dëgjuar më parë. Kur një poet trajton një të vërtetë - qoftë edhe të vështirë - dhe krijon diçka të bukur prej saj, unë ndihem vërtet e emocionuar dhe e lumtur.
Kemi kaluar një periudhë të vështirë për shkak të pandemisë. Si ndikoi kjo në punën tuaj si autore dhe redaktore?
Sinqerisht, pandemia nuk ndikoi shumë në të shkruarin ose në punën time si redaktore. Meqenëse të dyja janë aktivitete që zhvillohen në vetmi, kam patur më tepër kohë për t’iu dedikuar atyre. Ndoshta një nga gjërat më pozitive që doli në pah gjatë periudhës së pandemisë ishte leximi i poezisë në platformën online Zoom. Kam ndjekur më shumë lexime virtuale në këtë kohë se sa kam lexuar unë personalisht gjatë pesë viteve të mëparshme. Të lexosh apo të dëgjosh poetë nga e gjithë bota është një dhuratë. Shpresoj që kjo mundësi virtuale do të mbetet e vlefshme edhe në vazhdimësi.
Mund të jepni një këshillë për poetët, për ata që duan t'i përkushtohen të shkruarit?
Do të doja të ndaja tre mendime për poetët aspirantë:
Lexoni, lexoni, lexoni – por jo vetëm poetë të mirë bashkëkohorë. Lexoni mjeshtrat e letrave që i kanë qëndruar provës së kohës si Frost, Yeats, Whitman, Dickinson, Bishop, Williams dhe Eliot. Ne kemi arritur progres falë mjeshtërisë së tyre dhe ata na ofrojnë tema dhe teknika që mund t'i huazojmë dhe pasurojmë më tej.
Internet, Internet, Internet. Merrni pjesë në lexime, në kurse trajnimi, bashkohuni - ose krijoni - grupe të përbërë prej kritikësh. Rekrutoni në rrethin tuaj njerëz që kanë njohuri për zanatin e poezisë. Kaloni kohë me poetë që tashmë janë shkrimtarë të zotë dhe e dinë se çfarë është një vepër e mirë. Edhe pse mund të jetë argëtuese të shoqërohesh me ata që duartrokasin gjithçka që ju shkruani, kjo nuk është mënyra më e mirë për ta kaluar kohën.
Mund të tingëllojë absurde, por poetët duhet të sfidojnë veten duke shkruar mbi tematika që nuk i njohin. Shkenca, arti, muzika, kozmologjia, fetë botërore, etj. ofrojnë imazhe dhe ide që mund të pasurojnë punën e kujtdo. Më kujtohet se kam lexuar disa artikuj ku pohohej se dielli bie si një zile, se Amerika e Veriut i afrohet me tre centimetra çdo vit Japonisë dhe se ekziston një specie bretkosash që dëgjon me gojë. Secila prej këtyre imazheve më ka zbavitur dhe nuk është çudi që të jetë transformuar në poezi. E pabesueshme!
Intervistoi: IRMA KURTI
Poete, shkrimtare dhe gazetare
Itali