Angela Kosta - 50 vjet karriere të shkrimtares dhe poetes Francesca Gallello.
Francesca Gallello kalon përmes përkushtimit të saj ndaj kulturës, urën që bashkon popullin italian me atë shqiptar dhe atë kosovar. Përveçse shkrimtare, poete, gazetare dhe Drejtoreshë e Revistës Ndërkombëtare "Saturno", ajo është gjithashtu krijuese e tavolinës "Donna Rosa" e cila ndihmon shumë gra të denoncojnë ata që shkelin krenarinë dhe dinjitetin e tyre, fizikisht dhe verbalisht. Ndjehem e nderuar të flas me të gjithë ju sot, për Francesca Gallello, grua me merita shumë të larta, e cila i vë të tjerët para vetes së saj, duke i ndihmuar ata në mijëra mënyra për të përhapur poezinë dhe letërsinë e edhe më gjerë. Francesca Gallello lindi në Cirò Marina (KR) më 29 shtator 1963 ku banon ende sot. Që në moshë të re, ajo ka bashkëpunuar me gazeta të ndryshme si: Il Setaccio, Albatros, Il Crotonese dhe aktualisht bashkëpunon me Quotidiano Della Calabria. Romanin e saj të parë e shkroi në moshën 9 - vjeçare, pas së cilës vazhdoi me vjersha e tregime të shkurtra, përralla dhe poezi. Në vitin 1988 ajo botoi romanin e saj të parë me titull: "Por ai e donte Shën Mërinë" duke trajtuar problemet e adoleshencës në lidhje me admirimin e idhujve dhe ndjenjat. Në vitin 2010 ajo organizoi manifestimin kundër dhunës ndaj grave “Nëse jo tani, kur?”, e cila u zhvillua me shumë sukses. Në vitin 2010 botoi “Si dredhka", një roman delikat në të cilin krahason tre breza përmes ndjenjave të tre grave: nënës, gjyshes e mbesës, libër i cili u paraqit në panairin e librit të Torinos, duke tërhequr shumë vëmendje. Në vitin 2012 themeloi Shoqatën Kulturore Historike Radici - Rrënjët, duke formuar seksione të ndryshme në Itali dhe jashtë saj. Shoqata merr përsipër të kryejë studime dhe kërkime në lidhje me Rilindjen Italiane dhe të vërtetat historike mbi banditët dhe është shoqata e parë e studimeve jugore e themeluar nga një grua në Kalabri.
Francesca Gallello themeloi Çmimin Ndërkombëtar “Njohja e Rrënjëve tona” dhe Çmimin e Vlerësimit “Dashuria dhe pasioni për tokën time”, ku janë dhënë shumë çmime dhe mirënjohje për personalitete të shquara që e kanë kthyer angazhimin drejt rrënjëve të tyre. Gallello krijon dhe drejton Konferencën udhërrëfyese titulluar "Të vërtetat historike", e cila shpërndahet nëpër shkolla dhe teatre, duke hedhur dritë mbi periudhën historike të Rilindjes italiane (1861). Për më tepër, Gallello themeloi Çmimin "Krimisa Promontorium" për autorët dhe gazetarët kalabrezë.
Në vitin 2014 krijoi sportelin e kuq “Donna Rosa”, në të cilën u afruan shumë gra duke kërkuar ndihmë dhe këshilla. Falë këtij sporteli, shumë femra patën guximin të denonconin kush i lëndonte dhe i dhunonte.
Në fakt, në vitin 2015 u botua libri "Donna rosa", një përmbledhje me tregime mbi dhunën me bazë gjinore, libër i cili u shkrua për të inkurajuar gratë që falë "Donna rosa", gjetën forcën për të denoncuar dhe dëshirën për t'i bërë të njohura historitë e tyre su edhe t'i ftojnë gratë e tjera të denoncojnë dhunuesit. Ky libër u prezantua në Panairin e Librit të Torinos ku u zhvillua konferenca me titull “Edukimi sentimental” e përhapur në shkolla të ndryshme në Itali. Në vitin 2016 Francesca Gallello themeloi Shoqatën e Shtëpisë Letrare, Kinematografike dhe Botuese “VELIERO” (e cila në vitin 2023 u bë APS, për promovim social). Në vitin 2017 krijoi Panairin e Parë të Festivalit të Letërsisë dhe të Kinemasë, në një hapësirë mbi 1000 metra katrorë ku mblodhi së bashku, për katër ditë, botues, autorë, artistë, gazetarë, me ekspozita, prezantime librash, tryeza të rrumbullakëta me grupe shkollash të cilët, nga ana tjetër, dy klasa në të njëjtën kohë, u përfshinë në përralla dhe tregime të kohëve të tjera, takime ku mësoheshin bazat për krijimin e një romani, si lind një gazetë, një artikull, një vepër arti, por edhe takime kushtuar Antonio Gramscit dhe Primo Levit. Brenda ambientit pati shumë ekspozita me vizitorë dhe të ftuar të shquar nga Letërsia Kombëtare dhe Ndërkombëtare, por edhe nga muzika dhe kinemaja. Vende mysafire të festivalit ishin Shqipëria dhe Kosova nga të cilët morën pjesë përfaqësues të kulturës shqiptare, profesorë universiteti të historisë, poetë, shkrimtarë e historianë. Qyteti mikpritës italian i ngjarjes ishte Benevento.
Francesca Gallello ideoi dhe krijoi gjithashtu Konkursin Ndërkombëtar Letrar në të cilin morën pjesë mbi 800 autorë nga e gjithë bota: Italisë, Indisë, Shteteve të Bashkuara, Afrikës, Spanjës, Francës, Shqipërisë, Kosovës, Anglisë, Gjermanisë, Irlandës. Shumë prej konkuruesve ishin të pranishëm për të marrë Çmimin gjatë kësaj ngjarjeje shumë interesante të mbajtur në Cirò Marina. Francesca Gallello gjithmonë ka zhvilluar dhe vazhdon të marrë pjesë në konferenca, promovime, takime me rëndësi të larta kulturore si për shembull Kongresi Kombëtar RADICI - Rrënjët i mbajtur në Gaeta me Antonio Ciano, shkrimtar dhe historian nga jugu i Italisë, me temën Rilindja, me të ftuar nga të katër skajet e vendit. Veprat letrare të Francesca Gallello janë përkthyer në shumë gjuhë e shtete duke përfshirë: Japoninë, Anglinë, SHBA, Gjermaninë, Shqipërinë etj.
Gjatë angazhimit të saj kundër dhunës ndaj grave, ajo u kontaktua nga shkrimtarja dhe gazetarja e njohur e New York Times, Tatyana Mamonova, shkrimtarja e parë disidente ruse që guxoi të shkruante për padrejtësitë dhe kushtet e grave që punojnë në Rusi dhe së pari për të krijuar një lëvizje femërore. Mamonova ka shkruar shumë për Francesca Gallello, në librat e saj të botuar në 11 gjuhë e të shpërndara në 20 vende dhe të përdorura si tekste studimi në universitete prestigjioze në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas Mamonova erdhi në Kalabri për të njohur personalisht Francesca Gallello me të cilën bashkëpunoi në librin "Donna Rosa". Në vitin 2017 Gallello botoi "Poezi të shpirtit" përmbledhje me poezi në dialektin kalabrez të redaktuar nga poeti Dante Maffia. Në vitin 2018 botoi “Dashuri dhe vdekje në Kalabrinë e banditëve", shkruar së bashku me historianin Antonio Ciano, autor i disa bestseller-ve, me parathënie të Pino Aprile. Roman historik bazuar nga ngjarjet në Kalabri në vitin 1861.
Në vitin 2019 botoi "Rrugica", përmbledhje me poezi dialektore të përcaktuara si histori sociale. Së fundmi ka hapur një dialog kulturor me Shqipërinë, duke krijuar libra në gjuhën shqipe, në bashkëpunim me profesorë universiteti dhe shkrimtarë, e duke mbajtur gjithashtu konferenca interesante për këtë temë. Për të, janë shkruar artikuj të ndryshëm në gazetat kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri, Japoni ku ajo është cilësuar si Mbretëresha e Poezisë. Poezitë e saj dialektore konsiderohen të kenë një përkushtim historiko - shoqëror për temat e trajtuara, stili i të cilave është cilësuar si "galelian" nga autorë dhe kandidatë për Çmimin Nobel për letërsinë italiane. Francesca Gallello personalisht drejton dhe kujdeset për disa site kulturore dhe blogje. Në vitin 2021 botoi përmbledhjen me poezi "Oltre il mare - Përtej detit" në bashkëpunim me autorin shqiptar dhe Profesorin Universitar Nikollë Loka, përkthyer nga Valbona Jakova. Libri i botuar në Shqipëri dhe Kosovë, ka bashkëpunimin midis shtëpisë botuese VELIERO dhe EMAL. Ai u prezantua në vitin 2022 në Milano në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2022 Gallello themeloi Revistën Ndërkombëtare "SATURNO Magazine", Revistë e Artit, Kulturës dhe Shoqërisë, me të cilën autore dhe autorë të ndryshëm nga e gjithë bota bashkëpunojnë në mënyrë miqësore. Revista i kushton një hapësirë të veçantë autorëve të huaj me një rubrikë kushtuar autorëve nga e gjithë bota, kinemasë dhe televizionit ku ka hapësirë të veçantë drama aziatike.
Në vitin 2012 ajo krijoi dhe prodhoi romanin e parë "Virtual", fotonovela e parë absolute, që doli live në platformën fb, ku për herë të parë personazhet e një fotonovele komunikuan drejtpërdrejt me lexuesit dhe shikuesit. Në vitin 2019 ajo krijoi edicionin e dytë të romanit "Virtual" bazuar në romanin e saj "Si dredhka", e cila korri shumë sukses. Francesca Gallello e angazhon kohën e saj në jetën shoqërore, jo vetëm kundër dhunës ndaj grave, por edhe me shfaqje teatrale në IPM, Instituti i Burgjeve për të Mitur në Catanzaro. Që nga viti 2019 ajo adoptoi emrin e skenës, së bashku me të sajin, Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gomez, me kërkesë dhe dëshirë të Maestro Italo Nel Gomez, ish - Drejtori artistik i Shkallës në Milano, Drejtor Artistik i Fenice në Venecia, Drejtor i Bienales po ashtu në Venecia. Francesca e pranoi me krenari këtë emër. Përveç kësaj, Gallello ka marrë disa Çmime Kombëtare dhe Ndërkombëtare dhe vlerësime të rëndësishme si përshembull:
- Çmimin Klubi Letrar "Podguri" Istog "Ibrahim Rugova" (Kosovë)
- Nga Forumi Botëror Letrar për Paqen dhe të Drejtat e Njeriut, merr nominimin "Ambasadore Ndërkombëtare e Paqes"
- Nga Federata Universale e Paqes “Ambasadore për Paqen”.
Le ta njohim më mirë nga afër shkrimtaren shumëplanëshe që ia kushton jetën jo vetëm artit dhe kulturës, por edhe problemeve sociale nëpërmjet intervistës që vijon…
A. Kosta - Kur ka qenë takimi juaj i parë me shkrimin?
F. Gallello - Fillova t'i doja shumë librat dhe duke zbuluar se përmes faqeve të një proze, mund të ëndërroja dhe përjetoja një mijë aventura përmes tregimit, duke u bërë miq me personazhet edhe në ëndrrat e mia, luaja me ta. Isha vetëm 8 vjeçe kur lexova librin tim të parë dhe në moshën 9 - vjeçare, shkrova tregimin tim të parë. Në moshën 17-vjeçare publikova botimin e parë në një shtëpi botuese në Firence.
F. Gallello - Kur isha 16 vjeç fillova të shkruaj për gazetën “Il Setaccio” të themeluar nga profesor Scarpelli dhe ishte ai që më inkurajoi dhe më bëri të pasionuar pas kësaj bote. Fatkeqësisht, kur ai botoi gazetën e tij të fundit, më erdhi keq dhe mbeta po shumë keq për këtë njeri plot virtyte i cili kishte vënë zemrën e tij në këtë gazetë, dhe mendova se nuk do të më jepej më mundësia të shkruaja. Kështu që ëndërroja të kisha një revistë timen, edhe pse, në vitet në vijim shkrova për gazeta të ndryshme dhe aktualisht bashkëpunoj me Gazetën Calabria, ndaj kjo ëndërr nuk më ka braktisur kurrë. Në vitin 2022 vendosa ta bëj realitet këtë, kështuqë lindi revista SATURNO, një revistë online shumë dinamike dhe moderne, revistë në të cilën më pëlqen t'u jap hapësirë jo vetëm personazheve të njohur, por edhe t'u jap shans njerëzve të zakonshëm. Unë jam Drejtoresha kurse Zv. Drejtoreshë është Mariasole Cavarretta; gjithashtu kemi disa bashkëpunëtorë që në mënyrë miqësore dërgojnë artikuj me tema të ndryshme me hapësira shumë të lakmuara kushtuar autoreve dhe autorëve nga e gjithë bota. Rubrikat janë të larmishme, kemi: Art, Kulturë, Kostum, Shoqëri, shkrime nga bota, Personazhe të njohur, tregime të vërteta, libra të klasikëve të djeshëm dhe të sotshëm, Kinema, TV dhe argëtim, një hapësirë të veçantë i përkushtohet gjithashtu dramave aziatike që janë shumë të pëlqyera nga të rinjtë, e së shpejti do të kemi sërish rubrikën “Embëlsir dhe Krip”. Bashkëpunëtorët tanë janë shumë aktivë, dhe falë tyre ne arrijmë që çdo muaj ta bëjmë revistën gjithnjë e më të mbushur me artikuj interesantë. Bashkëpunëtorët janë: Nikollë Loka, Maria Ojetraj Loka, Olimbi Velaj, Hirian Dahri, Valbona Jakova, Andris LIeskai, Eltona Lakuriqi, Giuseppe Condello, Irma Kurti, Angela Kosta, Terry Loiero, Rosanna Labonia, Tatyana Mamonova, Amelia Cavallaro, Arianna Gnasso, Andrea d'Amato, Steliana Natasha. Kemi edhe një muzë, aktoren e vogël në Virtual Romance, Maria Grazia Gallello, e cila është vetëm 4 vjeçe. Dyert e Revistës Saturno janë gjithmonë të hapura dhe të gatshme për të mirëpritur bashkëpunëtorët, mjafton të bëni një kërkesë e cila sigurisht do të vlerësohet. Faqja jonë po zhvillohet vazhdimisht për ta bërë atë gjithnjë e më të këndshme për t'u lexuar.
A. Kosta - Ju e doni popullin shqiptar dhe atë kosovar. Cila është lidhja juaj me Shqipërinë dhe Kosovën?
F. Gallello - Lidhja ime me Shqipërinë dhe Kosovën është shumë e ngushtë. Ajo ka nisur 10 vjet më parë, kur gjatë marrjes së Çmimit "Terre Lontane - Tokë të Largëta", u njoha me shkrimtarin, poetin, gazetarin dhe Profesorin e Universitetit, Nikollë Loka. Mes nesh lindi menjëherë një miqësi me interes kulturor, shkëmbime librash, vjersha dhe artikuj të ndryshëm, ndaj vendosëm të shkruanim një libër së bashku, e kështu lindi "Oltre il mare - Përtej detit", e shkruar në italisht dhe shqip, dhe e përkthyer nga poetesha Valbona Jakova, një libër që e prezantuam në Itali, në Milano në Konsullatën e Shqipërisë dhe së fundmi në Shqipëri dhe Kosovë, ku libri u prezantua në vende historike dh kulturore, si Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, në sallën kushtuar piktorit të njohur Hysen Grajçevci për të moderuar poetin dhe shkrimtarin shumë të dashur në Shqipëri, Hasan Selimi. Morën pjesë poetë, prozatorë, publicistë, gazetarë, personalitete të jetës politike dhe publike si: Gjenerali Dede Prenga, ish - Zëvendës Shefi i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare; Nikolin Kurti, ish - Zëvendësministër i Transportit; Dr Albert Gjoka, Profesor Universitar, përgjegjës për platformën e shitjes online të librave “Bukinist”. “Që në vitin '45 nuk kemi parë në Shqipëri një bashkëpunim kaq kulturor, të përzemërt dhe të ngushtë, kjo është e rëndësishme dhe një krenari për të gjithë ne. Bashkëpunimi duhet të vazhdojë dhe të bëjë që ky dialog kulturor të rritet midiss Shqipërisë dhe Italisë, një tokë që na ka mirëpritur gjithmonë dhe ka treguar respekt e vëllazëri”.
Këto janë fjalët e ish - Zëvendës shefit të Shtabit të Ushtrisë Shqiptare, Gjeneral Dede Prenga. Të pranishëm ishin edhe shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Andris LIeskai, botuesi Astrit Muça, miqtë e mi të dashur dhe të nderuar. Promovimi u ndoq gjatë gjithë ditës nga televizioni “Fax News Albania”. Librin e prezantuam në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare madhështore dhe historike në Universitetin e Psikologjisë. Ky prezantim u organizua nga miqtë: Lan Qyqalla, Dibran Fylli dhe Hysen Grajçevci i cili hapi prezantimin me fjali përshëndetëse. Poeti i njohur Lan Qyqalla foli për vlerat e librit “Oltre il mare - Përtej detit” dhe rëndësinë e takimeve dhe shkëmbimeve kulturore si ky. Prezantimi është përcjellë nga TV “Klan Kosova” dhe nga gazeta të ndryshme si edhe revista “Orfeu”.
Prezantimi i librit u bë edhe në qytetin e Kukësit, ku na pritën gazetarë dhe lexues të pasionuar, në Radio TV “KUKËSI”. Më pas prezantimi u bë në Radio Capital, ku u intervistova nga gazetari i njohur Sami Shaqiri. Prezantuam librin në programin kulturor në televizionin kombëtar ABC News, intervistuar nga gazetari i njohur Enkel Demi. Librin e prezantuam sërish në Bibliotekë dhe Universitet të mirëpritur nga poeti dhe profesori universitar Olimbi Velaj, gjithashtu vijuam në Durrës, në Universitetin e Shkencave të Edukimit, të mirëpritur me entuziazëm edhe nga Drejtoresha e Bibliotekës. Por marrëdhënia ime me Shqipërinë dhe Kosovën nuk është vetëm kulturore, unë kam një lidhje të fortë miqësie dhe vëllazërore me mikun tim Nikollë Loka, me Marinë, gruan e tij, si edhe me të gjithë familjen e tij. Kam miq që i respektoj dhe që të gjithë i kam përmendur në këtë intervistë, njerëz që i admiroj thellësisht dhe që në udhëtimin e fundit në Shqipëri dhe Kosovë më kanë qëndruar shumë afër në këtë turne i cili ishte me të vërtetë përrallor. Mendoj se bashkëpunime si këto duhen bërë më shpesh, sepse është e rëndësishme të njohësh historinë, kulturën dhe traditat e vendeve dhe popujve të mrekullueshëm, ato janë burim i pasurisë kulturore dhe sigurisht bartës i paqes mes popujve. Kam edhe projekte të tjera të rëndësishme në të cilët po punoj me autorë të rinj shqiptarë, Gjergj Loka dhe Enea Loka, një roman shumë i rëndësishëm, por që preferoj të flas për të pasi ta realizojmë. Jam gjithashtu krahas i një projekti me Sami Shaqirin, në Kosovë. Gjithmonë them se miqësia dhe marrëdhënia ime kulturore me Shqipërinë dhe Kosovën është për mua një dhuratë e çmuar nga Nënë Tereza e Kalkutës, të cilën e ndjej shumë afër, ndaj e respektoj dhe e mbaj në zemër me nderim dhe mirënjohje të thellë. Shumë e shohin detin midis dy vendeve si diçka që na ndan, kurse unë e shoh si një urë që na bashkon. Patjetër, një ditë do të kthehem sërish në Shqipëri dhe Kosovë dhe mezi pres që kjo të ndodhë.