Ahmet Pllana – Vështrim rreth librit poetik “Natë për vetëvrasje” të autorit Safet Krivaça

Ahmet Pllana – Vështrim rreth librit poetik “Natë për vetëvrasje” të autorit Safet Krivaça
GËRSHETIM I VARGJEVE MES REALITETIT DHE IMAGJINATËS POETIKE
 
Rreth librit me poezi me titull “Natë për vetëvrasje” i autorit Safet Krivaça,
botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2025
 
Nga Ahmet Pllana
 
Libri më i ri i botuar këto ditë i autorit Safet Krivaça, na vjen si një sihariq dhe lajm i mirë për lexuesit, dashamirë të poezisë. Libri me poezi “Natë për vetëvrasje”, botim i Shtëpisë Botuese “Faik Konica”, redaktor Nazmi Rrahmani e Gani Dili, ndërsa lektor Isa Ilazi, ka 87 poezi. Libri është i ndarë në tri cikle: cikli i parë “Oda”, cikli i dytë “Natë për vetëvrasje” dhe cikli i tretë “Pak borë, pak fëmijëri”. Poeti Safet Krivaça na vjen me librin e tretë të tij, i cili kësaj radhe është me poezi për të rritur dhe mbanë një titull karakteristik dhe paksa provokues “Natë për vetëvrasje”, që faktikisht autori që në titull shpreh një pesimizëm, por sigurisht me një ironi pozitive. Autori ka dashur të shprehë ‘se ka natë të tmerrshme’, kur njeriu arrin deri në atë shkallë të zhgënjimit e pesimizmit, sa që e mendon ‘vetëvrasjen’, si zgjidhje, që realisht nuk është zgjidhje. Megjithatë, duhet thënë se fjala “vetëvrasje” nënkupton rrugë pa zgjidhje, por në poezi është një metaforë që shpreh të kundërtën dhe lexuesin e drejton kah qasja e drejtë dhe pozitive. Ndonëse titulli i librit në shikim të parë duket pesimist, në realitet këtu nuk ka pesimizëm, por autori shpreh qasjen e duhur me domethënien dhe kuptimin e saj si metaforë që në brendi jep kuptimin ndryshe, duke dhënë mesazh se ‘nata për vetëvrasje’ duhet të tejkalohet dhe duhet përkushtuar jetës me optimizëm duke e evoluar në shpirt, sikurse që ndodhë me shpirtin e poetit.

Libri me poezi “Natë për vetëvrasje” i Safet Krivaçës sjell një gërshetim të arsyeshëm të vargjeve mes realitetit dhe imagjinatës poetike. Kuptohet që secili poet e ka imagjinatën e vet poetike, sepse poezia është art dhe gjithnjë kërkon sublimën artistike dhe rrjedhën e vargjeve me plot kuptim dhe me përmbajtje e mesazhe të duhura për jetën dhe të qenit njeri. Autori Krivaça e don dhe e përjeton poezinë, faktikisht e ka në shpirt, sepse e ndjenë dhe është e përmbushur edhe me emocione shpirtërore, derisa në anën tjetër poeti ka një vizion për rrugëtimin poetik. Ai përdor një gjuhë figurative që shpeshherë ka përdorur fjalë e shprehje nga populli, sepse poezia e lejon një gjë të tillë. Safet Krivaça shkruan për ato që i ka parë, sidomos padrejtësitë dhe vuajtjet e popullit tonë nëpër kohë. Në poezitë e tij përmenden shpërnguljet masive të shqiptarëve të Kosovës për Turqi dhe vende të tjera të botës. Pastaj autori në një poezi me titull “Të harruar”, shkruan për banorët e trojeve ku dikur flitej shqip : “Trupoj Sanxhakun Malli më ngrinë për plisat Toka flet shqip akoma Qan të kthehesh vëlla.” Në poezinë me titull “Natë për vetëvrasje”, autori shkruan: “U zgjova n’ëndërr më pëshpërisje ti / Në kohë jete dhe pas saj / Në kohë dielli e shiu / Kur qielli qanë kur hëna qesh / Në buzët tua. / I çela sytë / Ti nuk ishe në ëndrra / Floku yt s’më prekte në fytyrë / Ishte natë për vetëvrasje.” Nga kjo poezi, titullin e së cilës e mbanë libri, autori ka shprehur dashurinë dhe jetën e bukur që kishte dikur, por që tani “floku nuk i prekte në fytyrë”, kishte dimension tjetër, por e thënë me një shprehje të fuqishme “ishte natë për vetëvrasje”. Në fakt, autori Krivaça e don jetën dhe të bukurën, por në këtë rast nga zhgënjimi që nuk e arrin atë që dëshiron dhe që normalisht do të duhej të ishte pranë tij dhe me te, ai e gjen shprehjen ‘adekuate’ dhe shumë të fuqishme për ta shprehur tërë atë mllefin e gjendjes në të cilën gjindet. Autori shkruan poezi për tema të ndryshme nga jeta, të cilat vërtet ia vlen të lexohen, sepse aty ka mesazhe të drejtëpërdrejta apo të tërthorta, që ia vlen t’i kuptojë lexuesi. Autorit i urojmë shëndet dhe suksese në krijimtarinë letrare.
 
Ahmet Pllana