Mbi poezinë e Remzi Limanit
MEDITIMI TRANSCEDENTAL POETIK
1.
Shkrimi i poezisë dhe komunikimi intensiv poetik në rrjetet sociale kibernetike, siç është edhe “Facebook”, ka vite që praktikohet edhe ndër ne.
Edhe shkrimtari tashmë i shquar Remzi Limani, me një opus të gjerë krijues letrar, është ndër të rrallët që këtë e ka preferuar që më parë, po edhe tani, sepse po duket se është bërë një formë shumë e preferuar dhe nxitëse për kreacionin e tij, duke mbajtur një kontakt të vazhdueshëm komunikimi me lexuesin e tij të preferuar, që duket është bërë edhe një mekanizëm motivues i ndërsjellë krijues-receptues, për të shkruar dhe komunikuar aktivisht në kohë reale.
Kjo ndërlidhje shkakore me lexuesin e digjitalizuar ndodhi edhe muajt e fundit, e duket se e bërë me nevojën për të shkruar më ritual, e herë - herë edhe me rutinën thuaja ditore, në një etapë të caktuar jetësore, tashmë po i shohim edhe të përmbledhur në formën e librit klasik, që po përgatitet ta bëjë jetën e saj me të gjatë si libër klasik poetik. I tillë pra është edhe libri më i ri me poezi “Zëri i heshtjes” i autorit Remzi Limani.
I sfiduar e i testuar në rrjetet sociale, tashmë i kulmuar në formën e saj më të denjë brenda kopertinave të librit klasik, ofron një realitet kompleks poetik, që ende fton dhe sfidon për të komunikuar e kapur fshehtësitë e porositë thellësisht poetike të këtij libri , për shumë çka të veçantë në opusin e autorit. Pra, format bashkëkohore të shkrimit, e të leximit, kështu formësohen dhe transformohen në klasiken moderne poetike, në aspektin e formës dhe zhanrit letrar.
Nevoja imanente për të lënë gjurmë në kohë reale, madje edhe në hapësirat e pafundme kibernetike, ta quajmë edhe si formë poetike, poezia kibernetike, mundëson vërtet një komunikim e receptim tejet dinamik, edhe në formën eksplicite, por në raste të caktuara, varësisht nga niveli intelektual i lexuesit, edhe tipin e receptimit implicit. Forma e lehtë e komunikimit, nuk do të thotë se e toleron lehtësinë e padurueshme të sipërfaqësores, përkundrazi, poezia e Limanit tashmë i referohet lexuesit të formuar dhe të pasionuar, që zhytet në thellësinë e poezisë, për të shijuar thellësinë meditative modeluese e kreativitetin imagjinativ poetik.
2.
Libri me i ri i Remzi Limanit me poezi “Zëri i heshtjes”, duket fund e krye përshkohet me një intencë të kërkimit dhe të shpalosjes së thelbit të dashurisë, në një gjendje e atmosferë limontie, dhembje e lëngate, në aspektin e saj më të gjerë, ndërsa e fokusuar deri në obsesion, në dashurinë si fenomen universal, dashurinë ndaj femrës, në kuptimin e saj më të gjerë e më të thellë.
Në kërkim të dashurisë së humbur, idealizuese, gati mitike, edhe poeti Remzi Limani sikur zhytet në transcendencën e përvojës njerëzore, në vetëdijen dhe ndërgjegjen kolektive, për të kërkuar fillimin e kësaj ndjenje të nevojshme, pasioni dhe instinkti, në përvojën më herake, biblike e mitologjike, duke e krijuar Evën e tij të dashur nga qenia e tij, nga eshtrat, mishi dhe gjaku i tij poetik, sipas arketipit biblik të Adamit!
Dhembja është për humbjen e dashurisë së krijuar nga bota e tij prej krijuesi, dhe në këtë atmosferë limontie, ku zotërojnë tonet e errëta të jetës, ku e verdha kontraston me të kuqen, errësira me dritën, poeti përmes heroit lirik shpalos në detaje këtë rrugëtim në “rrathet dantesk”, dhe me ekspresionizmin dhe impresionizmin gati vangogian, ngjyros pamjet e fiksuara deri në detaje drithëruese, për të krijuar një poezi tipike të imazheve. Kështu, duke i dhënë atyre emocione e ngjyrime nga më finet, autori shpalos me një veçori tipike boten e tij prej poeti e artisti, me një shqiptim autentik poetik.
Me këtë qasje autori i jep krah forcës mentale e shpirtërore të heroit lirik, dhe sado që i ndien tiktaket e orës dhe kohës në të sosur, i jep jehonë fuqisë së dashurisë, etjes dhe pasionit për të dashuruar deri në frymën e fundit, madje duke e dëgjuar në vetminë e tij edhe zërin e heshtjes, ku rri e fshehur apo e pulitur për t´u zgjuar sërish emocioni i dashurisë, për femrën dhe jetën!
Në trajtimin e figurës së femrës në kuptimin e përgjithshëm (e shfaqur si nuse, grua, e dashur etj) , deri në obsesion me pasion dhe dhembje, Limani është nga autorët e rrallë që temën e dashurisë ndaj femrës e detabuizon, por prore duke e ruajtur ndjenjën e çiltër dhe të drejtpeshuar, kur shpalos ndjenjën e dashurisë ndaj bukurisë fisnike e hyjnore të femrës - deri në sensualizëm. Aktin e dashurisë më paralojën dhe lojën e saj, që bartë pasionin më të bukur njerëzor, autori i qaset me një ndjenjë skofiare, që këtë akt e bënë sa të bukur aq edhe madhështor! Dhe ajo ndjenjë sa e thellë dhe enigmatike, deri në thellësi dhembjeje, na bëhet aq e çiltër dhe transparente, më të gjitha dritëhijet e saj!... Zëri i heshtjes është edhe zëri i dashurisë së thellë, që kumbon edhe pa zë, edhe më heshtjen, edhe me hijet e feksura nga netët pa gjumë me ndriçim hëne e vizione ëndrre.
3.
Temat dhe motivet poetike të kapura e shpalosura përmes heroit lirik trajtojnë situata nga më të ndryshmet jetësore, psikologjike (krizat mentale e shpirtërore të njeriut modern), trajton poetikisht edhe aspekte sociale, ekzistenciale e filozofike, të kohës aktuale, madje subjekti krijues i kredhur ne një auto analizë, një zhytje mentale e shpirtërore transcendentale në vetvete, përmes një meditimi krijues poetik, nxjerr në pah analizat me të thella “radiologjike” e “onkologjike” jetësore. Imazhet poetike shpalosen, rrëfehen thjeshtë, ato pikturohen me ndjeshmërinë e artistit modern, pra të shpeshtën kjo bëhet me një tip të poezisë deskriptive, që funksionalizon simbolin, metaforën, krahasimin, duke i dhënë mundësi që imazhi të kumtojë mesazhin poetik të balancuar sintetikisht. Këtë e kërkon autori më ngulmë deri në obsesion:
“E dua një fjalë që zgjedh nyjet e dhembjes”
(Poezia “Dhembja e thyer në kryq”) fq.
“Unë jam i shtrirë,
Nënkresë kam duart e tua të buta.
I shtrirë
Solemnisht hesht për të dëgjuar
Zërin e heshtjes sate.”
(Poezia: “ Zëri i heshtjes”, fq.37
Në gjedhen e lektisjes pas të dashurës, të tipit të Beatriqes së Dantes, apo edhe të modelit jetësor poetit tonë të Rilindjes, Zef Serembe, Remziu do të na shpalos këtë dashuri-dhembje, në krijimin e modelit të tij, që kap stinët e jetës së tij, në kohën kur jeton e krijon.
“le t´i marrim bojërat e syve tanë të ndezur,
le të pikturojmë përqafimin tonë
dhe gjithë gjëmat e ngrykosura në shpërthim!
(Poezia: “Mjaltore”, fq. 54)
Remzi Limani do të na shpalos aq sinqerisht, përmes heroit të tij lirik, artin e ti të rëndë të dashurisë, edhe në ecjen burrërore stoike kahfundi, epilogu jetësor!
“Në errësirën e shpirtit tim
Përqafoj mungesën tënde.”
(Poezia: “Nëpër pamjet tua”, fq 116)
Edhe në gjendjet e ankthshme e morbide, Remzi Limani do ta zbërthejë pasionin e madh të dashurisë, që ta lartësojë përmbi dhembjet, ndjenjën e çiltër dhe pasionin për dashurinë!...
Libri që tashmë e kemi në dorë, e po e përjeton dritën e botimit, do mbetet një himn për kohën -kënduar dashurisë!...